“Partizani-Flamurtari nuk ishte ndeshje e trukuar”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 1, 2016 | 12:40

“Partizani-Flamurtari nuk ishte ndeshje e trukuar”

Ndeshja PartizaniFlamurtari 2-1, lu ajtur më 4 mars të vitit të kaluar dhe e denoncuar në Prokurori nga klubi vlonjat, nuk ka qenë e trukuar. Ky është konkluzioni që ka nxjerrë Prokuroria e Durrësit pas hetimeve gati 12- mujore.Partizani-Flamurtari 0-0, Vila i ndjekur nga Vucaj Hetimi i kësaj çështjeje nuk u morr përsipër nga Prokuroria e Vlorës, për shkak se ndeshja në fjalë s’u luajt në territorin që ajo ka në juridiksion. Në lojë u fut Prokuroria e Durrësit, duke qenë se ndeshja u zhvillua në stadiumin “Niko Dovana”, edhe pse denoncimin drejtuesit e Flamurtarit e bënë në Vlorë.

Në klubin kuqezi ka mbërritur ditët e fundit edhe përgjigjja zyrtare e Prokurorisë së Durrësit. “Panorama Sport” zbulon se organi i akuzës ka arritur në përfundimin se ndeshja nuk ka qenë e trukuar. “Ndeshja e luajtur më 4 mars në stadiumin e Durrësit nuk rezulton të jetë trukuar për qëllime përfitimi.

Nga hetimet e kryera, këqyrja e pamjeve filmike, por edhe nga analizimi i deklaratave të drejtuesve dhe futbollistëve të të dyja skuadrave, nuk kemi konstatuar në asnjë rast që të kemi të bëjmë me nenin 197/a për trukimet dhe përcaktimin e rezultateve në garat sportive”, thuhet në përfundimin e Prokurorisë së Durrësit.

Hetimi Më 14 korrik të vitit të kaluar, Prokuroria e Durrësit ka marrë në pyetje palën e Flamurtarit. Anëtarët e bordit, Saimir Haxhiu dhe Robert Islami, si dhe futbollistët Bruno Telushi e Bedi Buval, të cilët ishin përfshirë edhe në raportin e Etikës, janë pyetur nga oficeri i policisë gjyqësore në Prokurorinë e Durrësit, Roland Shehu.

Deklaratat e dhëna nga Bruno Telushi dhe Bedi Buval kanë qenë të njëjta me ato që janë raportuar për grupin e hetimit, si dhe për Komisionin e Etikës. Mësohet se mesfushori Telushi përpara oficerit të policisë gjyqësore është shprehur:

“Pas shënimit të golit të parë nga ekipi ynë, siç kam deklaruar edhe më parë, kapiteni i Partizanit, Nexhipi, më afrohet dhe më thotë që të mos luaja ashtu si po luaja me dëshirë dhe impenjim, pasi ndeshja ishte e lënë për ta. Ai më tha se do të fitojmë ne. Unë nuk isha aspak në dijeni të një fakti të tillë, pasi ne po kërkonim me çdo kusht ta fitonim ndeshjen dhe po bënim lojën tonë”. Në të njëjtën linjë ka qenë edhe sulmuesi Buval.

“Dy lojtarë të Partizanit, njëri prej tyre ishte Krasniqi, më kanë thënë që të mos lëviz shumë, pasi unë nuk duhet që të shënoja, sepse ndeshja ishte fiksuar për ta. Unë vazhdova lojën time, nuk kisha asnjë arsye të toleroja. Për sa kohë unë kam te Flamurtari, nuk bëhet fjalë fare për tolerime apo për lënie ndeshjesh”, pat thënë Buval në Prokurori.

Idrizi I kontaktuar dje nga gazeta, administratori i Flamurtarit, Sinan Idrizi, nuk ka dashur të komentojë konkluzionin e Prokurorisë për ndeshjen Partizani-Flamurtari, por që gjithsesi nuk e fshehu zhgënjimin.

“Është e vërtetë që Prokuroria e Durrësit na ka kthyer një përgjigje të tillë, që ndeshja PartizaniFlamurtari nuk është e trukuar. Nuk dua të komentoj vendimet e institucioneve të drejtësisë, pavarësisht nëse janë të drejta apo të gabuara. Ishalla të jetë kështu dhe të kemi gabuar ne në gjykimin tonë”, deklaroi Sinan Idrizi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"