Partizani e la të lirë, Sulejmani ankohet: M’u bënë padrejtësi, koha vërteton kush gaboi…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 8, 2018 | 19:37

Partizani e la të lirë, Sulejmani ankohet: M’u bënë padrejtësi, koha vërteton kush gaboi…

Merkatoja verore e Partizanit është shoqëruar me disa ndryshime, si në hyrje dhe në dalje. Alban Sulejmani e ka ndërprerë bashkëpunimin me Partizanin, ndonëse një vit më parë ai erdhi me bujë si një lojtar i së ardhmes, gjë të cilën e tregoi edhe kontrata katërvjeçare që firmosi.

Sulejmani Alban

Para fillimit të minifazës përgatitore në Ohër, mesfushori 20-vjeçar doli jashtë planeve të stafit. Klubi mendoi që ta huazojë lojtarin, me shpresën që të gjejë një ekip ku të kishte më shumë mundësi për të luajtur dhe për t’u rikthyer sërish. Sulejmani nuk e ka pëlqyer këtë propozim, pasi ka dashur të dalë lojtar i lirë dhe të vendoste vetë për të ardhmen, gjersa nuk ishte më në planet e “demave të kuq”.

Ditë më parë u përfol se mesfushori nga Kumanova mund të rikthehej sërish te Renova, të cilën e la në moshën 18-vjeçare, për t’u transferuar në Poloni te Legia e Varshavës, që asokohe drejtohej nga trajneri Besnik Hasi.

PADREJTËSIA- Në një prononcim për “Panorama Sport”, Sulejmani ka konfirmuar largimin nga Partizani, por nuk kanë munguar edhe pakënaqësitë e tij, pasi pretendon se i është bërë padrejtësi gjatë sezonit të fundit. “Me Partizanin e kam mbyllur përfundimisht dhe tani jam lojtar i lirë dhe vendos vetë për të ardhmen, por mbetem në pritje, pasi klubi donte të më huazonte. Tani që kam marrë dokumentet, e di sesi duhet të veproj dhe çfarë duhet të zgjedh.

Nga Partizani largohem jo i kënaqur, pasi erdha për një projekt afatgjatë, por u përballa me disa padrejtësi. Jam aktivizuar pak, pasi nuk më dhanë mundësitë që meritoja. Ndaj them se më është bërë padrejtësi te Partizani. Nga kush? Padrejtësia nuk ka të bëjë me një individ, por ajo ka qenë në përgjithësi dhe komplekse”, u shpreh fillimisht Alban Sulejmani për “Panorama Sport”.

Pyetjes se, a ka gabuar Partizani me largimin e tij, 20-vjeçari iu përgjigj: “Besoj se koha do ta tregojë se kush ka gabuar dhe kush ka pasur të drejtë në këtë rast. Personalisht kam qenë shumë i rregullt në çdo aspekt ndaj Partizanit. Kam bërë maksimumin dhe jam plotësisht i sigurt dhe besoj se kam merituar më shumë se kaq te Partizani”.

ILIR CARA 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"