Partizani blindon yjet, ja lojtarët që nuk lëvizin nga skuadra

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 27, 2016 | 14:55

Partizani blindon yjet, ja lojtarët që nuk lëvizin nga skuadra

Partizani e mbylli javën e 31-të me një fitore të madhe në Kukës, sukses i cili i mban të karikuar në betejën dyshe me Skënderbeun për fitimin e titullit. partizaniNdonëse kanë mbetur edhe 5 ndeshje për t’u luajtur, drejtuesit e kuq paralelisht kanë nisur punën edhe për sezonin e ri, që fillon në korrik me pjesëmarrjen në Kupat e Europës.

Mësohet se prej disa javësh drejtuesit i kanë ofruar rinovimin e kontratës sulmuesit Xhevahir Sukaj, i cili në fillim të sezonit nënshkroi kontratë njëvjeçare me “demat”. Palët ende nuk janë ulur për të vënë pikat mbi “i”, por gjasat janë që bashkëpunimi të vijojë.

Sukajn nga Partizani mund ta largojë vetëm ndonjë ofertë e majme nga jashtë vendit, pasi në Shqipëri shkodrani duket se ka rilindur me fanellën e kuqe. Për të mësuar diçka më shumë rreth këtij lajmi “Panorama Sport” kërkoi një sqarim nga drejtori i përgjithshëm i Partizanit, Dritan Dervishi.

Në përgjigjen e tij drejtori nuk ka sqaruar vetëm të ardhmen e Sukajt te Partizani, por edhe të lojtarëve të tjerë që, sipas tij, janë heronj. Përpos sulmuesit, drejtori pohoi se pjesë e skuadrës do të mbeten edhe ata që po japin kontribut maksimal, ku përfshihen edhe prurjet e janarit si Torasa, Vila, Filipe etj.

Gjithsesi, klubi nuk do të bëhet pengesë në rast se lojtarët do të kenë ndonjë ofertë, ku mund të afirmohen jashtë vendit. “E kemi thënë prej kohësh se ne jemi të fokusuar te pjesa e fundit e sezonit dhe jo te merkatoja. Synimi ynë mbetet fitimi i titullit dhe pas fitores në Kukës gjërat janë në rrugën e duhur.

Për momentin jemi të fokusuar vetëm te ndeshja me Tërbunin, takim i cili kërkon vlerësim maksimal. Për sa i përket pyetjes që më bëtë për rinovimin e kontratës së Xhevahir Sukajt, mund t’u them se sa të jem unë drejtor i skuadrës dhe Gaz Demi president, sulmuesi nuk lëviz nga Partizani.

Qëllimi ynë është që të forcojmë ekipin, jo të largojmë lojtarët më të mirë. Mund t’u them që, përveç Sukajt, ne do të blindojmë edhe heronjtë e tjerë që po kontribuojnë për ekipin.

Madje në këtë mes përfshij edhe lojtarët që erdhën në janar me kontrata afatshkurtër, si Torasa etj. Në Shqipëri asnjë ekip nuk mund të na marrë lojtarë, por ata mund të na largohen vetëm nëse kanë ndonjë ofertë të mirë nga jashtë. Në asnjë rast nuk do të bëhemi pengesë për ofertat që lojtarët të promovohen në ekipe dhe kampionate më të forta jashtë vendit”, u shpreh drejtori i të kuqve

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"