“Demat e kuq” fundosin Vllazninë. Nuk iu bind trajnerit, Mentor Mazrekaj ulet në stol

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 17, 2014 | 13:30

“Demat e kuq” fundosin Vllazninë. Nuk iu bind trajnerit, Mentor Mazrekaj ulet në stol

Vllaznia-Partizani 0-1, Nexhipi eshte pika referuese e te kuqveVLLAZNIA-PARTIZANI 0-1
GOLAT: Nexhipi 45+4′ (11-m)
VLLAZNIA: Selimaj, Beqiri, Sykaj, Vukçeviç, Baci, Tafili, Shtubina (Vjerdha 45′), Dibra , Nikoliç (Bushiç 46′),Kruja, Zefi (Bardulla 37′). Trajner: S.Nikaj
PARTIZANI: Hoxha,G.Krasniqi, Ibrahimi, Rrahmani, Murati, Maliqi, Anastasjeviç, B.Krasniqi, Mazrekaj (Hyshmeri 37′), Nexhipi(Demiri 63′), Saçer (Dushku 76′). Trajner: M.Sampaio
VËZHGUES: Ilirjan Kristo (Tiranë)
DELEGAT: Millan Baçi(Tiranë)
KARTONË TË VERDHË: Baci 80′, Beqiri 85′
KARTON I KUQ: Selimaj 44′
GJYQTARET: E.Jorgji, R.Preça, A.Mahmuti (Elbasan)

MINUTAT
15′ Mazrekaj hedh një top të gjatë pas krahëve të mbrojtjes së Vllaznisë, por portieri Selimaj është më i shpejtë se Saçer dhe largon rrezikun.
28′ Besnik Krasniqi në pozicion diagonal, disa metra larg portës së Vllaznisë, gjuan, por topi përfundon jashtë kuadratit.
41′ Elvin Beqiri shpëton portën shkodrane nga një gol i sigurt. Topi i gjuajtur nga Hyshmeri dhe me portierin Selimaj të shtrirë në tokë,largohet nga vija fatale nga kapiteni i Vllaznisë.
44′ Saçer merr një top të gjatë nga mesfusha, marshon drejt portës shkodrane, hyn në zonë dhe nën shqetësimin e një mbrojtësi gjuan dhe rrëzohet. Topi pritet nga portieri Selimaj, i cili, i shtrirë në tokë, me taka e godet sulmuesin kroat në trup dhe fytyrë. Gjyqtari Jorgji akordon penallti për Partizanin dhe karton të kuq për “gardianin” e Vllaznisë.
45+4′ Topin nga pika e bardhë e gjuan Nexhipi dhe shënon, 0-1 për të kuqtë.
46′ Kruja që në fillim të pjesës së dytë ka një mundësi, por gjuajtja e tij me kthesë ndalohet nga fluturimi i portierit Hoxha.
49’Beqiri provon nga distanca e 25 metrave, por topi ndalet në trupin e Muratit dhe shkodranët pretendojnë për një penallti, gjyqtari vijon lojën.
69′ Besnik Krasniqi nga e djathta harkon një top për Saçer, por kroati me gjithë hapësirën e mundshme vonohet dhe Beqiri largon rrezikun.
70′ Kundërsulm i të kuqve, B. Krasniqi te Demiri, që brenda zonës e godet me kokë topin, por pa rrezik për portën shkodrane.
73′ Përsëri Partizani ka një mundësi shënimi, ku fillimisht gjuan B. Krasniqi dhe grushton portieri Vjerdha. Topin e kthyer e godet Hyshmeri dhe largon rrezikun nga mbrojtja kuqeblu.
84′ Rast i mirë për Vllazninë. Vukçeviç te Bushiç, që pranë portës gjuan, por topi bllokohet nga grumbulli i mbrojtësve të Partizanit.
86′ Kruja nga e djathta lëshon topin në zonë, Vukçeviç e godet me kokë, por ndërhyrja e portierit Hoxha dhe shtylla shpëtojnë Partizanin nga pësimi i golit.
91′ Maliqi merr krahun e djathtë, kombinon me Dushkun, por top i gjuajtur ndalet nga shtylla.

Pas 21 vitesh pritje, Partizani arrin të thyejë tabunë e stadiumit “Loro Boriçi”, pasi të kuqtë kanë fituar 1-0 falë golit të Nderim Nexhipit, të shënuar nga pika e bardhë e penalltisë në përfundim të pjesës së parë. Për herë të fundit “demat” kanë fituar në Shkodër më 4 prill 1993, po me rezultatin 1-0. Vllaznia kërkonte fitoren për të dalë nga zona “e ftohtë”, ndërsa Partizani për një vend në Europë. Pas akordimit të 11- metërshit për të kuqtë, pati kontestime të shumta nga shkodranët, por në fund gjithçka ka shkuar në favorin e “demave të kuq”. Të dy trajnerët vinin në këtë përballje me disa probleme, ku padyshim më të shumtët ishin në kampin shkodran. Aty disa lojtarë nuk gëzonin gjendje të mirë, sepse sapo ishin rikuperuar apo mungonin për arsye dëmtimesh. Me këtë humbje Vllaznia mbetet në katërshen e fundit që zbret një kategori më poshtë, ndërsa Partizani parakalon Laçin dhe tani ndodhet i dyti me 39 pikë. Tani Vllaznia është zhytur në krizë totale dhe të besuarit e trajnerit Nikaj dje nuk e përligjën interesimin e madh të tifozërisë shkodrane që ndodhej në “Loro Boriçi”.
Pjesa e parë Takimi nisi i qetë, por ishte Partizani ai që mori iniciativën për të rrezikuar portën kundërshtare. Të kuqtë ishin më të qartë në këtë pjesë dhe e dominuan totalisht lojën, ndërsa Vllaznia dukej qartë se e ndjente frikën e humbjes. Kështu, ajo më shumë u përpoq të mos pësonte, sesa të rrezikonte. Mbase ndikoi edhe mungesa e disa titullarëve, ku golashënuesi Bushiç e niste nga stoli takimin, pasi nuk ishte rikuperuar plotësisht. Ashtu si në takimet e shkuara, edhe në Shkodër trajneri Sampaio tregoi se është i paparashikueshëm, pasi Demiri e nisi nga stoli, ku katër ditë më parë ishte kapiten. Futbollistët e Partizanit ishin më kërkues, gjithsesi rreziku vinte nga gjuajtjet në distancë, ndërsa Vllaznia nuk u pa para portës së portierit Alban Hoxha. Në minutën e 44-t, gjyqtari Jorgji akordon një penallti për Partizanin por ndëshkon me karton të kuq edhe portierin Selimaj për një ndërhyrje të ashpër dhe të panevojshme ndaj kroatit Mario Saçer. Pas një vonese prej pesë minutash, topin e gjuan Nexhipi, njeriu i momentit te Partizani dhe shënon. 0-1 mbyllen 45 minutat e para.
Pjesa e dytë Vlaznia duke qenë me një lojtar më pak dhe në disavantazh, nuk ka çfarë të humbasë, prandaj trajneri Nikaj aktivizon edhe Bushiç. Në fushë shikohet një Vllazni e papërmbajtshme, jo apatike si në pjesën e parë. Kuqeblutë dominojnë, krijojnë raste pa fund, por nuk finalizojnë. Ndërsa Partizani për rreth 20 minuta vetëm qëndronte fizikisht në fushë, pasi të kuqtë nuk arrinin dot të ndalnin vrullin e vendësve. Me hyrjen në fushë të Demirit, Partizani ka më freski dhe merr iniciativën duke krijuar shumë raste shënimi. Me anë të kundërsulmit, futbollistët kryeqytetas vihen në garë kush e kush të humbasë para portës së Vllaznisë. Mbrojtësi Vukçeviç për minuta të tëra qëndroi fizikisht në fushë, pasi ishte i dëmtuar, por nuk mund të zëvendësohej sepse ndërrimet kishin mbaruar që në minutën e 46-të. Kështu që Vukçeviç zhvendoset para sa për numër dhe në këtë mënyrë Vllaznia ishte me 9 lojtarë aktivë. Partizani pati disa mundësi për ta dyfishuar, por pa sukses. Edhe vendësit patën mundësi të barazonin në fund, por Partizanit mbeti i pamposhtur.

MË I MIRI
Besnik Krasniqi dhe Behar Maliqi kanë qenë më aktivët për Partizanin në takimin e djeshëm. Të dy lojtarët kosovarë ishin në ditën e tyre dhe së bashku me Nexhipin arritën të fitonin betejën me shkodranët që në mesfushë. Mbrojtja e të kuqve, me në krye portierin Hoxha, mbetet një nga pikat më të forta të Partizanit, çka u pa edhe dje në Shkodër. Te Vllaznia, sulmuesi Bushiç u mundua të bënte diçka në pjesën e dytë, por pa rezultat.

MË PAK AKTIVI
Protagonisti, që vendoi edhe fatin e takimit të djeshëm, ishte portieri i Vllaznisë, Erind Selimaj. Me ndërhyrjen e gabuar në minutën e 44-t ndaj sulmuesit Mario Saçer, Selimaj e la ekipin me 10 vetë në fushë. Në pjesën e parë Vllaznia çaloi totalisht, çka u dha mundësi miqve që të komandonin. Te Partizani u pa një Mentor Mazrekaj jo në ditën e tij dhe për këtë arsye ai u zëvendësua që në minutën e 37-të.

Nikaj Samuel“Na ndëshkoi arbitri, shpresojmë deri në fund”
Për trajnerin e Vllaznisë, Samuel Nikaj, shpresa vdes e fundit dhe ndaj Partizanit vendosi penalltia dhe kartoni i kuq. “Mendoj se nuk e meritonim që të mundeshim nga një fragment i lojës. Skuadra para këtij takimi vinte me mungesa të shumta. Në pjesën e parë kërkuam të jemi të kujdesshëm në prapavijë, në mënyrë që të mos ndëshkoheshim dhe për të shpresuar tek lojtarët që do të aktivizoheshin në pjesën e dytë. Mendoj se takimin e prishi gjyqtari me atë 11-metërsh të paqenë. Një penallti e atillë dhe kartoni i kuq ndaj portierit i prishi të gjitha balancat në fushën e lojës. Në pjesë e dytë na u prishën llogaritë, pasi mendonim të hidhnim në fushë Bushiç e Hajdari. Përsa i përket të ardhmes, mund të them se ka ende shpresë që Vllaznia të mbijetojë. Shpresa vdes e fundit, megjithatë situata sa vjen dhe rëndohet”,- u shpreh Samuel Nikaj pas ndeshjes.

Sampaio“Finalizimi problem, Vllaznia e meriton elitën”
Pas takimit, trajneri Marcio Sampiao ka pohuar se Partizani shpërdoroi shumë, por ka dhënë edhe mendimin e tij për Vllazninë. “Mendoj se kemi marrë një fitore të merituar në Shkodër, por duhet ta mbyllnim më herët ndeshjen. Gjatë gjithë javës kemi punuar në aspektin e goditjeve në portë, por sërish kemi probleme në finalizim. Na ka ndjekur fati në këtë takim dhe sigurisht fati shkon me ata që punojnë. Për mendimi tim Vllaznia nuk e meriton të jetë në të tillë pozicion,më keq akoma të lërë Kategorinë Superiore. Për të ardhmen? Duke filluar që nga takimi i radhës, do të kërkoj të marrim më të mirën, në mënyrë që të jemi mes skuadrave që pretendojnë një vend në Kupat e Europës. Sa i përket 11-metërshit, mund të them se isha larg për të dhënë një gjykim të drejtë. Do të shprehem pasi ta shoh rastin në televizor”,- u shpreh trajneri i Partizanit, Marcio Sampaio.

Vllaznia-Partizani 0-1, Selimaj shkaktoin penallti dhe del me te kuqe“Mëkatari” Selimaj: Ishte penallti absurde
Një nga protagonistët, por në aspektin negativ për kuqeblutë, ka qenë edhe portieri Erlind Selimaj. Pas takimit portieri ka dhënë versionin e tij për sa i përket rastit të shumëdiskutuar, atë të akordimit të penalltisë. “Kam kërkuar vetëm që të ngrihem me shpejtësi. Nuk e kam parë fare se ku ka qenë lojtari kundërshtar në ato momente, por në një situatë të tillë kur duart i ke të zëna, nuk di sesi mund të ngrihet një portier apo çdo njeri vetëm duke mbështetur këmbët në tokë. Ishte gjithçka tejet absurd ai 11-metërsh i dhënë kundër Vllaznisë. Më vjen keq që ky rast ishte episodi që zgjidhi takim”, -ka thënë Selimaj. Portieri gjen edhe mbështetjen e trajnerit Nikaj. Portierin Selimaj e njoh nga afër, jo vetëm si sportist, por edhe si një shok shkolle. Ai është një portier dhe një njeri të cilin nuk e karakterizon nervozizmi. Selimaj ka kërkuar vetëm të ngrihet sa më shpejt, për të nisur një kundërsulm për ekipin tonë dhe ka prekur lojtarin kundërshtarë, që e ka pasur shumë afër”,- u shpreh trajneri Samuel Nikaj pas ndeshjes.
Radonjiç – Për rastin në fjalë është prononcuar edhe Mojash Radonjiç, ish-trajneri i Vllaznisë, që ishte i pranishëm dje në stadium. “Vetëm në Shqipëri jepen penallti të tilla. Në çdo moment, në ato pozicione ka përparësi portieri. Kështu që nuk e di sesi u dha ajo penallti. Për mendimin tim ishte ai rast që ndryshoi rrjedhën e lojës. Vllaznia nuk e meriton të jetë në një pozicion të tillë”, tha Radonjiç.

Vujadinoviç, me trombozë në krah
Një mungesë e papritur në përballjen e djeshme ka qenë edhe ajo e “gardianit” të portës shkodrane, malazezit Mirosllav Vujadinoviç. Nga sa mësohet, në mbrëmjen e së shtunës, kur ekipi ka qenë i grumbulluar në një prej hoteleve të Shkodrës, portieri ka pësuar një trombozë në krah. Vujadinoviç është dërguar menjëherë në spital, ku edhe ka kaluar disa orë nën vëzhgimin e mjekëve. Pasi ka marrë ndihmën mjekësore portieri malazez i është drejtuar banesës ku jeton, në Shkodër. Stafi mjekësor i Vllaznisë i ka qëndruar pranë lojtarit gjatë orëve të paradites së sotme, të cilët u kanë komunikuar drejtuesve të klubit se Vujadinoviç e ka të pamundur që të luajë ndaj Partizanit.
ADMIR URUÇI

Mazrekaj dhe DemiS’i bindet trajnerit, Mentor Mazrekaj ulet në stol
Trajneri i Partizanit, Marcio Sampaio, ka pohuar prej kohësh se kush nuk zbaton urdhrat e tij ndëshkohet. Këtë gjë e ka provuar dje Mentor Mazrekaj, i cili në minutën e 37- të është zëvendësuar nga trajneri portugez. Sampiao, gjatë minutave të para, disa herë e ka këshilluar lojtarin, i cili nuk po sillej në fushë sipas udhëzimeve që ai i kishte ngarkuar. Me sa duket, mosbindja ka qenë e padurueshme për trajnerin, i cili nuk ka pritur që të mbyllej pjesa e parë por që në minutën e 37-të i ka treguar stolin mesfushorit kosovar. Ky i fundit shihej si i pazëvendësueshëm te Partizani. Edhe gjatë ndeshjes me Bylisin trajneri Sampaio i ka tërhequr disa herë vëmendjen Mazrekajt, por në këtë takim portugezin e mbajti në fushë për 84 minuta. Ky gjest i djeshëm tregon se trajneri Sampaio ka pushtet të plotë te Partizani dhe të gjithë janë të detyruar që t’i binden urdhrave të tij. Njëshi i pankinës së kuqe ka pohuar ditë më parë se Mazrekaj është i detyruar të luajë me dhe pa top, prandaj ai shpesh e këshillonte gjatë ndeshjeve. Me sa duket portugezit i ka sosur durimi në Shkodër, pasi lojtari vijonte sipas mënyrës së tij, duke mos zbatuar detyrat e ngarkuara nga stafi teknik. Faktin në fjalë e ka pohuar mbrëmë edhe drejtori teknik i të kuqve, Genc Tomori, në “Rubrika Sportive” në “TVSH”. “Mentor Mazrekaj u zëvendësua në minutën e 37- të me Hyshmerin, sepse lojtari nuk iu bind urdhrave të trajnerit në fushën e lojës”,- u shpreh drejtori teknik i Partizanit, Genc Tomori. Pra tek të kuqtë nuk ka gjeneralë, por vetëm ushtarë.

Demi drekon me ekipin dhe takon tifozët e kuq
Partizani është larguar nga Shkodra me një fitore plot vlera, që i ka gëzuar të gjithë, president, drejtues, lojtarë dhe tifozëri, që rastësisht janë takuar pasdite në Lezhë gjatë kthimit për në kryeqytet. Në një lokal në afërsi të Lezhës, Demi shtroi një drek dhe priti skuadrën. Ai i takoi një e nga një lojtarët dhe stafin, ndërsa nuk munguan përshëndetjet, përqafimet dhe përgëzimet. Gjatë këtij momenti, kur skuadra po përshëndetej jashtë me presidentin, mbërriti edhe karvani i tifozëve. Presidenti Gaz Demi i ka ftuar edhe tifozët që t’i bashkoheshin gostisë së ekipit. Përfaqësia e tifozëve i kanë kërkuar presidentit që ai dhe ekipi t’u bëjnë dhuratë atyre fitoren në derbin e fundjavës. “President, tani mendoni për Tiranën! Kërkesa jonë është që Partizani të na bëjë dhuratë fitoren në derbi, kaq kërkojmë ndaj jush”, – kjo ka qenë kërkesa e ultrasve. “Kjo që kërkoni nuk varet nga unë, por nga ekipi. Ata luajnë në fushë, mua më mbetet vetëm që t’i ‘rrah’ nëse nuk fitojnë”, – u është përgjigjur me të qeshur presidenti tifozëve të pranishëm.
ILIR CARA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"