“Partizani, fatin e Tiranës”, Besir Demiri: Josa më sheh si mesfushor qendre, ja pse Kukësi ka oshilacione

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 19, 2021 | 22:00

“Partizani, fatin e Tiranës”, Besir Demiri: Josa më sheh si mesfushor qendre, ja pse Kukësi ka oshilacione

Besir Demiri luan për herë të parë në kampionatin shqiptar, ashtu si shumica e lojtarëve të Kukësit këtë sezon, teksa iu bashkuan skuadrës verilindore në merkaton e verës së vitit të kaluar. Mbrojtësi i majtë nga Shkupi, që deri pak vite më parë ka qenë edhe kontigjent i Kombëtares shqiptare, mendon se problemi madhor i Kukësit ka qenë ndërtimi nga e para i ekipit dhe koha e nevojshme që duhej për konsolidimin e tij. Sipas 26- vjeçarit, oshilacionet kanë qenë të pritshme, por ai tashmë me plot gojën thotë se Kukësi ka gjetur ekuilibrat e duhur. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, Demiri flet për ndeshjen ndaj Partizanit, bisedën që ka bërë me trajnerin Josa për pozicionin në fushë, por edhe synimet e klubit.
besir-demiri-600x338
Besir, si e shpjegoni këtë sezon me oshilacione të Kukësit?
E kemi filluar sezonin me një ekip komplet të ri. Asnjë nga lojtarët nuk njiheshim me njëri-tjetrin dhe normalisht ishte e pritshme që do kishim ulje-ngritje. Megjithatë, duke parë tabelën e klasifikimit se si jemi me skuadrat që para fillimit të sezonit ishin pretendentë për vendet e para, mendoj se jemi aty në garë. Nëse Vllaznia nuk të kishte këtë ecuri, diferenca me kreun do të ishte shumë e vogël. Personalisht gjykoj se ndeshja me Tiranën tregoi se tashmë kemi një ekip në ekuilibër dhe jemi shumë më mirë.

Ju kemi parë të luani në disa pozicione, cili është roli që ju ndiheni më mirë?
Po, kam luajtur në shumë pozicione te Kukësi. Gjithmonë objektivat e klubit i kam vendosur para atyre personale. Jam munduar të jap maksimumin e asaj që më ka kërkuar trajneri. Gjithnjë do të jem në dispozicion të ekipit, aty ku trajneri e shikon më mirë. Personalisht, mendoj se mund të jap më shumë si mesfushor qendre apo mbrojtës i majtë. Por, e përsëris që jam në dispozicion në çdo rol që dëshiron trajneri, duke lënë mënjanë portierin (qesh).
Mirel Josa KukesiPo trajneri Josa çfarë ju ka thënë, në cilin pozicion ju shikon më mirë në fushë?
Që në ditën e parë më ka pyetur dhe ia kam sqaruar dy pozicionet më të preferuara. Deri më tani më sheh më mirë si mesfushor qendre.

Cilat janë ato gjëra që kur keni ardhur në fillim i keni menduar ndryshe dhe ndoshta më pas me kalimin e kohës jeni befasuar apo zhgënjyer nga eksperienca e deritanishme?
Në fillim niveli i kampionatit më ka befasuar. E dija pak a shumë, por e kam vërtetuar tashmë që është kampionat shumë i fortë. Në Superiore ka shumë konkurrencë mes ekipeve dhe më duket një kampionat i barabartë. Gjëja që ndoshta jam pak i habitur, edhe pse s’mund të them i zhgënjyer, është niveli i fushave. Mendoja që këtu fushat do të ishin në nivelin e duhur, por gjithsesi nuk duhet të harrojmë se ndoshta edhe kalendari shumë i ngjeshur i ndeshjeve ka ndikuar. Ndoshta kjo është arsyeja që nuk kanë qenë në gjendjen më të mirë.
auto_auto_Partizani-Kukesi16132978721613481861
Të dielën luhet Kukësi-Partizani, duket si një përballje mes lojtarëve që kanë bërë histori te Shkëndija e Tetovës…
Përballja është Kukësi-Partizani, nuk mendoj se duhet ta etiketojmë mes lojtarëve që kanë qenë te Shkëndija. Gjithsesi, më vjen mirë që do takohemi me ish-shokët e skuadrës, por si ne që jemi te Kukësi dhe ata te Partizani, mendoj se jemi të fokusuar vetëm tek e tashmja dhe jo e kaluara jonë.

Çfarë prisni nga ky takim, mendoni se është momenti që Kukësi të thyejë Partizanin pas atyre dy humbjeve në fazën e parë dhe të dytë?
Në fakt, kishim dy ndeshje pa fitore edhe kundër Tiranës, por në fazën e tretë e mundëm. Mendoj se është koha që të kemi edhe fitoren e parë kundër Partizanit.

Çfarë i druheni më tepër te kundërshtari?
Më së shumti asaj që e kemi pësuar në dy ndeshjet e para, ku për hir të së vërtetës kemi kontrolluar lojën, por jemi ndëshkuar në momentet më të mira tonat. Kjo na ka ndodhur në të dyja ndeshjet, por shpresoj mos të na përsëritet më.

Në cilin pozicion e shikoni Kukësin deri në fund të sezonit?
Mendoj se duhet t’i marrim ndeshjet një e nga një dhe në fund me shumë siguri e shoh Kukësin në vendet e para të tabelës.

SKERDILAID SULOZEQI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"