Partizani e largoi, mesfushori i shënon me Bylisin: Kam shumë për të treguar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 9, 2022 | 22:49

Partizani e largoi, mesfushori i shënon me Bylisin: Kam shumë për të treguar

Bylisi njihet si një klub ku të huajt, por edhe lojtarët shqiptarë e shohin si “trampolinë” për të ardhmen e tyre. Presidenca ballshiote, në kuadër të një projekti për të rikthyer Bylisin në elitë, sezonin e shkuar afruan nga Partizani Abubakar Kamaran, mesfushor anësor, por që te Bylisi po adaptohet në linjën e djathtë e madje në testin ndaj Partizanit rezultoi një lojtar shumë deçiziv.

ABUBAKAR KAMARA

Shënoi golin e parë në miqësoren e së dielës në Pogradec, si dhe shërbeu me asist. Lojtari nga Bregu i Fildishtë, që shihet si një futbollist me të ardhme në Ballsh tregon synimet me Bylisin, por edhe faktin se ka rigjetur sërish Superioren. Ai e sheh Bylisin si një eksperiencë që do ta ndihmojë për të ngjitur shkallët e karrierës. Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, Abubakar Kamara flet për ndeshjen me Partizanin dhe sfidat e së ardhmes.

Kamara si u ndiet pas golit dhe asistit ndaj ish-ekipit tuaj?
Natyrisht që më vjen mirë që Bylisi po vazhdon me një projekt që ka nisur në sezonin e shkuar dhe unë jam pjesë e tij. Ne vlerësojmë çdo ndeshje, kështu janë politikat e klubit dhe trajnerit. Shënova gol dhe shërbeva me një asist që u kthye në gol. Kam shumë për të treguar dhe shpresoj që duke luajtur sa më shumë në këtë sezon të bëj më të mirën time.

Për koincidencë shënuat ndaj Partizanit, ish-ekipit tuaj…
Isha te Partizani dhe i jam mirënjohës, tashmë po bëj më të mirën si lojtar i Bylisit. Mbase është meritë e këtij klubi që na vlerëson shumë ne lojtarët e rinj. Jam pjesë e Bylisit do të luftoj duke bërë më të mirën për këtë fanellë. Këtë sezon ne duam që të lëmë gjurmë dhe të bëjmë më të mirën tonë të gjithë së bashku për qëllimet që ka klubi. Ndihem shumë mirë në Ballsh dhe më pëlqen atmosfera, falënderoj shokët dhe trajnerin Jeton Beqiri, që na ka përkrahur shumë.

Cilat janë synimet tuaja për sezonin e ardhshëm me Bylisin?
Dua që të luaj sa më shumë, pasi jam në kulmin e karrierës. Do të shfrytëzoj sa më mirë besimin që më kanë dhënë dhe do të më japin drejtuesit. Ky do të jetë një sezon ku Bylisi do të kërkojë që të shfaqet si një skuadër simpatike e futbollit shqiptar…

Ju kemi parë në disa role, si sulmues, mesfushor dhe tashmë në linjën e djathtë në mbrojtje. Ku preferoni të luani më shumë?
Jam lojtar ofensiv, por klubi dhe trajneri bëjnë edhe lëvizjet e tyre. Unë jam përshtatur shumë mirë në linjën e djathtë. Prandaj edhe kjo eksperienca te Bylisi do të më vlejë shumë që unë të perfeksionohem sa më shumë si lojtar.

Ballshi cilësohet edhe “oazi” i afrikanëve dhe të huajve, po ju si mendoni?
Të them të drejtën ndihemi shumë mirë këtu. Për ne lojtarët e rinj është një opsion shumë i mirë. Stërvitemi në kushte shumë të mira dhe ndihemi të trajtuar mirë. Jemi shumë të huaj dhe gjykojmë se kemi bërë zgjedhjen e duhur për karrierën tonë.

ERJON SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"