Partizani-Dinamo, kur derbi zgjaste 242 minuta dhe Pano u jepte titullin “demave”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 4, 2021 | 18:03

Partizani-Dinamo, kur derbi zgjaste 242 minuta dhe Pano u jepte titullin “demave”

Nga UVIL ZAJMI

Ndonëse kanë kaluar disa dekada, ato ndeshje do të mbeten unike, duke regjistruar kështu përballjet më epokale të një derbi-finale luajtur në Tiranë, në stadiumin “Dinamo” në qershor-korrikun e largët të vitit 1961. Jo vetëm në Shqipëri, por kudo ku mund të hulumtosh në analet e futbollit botëror, nuk e gjen një histori analoge të tillë për titullin kampion si ajo Partizani-Dinamo.

Partizani dinamo

Dy ndeshje, dy barazime, shoqëruar me 5 “extra time” dhe një “Golden Goal”, formulë e panjohur për kohën. Nga golat emocionues të Resmes e Lubonjës në sfidën e parë, tek ai i Panos, i realizuar në minutën e dytë të shtesës së tretë në finalen e dytë. Si i kujtojnë sot ato 242 të minuta të pafundme Bukoviku, Bushati, Duro, Lubonja që bashkë me Vorfin, T. Shehun e Seferin janë në jetë nga ai brez, që i kanë përjetuar “live” në fushë ato emocione.

SA HERË PËRBALLË NË NJË SEZON…

Viti 1961. Në muajin shkurt për Kupën e Kongresit të 4-t të PPSH-së, përballja e parë e vitit: Partizani-Dinamo 3-0, (Resmja 3 gola). 12 prill, java e 8-të, Partizani-Dinamo 3-1 (Bespalla (Dinamo), Bukoviku, Resmja, Jashari). 11 qershor në stadiumin “Dinamo”, ora 17:00, Partizani-Dinamo, i pranishëm në tribunë edhe Enver Hoxha, që pritet me entuziazëm nga 20 000 spektatorët. 2-1 për Dinamon (Lubonja, Jareci, Seferi). Një javë para fundit, Partizani kryeson me 27 pikë, Dinamo 26 dhe 17 Nëntori 20 pikë. Java e fundit, 22 qershor, Dinamo-Labinoti 6-0 dhe një ditë më vonë Partizani-17 Nëntori 2-2(Jashari, Rada, Pano, E. Shehu). Renditja përfundimtare:

Partizani 30 pikë 14/2/2 gol. 46- 13; Dinamo 30 pikë 14/2/2 gol 41-12. Dy të fundit Vllaznia e Tomori me 11 e 10 pikë bien në të Dytën. Shënuesit e golave: Pano (Partizani) 12, Bespalla (Dinamo) 11, Jareci, Lubonja (Dinamo) 9.

“Kampionati i vjetshëm pati një mbyllje origjinale – nuk pati përfundim. Ai nuk mbaroi në afatin e caktuar, sepse pas javës së 18-të në krye të klasifikimit qëndron Partizani dhe në vendin e dytë Dinamo. Të dy ekipet kanë pikë të barabarta (30), me një koeficient pozitiv golaverazhi, pothuaj të barabartë – i pari 3.54 dhe i dyti 3.42. Mirëpo sipas rregullores së brendshme, golat nuk kanë fuqinë të caktojnë fitonjësin e titullit, megjithëse janë ata, golat që japin pikët.

Pra të enjten me 29 qershor, Partizani dhe Dinamo janë para provës përfundimtare, në rast se gjatë lojës ose shtesës së saj 2 x 15 minuta njëra nga skuadrat nuk fiton, fatin e flamurit të kampionatit do ta caktojë një ndeshje tjetër me shtesat e saj eventuale”, shkruan “Sporti”, që jep edhe njoftimin: “Nesër: Dinamo e Partizani do të ndeshen edhe një herë për titullin kampion”.

Foto logo

KUR NJË SHEKULL MË PARË MAZREKU IDEONTE SHTESËN E TRETË DHE “GOLDEN GOAL”-IN…

Kampionati i vitit 1961 u zhvillua në periudhën mars-qershor dhe morën pjesë 10 skuadra. Një sezon që do të ketë një fund krejt ndryshe: për herë të parë dy ndeshje finale; për herë të parë një pjesë e tretë “extra time” dhe për herë të parë “Golden Goal”, pra kur ndeshja do të ndërpritet menjëherë, në rast se njëra nga skuadrat do të shënojë.

Të gjitha pjesë e një rregulloreje shumë moderne e praktike për futbollin shqiptar, të përshtatur me aktivitete për kohën, ideuar nga një strateg i përmasave gjigante, si Anton Mazreku, asokohe drejtues federate. Jo kampion me përpjesëtim të golave, por ndeshje finale kur dy skuadra kanë pikë të barabarta në fund të sezonit. Nëse edhe ndeshja e dytë bashkë me shtesën 2 x 15 minuta do të mbyllet në barazim, atëherë do të luhet shtesa e tretë gjithashtu 2 x 15 minuta.

Nëse nuk ka ndryshim rezultati, do të hidhet shorti për ekipin fitues. Bashkë me Mazrekun, pa harruar firmat e njohura të mikrofonit Bellova e Këlliçi, ikonat që kanë transmetuar në valët e radio “Tiranës”, kur nga stadiumi “Dinamo” me zërat e tyre kanë informuar shqiptarët se Resmja ka shënuar për Partizanin dhe ende pa ndalur frymën, Lubonja ka barazuar për Dinamon, bashkë me “Golden Goal”-in e Panos në ndeshjen e dytë. Me ta, të pandarë në median sportive të kohës, të zakonshmit fotografë E. Shabani e P. Kumi, që kanë fiksuar disa nga momentet e takimit.

pjimage (1)

NDESHJA E PARË, TIRANË, E ENJTE 29 QERSHOR 1961, STADIUMI “DINAMO”

Dinamo-Partizani 1-1

DINAMO: Qoshja, Çaushi, Halili, Alluni, H. Verria, N. Jareci, Vorfi, Bespalla, Bushati, Lubonja, Duro. Trajner: Zyber Konçi.

PARTIZANI: Maliqati, Deliallisi, Papadhopulli, Dingu, M. Ndini, Merja, Kraja, Bukoviku, Pano, Resmja, Jashari. Trajner: Rexhep Spahiu.

Golat: Resmja 117’ / Lubonja 118’.

Gjyqtarë: B. Hamdiu, A. Lika, H. Cenoymeri.

Kornet: 10-7 në favor të Dinamos. Zëvendësimet:

Pjesa e dytë: S. Jareci në vend të M. Bushatit dhe T. Shehu në vend të Krajës.

Spektatorë: 20 000.

Duke iu referuar gazetës “Sporti” të datës 5 korrik, me autor Skënder Dedjen, lexojmë: “Ajo që ndodhi më 29 dhe 2 korrik në stadiumin ‘Dinamo’ midis Partizanit dhe Dinamos, ishte jo vetëm një betejë e vërtetë, por edhe një rast i paparë, që zor mund të shihet përsëri në luftën për titullin kampion.

Kronika: Partizani zgjedh fushën, Dinamo topin. Faull për Dinamon, gjuan Bespalla, topi kalon mbi shtyllë. Minuta e 4-t, korne për Partizanin, godet Kraja. Topi kalon para portës së Qoshes, nuk shfrytëzohet nga lojtarët. 11’, kemi një gjuajtje të Resmes, jashtë. Alluni pason për Bushatin që humb një rast të favorshëm. Humbasin raste Bespalla dhe Resmja, që godet shtyllën e Qoshes. Partizani ka epërsi edhe në të dytën, kombinojnë mirë Pano me Resmen, që e detyrojnë Qoshen të pengojë tentativat e tyre të shënojnë. Në 32’, Resmja gjuan me mjeshtëri në formë roveshate që u duartrokit me të drejtë. 39’, Resmja humbet një rast duke e kaluar topin sipër portierit.

Luhen 30 minuta shtesë. Kur kanë mbetur edhe tre minuta lojë, pikërisht në minutën e 117-të, Resmja merr një top nga thellësia, avancon në drejtim të portës së Qoshes dhe pasi afrohet edhe më afër, e përfundon topin në rrjetë. Por, në kohën kur nuk ishte shuar akoma, entuziazëm i skuadrës së Partizanit dhe i vetë lojtarëve. Në 118’, Lubonja ndërmerr një aksion individual dhe shënon golin e barazimit.

Në pjesën e parë Partizani aplikoi 1-4-2-4. Maliqati u paraqit mirë dhe treshja Deliallisi, Papadhopulli-Dingu u përqendrua më shumë në shkatërrimin e sulmeve të kundërshtarit. Sulmonjësit Kraja, Pano, Resmja dhe Jashari gjatë pjesës së dytë e përmirësuan lojën. Resmja u paraqit në gjendje të mirë sportive. Futbollistët e Dinamos, me gjithë mobilizimin gjatë gjithë lojës nuk ishin në nivelin e ndeshjeve të fundit.

Portieri Qoshja u paraqit në gjendje të mirë. Treshja e mbrojtjes nuk u paraqit në lartësinë e duhur, ndonëse i ra një peshë e rëndë dhe për këtë arsye ishte reparti më i mirë i Dinamos. Ra në sy mungesa e mbështetjes së sulmit me VorfiBespalla – Bushati – Lubonja dhe Duro, nuk ishin ata të ndeshjeve të fundit. Atyre u mungoi saktësia në pasime dhe gjuajtje. Gjykimi i ndeshjes nga B. Hamdiu dhe ndihmësit e tij ishte i mirë”, e mbyll “Sporti”.

Ndeshja e dytë, Tiranë, e diel 2 korrik 1961, ora 17:00, stadiumi “Dinamo”

FINALJA E DYTË, FATALE MINUTA E 122-TË

Partizani-Dinamo 1-0

PARTIZANI: Maliqati, Deliallisi, Papadhopulli, Dingu, Ndini, Merja, Kraja, Bukoviku, Pano, T. Shehu, S. Seferaj. Trajner: Rexhep Spahiu.

DINAMO: Qoshja, Çaushi, Halili, Alluni, H. Verria, S. Jareci, Vorfi, Bespalla, Bushati, Lubonja, Duro. Trajner: Zyber Konçi.

Goli: Pano 122’.

Gjyqtarë: H. Hysenaj, Sh. Gruda dhe M. Tiko.

Kornet: 5-2 në favor të Partizanit.

Spektatorë: 15 000.

Vapë e madhe, interesim i madh. Ora 17:00, kur arbitri tiranas Hysenaj jep shenjë për fillimin e lojës. Janë thuajse ata lojtarë, ndonëse te Partizani në gjendje jo të mirë shëndetësore, nuk luan Resmja, i cili qëndron i ulur në stol. Shkruan “Sporti”:

“10’, Bushati ia kalon topin Jarecit, i cili gjuan jashtë me kokë. Rasti më i mirë për Dinamon paraqitet në minutën e 20-të, që nuk shfrytëzohet nga ana e Bushatit. Nga minuta 20’-25’, loja është e ekuilibruar. Në minutën e 25-të dhe 28-të, në fillim Pano e pastaj Seferaj gjuajnë jashtë.

Pas minutës së 29-të, Dinamo rrezikon dendur, por në të 44’ Pano humbet një rast shumë të mirë për të shënuar. Gjatë 90 minutave, loja e Dinamos ka qenë e qartë. Ajo u lidh mirë dhe sulmonjësit e saj zbritën rrezikshëm në portën e Maliqatit. Mjaft mirë e kreu detyrën e tij qendërmbrojtësi S. Halili në shpartallimin e sulmeve kundërshtare. Partizani u tregua më agresiv, por pa mundur të konkludojë. Loja zgjati edhe 2 x 15 minuta.

Gjatë kësaj kohe, sidomos në shtesën e dytë, Dinamo krijoi superioritet. Të 30 minutat kalojnë pa shënuar asnjëra. Loja zgjatet edhe 15 minuta të tjera. Tani kush do të shënojë e para fiton titullin. Jemi në minutën e 122-të, Partizani zbret nga krahu i majtë, ku Pano me zgjuarsi gjuan fort dhe bukur, shënon gol dhe ngre peshë tifozerinë. Arbitri Hysenaj ndal lojën dhe sipas rregullores sinjalizon përfundimin e saj. Partizani është kampion.

Ndryshe nga ndeshja e 29 qershorit, Dinamo ishte më afër fitores për rimbajtjen e titullit, sepse luajti më mirë se Partizani, por nuk e gjeti rrugën e rrjetës. Para tribunës qendrore, shoku A. Kazanxhiu, anëtar i KQ Vullnetar të Futbollit, e deklaron të mbyllur kampionatin dhe i dorëzon ekipit të parë dhe rezervave të Partizanit flamurët, medaljet e kampionit së bashku me diplomat e fletë lavdërime për futbollistët e Dinamos që zunë vendin e dytë”.

FINALET HISTORIKE PËR TITULLIN KAMPION

E para i takon sezonit 1957 (8 skuadra), fund kampionati Partizani-Dinamo me pikë të barabarta 23, nuk merret parasysh golavarazhi (30- 8) Dinamo dhe (37-10) Partizani dhe as koeficienti me pjesëtim të golave, por do të luhet ndeshje finale. Fiton Partizani 3-1 (golat: Jareci, Merja, Kraja, R. Haxhiu).

Sezoni 1961, Partizani-Dinamo me 30 pikë dhe për titullin kampion do të luhet takimi final. I pari, 29 qershor në stadiumin “Dinamo”, 1-1 pas 120’ lojë (golat: Resmja, Lubonja); I dyti, 2 korrik, Partizani-Dinamo 1-0 (goli: Pano 122’). Ky gol i fitores vjen vetëm 2 minuta pasi ka filluar shtesa e tretë. Loja ndalon dhe Partizani me “Golden Goal” shpallet kampion. Sezoni 1965-1966 dhe fundi i kampionatit i gjen dy skuadrat në kuotë të barabartë me 38 pikë. Rregullorja e FSHF-së ka përcaktuar ndeshje finale, e treta pas 1957, 1961.

Në “Qemal Stafa” më 12 qershor 1966, ora 16:00, 17 Nëntori mund 2-1 Partizanin me gola të Kazanxhiut 51’, Ishkës 60’ dhe Jasharit, duke u shpallur kampion për të dytin vit radhazi. Edicionin 1999-2000, SK Tirana dhe Tomori e përfundojnë në kuotën e 52 pikëve dhe finale në Elbasan (rregullorja e atij kampionati nuk e parashikonte fituesin me golaverazh). 90 minuta të rivalizuara deri në fund dhe 1-1 (Rizvanolli 57’, Dede (a) 88’). Shtesë 2 x 15. Më pas penalltitë 5-4 për SK Tiranën, që shpallet kampione.

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.

LEXO EDHE: 

60 vite nga derbi më i famshëm Partizani-Dinamo që zgjati 242 minuta, Mehdi Bushati: Humbëm, por goli i Panos na “justifikoi”

Kur derbi Partizani-Dianamo zgjaste 242 minuta/ Flet Stavri Lubonja: Resmes i ra të fikët, nuk e priste atë barazim dramatik

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"