“Partizani e mbron titullin edhe me Lerdën”, Besnik Prenga: Ndaj Laçit pres gola, Cungu ktheu besimin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 20, 2019 | 23:13

“Partizani e mbron titullin edhe me Lerdën”, Besnik Prenga: Ndaj Laçit pres gola, Cungu ktheu besimin

Partizani pret Laçin këtë fundjavë dhe sipas Besnik Prengës, ish-sulmuesi i të kuqve dhe ish-trajneri i kurbinasve, takimi vlen më shumë për “demat” të cilët e duan fitoren për të kapur qetësinë që kishin me Skënder Gegën në sezonin e titullit.

prenga

Në dallim nga faza e parë, Prenga pret që kësaj radhe të zhvillohet një ndeshje më argëtuese, kryesisht sa u përket golave të shënuar. Ishtrajneri i Laçit në intervistën e dhënë për “Panorama Sport” analizon situatën e dy ekipeve, ku mes të tjerash pohon se Partizani akoma nuk e ka treguar potencialin e vërtetë, ndërsa Laçi nën drejtimin e Cungut po tregon punën e kryer në krijimin e grupit. Prenga jep edhe mendimin e tij për rivalitetin e kampionatit, ndryshimet në stolin drejtues te Tirana dhe e mbyll me parashikimin që Partizani edhe nën drejtimin e Franko Lerdës do ta fitojë titullin kampion, siç bëri në sezonin e fundit me Gegën.

Partizani-Laçi, si i shikoni skuadrat përpara kësaj përballjeje, ku të kuqtë kryesojnë, ndërsa kurbinasit vijnë pas 4 fitoreve radhazi?

Dëshiroj që ndeshja e radhës mes Partizanit dhe Laçit të na japë futboll më të bukur dhe cilësor, por edhe më shumë gola se takimet e fundit mes tyre, për arsye se dhe tifozët e të dyja klubeve të dalin të kënaqur nga loja e skuadrave të tyre. Besoj se kampionët do të hyjnë në fushë për ta fituar ndeshjen, ndërsa Laçi që të mos dalë i humbur, në mënyrë që të ruajë qetësinë dhe atmosferën pozitive të krijuar me rezultatet e fundit.

Çfarë kanë ndryshuar skuadrat nga dueli i fazës së parë dhe cilin shikoni favorit në takimin e radhës?

Në ndryshim nga ndeshja e fazës së parë, të dyja ekipet janë më të qeta, pasi klasifikimi në tabelë u jep të drejtën për një gjë të tillë. Partizani vazhdon me hapin e kampionit (vendi i parë në klasifikim), ndërsa Laçi përveç rritjes në renditje, vjen pas 4 fitoreve të shkëlqyera me rezultate dhe lojë bindëse.

partizani laci

Sipas jush, cilat janë pikat e forta dhe të dobëta të të dyja ekipeve?

Mendoj se kolektiviteti është pika më e fortë e të dyja ekipeve. Laçi, përveç forcës së grupit, që ka spikatur gjithmonë, ka gjetur edhe njeriun gol, i cili po e udhëheq skuadrën drejt fitoreve. Partizani ka emër, traditë, cilësi dhe kolektivitet, që me të drejtë e bëjnë favoritin kryesor për titull.

Rezultati i këtij takimi, te cili ekip mund të ndikojë më shumë?

Ndeshja e së premtes është e rëndësishme për të dyja skuadrat, por mendoj se për Partizanin rëndësia është më e madhe. Një hap i gabuar do të bënte që ekipi të humbte sigurinë dhe qetësinë që kampionët e kishin vjet nën drejtimin e Skënder Geges, të cilën po e kërkojnë edhe këtë sezon që ta fitojnë.

Partizani ka plot problematika të brendshme, por drejtuesit kanë vijuar të besojnë te Lerda dhe kryesojnë. Ndonëse jeni i jashtëm, keni një gjykim se nga mund të vijnë këto situata?

Në futboll gjithmonë ka dhe dalin probleme të ndryshme. Rezultati është ai që bën që problemet të minimizohen ose të mos ndihen në ekip. Fitorja e Partizanit do të bënte që edhe tifozët të rrisin besimin te trajneri Lerda, pasi me sa duket, ai e ka besimin e drejtuesve të klubit dhe të presidentit Demi.

Prenga55

Laçi duket i pandalshëm në këtë periudhë, çfarë ka bërë ndryshe Cungu që po korr rezultatet?

Laçi me të vërtetë është në një formë të shkëlqyer. Me ardhjen e trajnerit Cungu ekipi mori frymë dhe po shprehet shumë mirë në lojë. Cungu arriti për pak kohë që lojtarëve t’u kthejë besimin dhe qetësinë. Kjo tregon se me të drejtë presidenti Laska dhe trajneri Starova besonin se Laçi kishte për të treguar shumë këtë sezon.

Si i komentoni lëvizjet te Tirana që ndryshoi edhe stafin teknik?

Duke parë se ishte java e tetë e kampionatit, por edhe duke vlerësuar punën e Memës si trajner dhe besimin që kishte Halili tek ai, nuk e prisja një gjë të tillë. Megjithatë, Tirana është një klub i madh dhe do dalë shpejt nga kjo minikrizë rezultatesh dhe do t’i japë tonin kampionatit tonë të futbollit.

Në 12 javë kemi një ngjeshje skuadrash në renditje, nga se vjen kjo dhe cilin shikoni pretendent tani?

Kampionati i sezonit 2019- ’20 po tregon atë që pritej, rivalitet të madh. Duke parë përbërjet e skuadrave, mendoj se janë disa klube të përafërta dhe mes këtyre do dalë dhe ekipi kampion. Partizani, Kukësi, Tirana janë ata që mund të jenë fitues të titullit kampion.

Partizanin e shikoni në rrugën e duhur për të mbrojtur titullin dhe çfarë duhet të përmirësojë në merkaton e janarit?

Partizani vazhdon të jetë në krye të kampionatit, por mendoj se akoma nuk e ka treguar potencialin e tij. Mendoj se do ta gjejë rrugën e duhur, pasi është klub i organizuar mirë dhe besoj se ashtu si vjet me Gegën, edhe këtë vit me Lerdën do të jenë ata fituesit e titullit kampion.

ILIR CARA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"