Partizani bie në Lushnjë, “tradhton” mbrojtja e kuqe. Ka përplasje tifozësh pas ndeshjes

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 20, 2013 | 11:19

Partizani bie në Lushnjë, “tradhton” mbrojtja e kuqe. Ka përplasje tifozësh pas ndeshjes

Lushnja-Partizani 2-0LUSHNJA-PARTIZANI 2-0
GOLAT: Trashi 47′, Korreshi 59′
LUSHNJA: Spaho, Bjelkanoviç, Bizhyti, Ndoni (Sula 46′), Gjyla, Topi, Trashi (Bakiasi 67′), Mihani, Korreshi, Çela, Canka (Metushi 89′). Trajner: Artan Bano
PARTIZANI: A.Hoxha, B.Krasniqi, Ibrahimi, Udoh, Demiri, G.Krasniqi, Buac (Thana 46′), Musta, Hyshmeri (Lala 70′), Mazrekaj, Mitraj (Malo 61). Trajner: Hasan Lika
KARTONË TË VERDHË: Mihani 17′, Gjyla 29′, Çela 45′, Trashi 53′, Bizhyti 78’/ Buac 29′, Thana 51′
VËZHGUES: Astrit Cani
DELEGAT: Bujar Pregja
GJYQTARET: Ditmar Jubica/ D.Salaj dhe M.Dervishi (Shkodër)

MINUTAT
7′ Çela në hyrje të zonës gjuan, pret portieri Alban Hoxha.
8′ Rrëmujë në zonë, gjuan Canka, pret Hoxha.
14′ Mazrekaj në zonë për Buac, i cili gjuan me kokë, pret Spaho.
37′ Kombinim i bukur, Korreshi pason te Çela, ky i fundit i jep një asist për mesfushorin, i cili gjuan jashtë.
42′ Trashi harkon në zonë, aty Hoxha në dalje gabon dhe topi endet në zonë, por si Canka e Topi nuk kuptohen e ndaj G.Krasinqi nxjerr topin jashtë zone.
47′ Aksion i Lushnjës, Çela pason për te Trashi, i cili në hyrje të zonës, në prani të tre mbrojtësve të Partizanit, e nxjerr topin në krahun e majtë, gjuan dhe 1-0.
59′ Çela në hyrje të zonës, pasi driblon bukur Ibrahimin, gjuan dhe topi ndalet nga Udoh, por Korreshi, i cili ndjek aksionin, gjuan dhe shënon golin e 2-të.
67′ Gjuan Udoh nga jashtë zone, grushton Spaho.
71′ Ibrahimi gabon dhe topi kapet nga Canka, i cili në hyrje të zonës gjuan jashtë.
88′ Canka bën gjithçka mirë në zonë teksa “vallëzon” mes mbrojtësve, por gjuajtja në fund kapet nga Hoxha.

Lushnja kthehet te fitorja në mënyrën më të mirë, duke mundur Partizanin në “Roza Haxhiu”. Një takim që ishte vlerësuar shumë nga verdhejeshilët, por edhe nga të kuqtë, të cilët kërkonin që të arrinin vendin e parë duke marrë tri pikët. Një ndeshje që pati shumë adrenalinë, teksa lojtarët fituan në fushën e lojës, kurse tifozët fituan jashtë saj, duke qenë si asnjëherë tjetër në stadium për të mbështetur ekipin e tyre. Lushnja, e cila kishte katër javë që nuk e njihte shijen e fitores, vinte në këtë përballje vetëm me një objektiv: marrjen e trepikëshit. Stafi teknik gjatë këtyre dy javëve kishte punuar me futbollistët, ndaj pritej që ata të jepnin më të mirën në fushën e lojës. Në ana tjetër, Partizani vinte pas fitores së shumëdiskutuar në derbin me Tiranën, ku goli i vetëm i Demirit do të shtonte tri pikë të tjera në llogarinë e skuadrës së Likës. Trashi, në minutën e 47-të dhe Korreshi në të 59-ën minutë përligjën mundin dhe djersën e lagunarëve, të cilët zhvilluan një pjesë të parë loje jo të mirë, por në të dytën e vunë “me shpatulla për muri” formacionin e kuq të Hasan Likës. Kësisoj, të kuqtë mbeten në kuotën e 14 pikëve, ndërsa Lushnja ngjitet në kuotën e 11 pikëve. Rezultati do të kishte qenë edhe më i thellë, por sulmuesi i vendësve, Canka, humbi disa raste të pastra për shënim.
Takimi – Lushnja e Partizani në një duel që vlente shumë, por në fund ishin lushnjarët ata që dolën kryelartë nga fusha e lojës. Është ekipi i Lushnjës që bën presion që në fillim të takimit, teksa mesfusha lëviz shumë mirë e krijon presion te porta mike. Në minutën e 7-të dhe 8-të do të kemi dy aksione të Lushnjës, në të cilat Çela gjuan, por pret Hoxha. Edhe Canka bën të njëjtën gjë, por sërish kundërpërgjigjet portieri. Loja luhet më shumë në mesfushë, ku ekipet përqendrojnë më shumë lojën e tyre e aksioni i parë i Partizanit do të ishte në minutën e 14-të, kur Mazrekaj do të lëshonte një top për Buac, i cili gjuan me kokë, por pret Spaho. Do të ishin minuta të tëra që loja do të luhej në mesfushë, si dhe me dyluftime të forta, pasi ekipet kërkonin që të mos pësonin në portat e tyre. Do të vinte minuta e 37-të e takimit, kur pas një kombinimi të bukur Çela-Korreshi, ky i fundit, edhe pse i vetëm përballë Hoxhës, gjuan jashtë. Ky rast duket se i jep më shumë zemër Lushnjës që, duke pasur edhe mbështetjen e tifozëve, do të krijojë edhe një rast të artë, kur Trashi hedh një top të bukur në zonë e Hoxha gabon në dalje, por nuk kuptohen si Canka e Topi, që ja lënë njëri-tjetrit topin.
Golat – Në pjesën e dytë do të vinin që të dy golat, njëri më i bukur se tjetri, por edhe shumë raste, që nëse do të ishin shfrytëzuar si duhet nga lojtarët e Lushnjës, Partizani do të kishte dalë i turpëruar nga fusha e lojës. Loja nis me gol për ekipin e Lushnjës, kur Çela jep një top për Trashin në hyrje të zonës, i cili, edhe pse mes 3 mbrojtësve të kuq, lëviz mirë e gjuan me të majtën dhe shënon golin e parë të takimit. Ka festë të madhe në stadium, si dhe në stol, ndërsa ekipi i Partizanit duke i tulatur nga goli. Loja ecën, por “demat” janë të përgjumur. Në të 59-ën minutë do të kemi një lëvizje të bukur të Çelës në hyrje të zonës, teksa i lë “targën” Ibrahimit, gjuan, por topi edhe pse kalon Hoxhën nuk kalon Udoh, i cili sërish largon nga vija fatale dhe topi shkon te Korreshi. Ky i fundit shënon golin e dytë. Duket se ky gol mposht që të gjitha fuqitë e Partizanit, që tashmë karikon djemtë e Lushnjës, të cilët për 30 minuta mund të bëjnë ç’të duan me një ekip që nuk kishte më as fuqi, as mendje për të reaguar.

MË I MIRI
Padyshim që më të mirët në fushë ishin dy autorët e golave, Trashi dhe Korreshi, të cilët veç shënjestrave të realizuara krijuan edhe një volum të madh loje në mesfushë, duke neutralizuar shumë sulme të të kuqve. Por nuk mund të lëmë pa përmendur edhe Mihanin në mesfushë e po kështu edhe kroatin Bjelkanoviç në mbrojtje, i cili i fitoi të gjitha dyluftimet ndaj çdo lojtari të Partizanit.

MË PAK AKTIVI
Një Partizan krejt tjetër krahasuar me derbin. Dhe ata që gabojnë janë pikërisht ata që kanë mbajtur peshën e kësaj skuadre gjatë këtyre javëve kampionat: qendërmbrojtësit. Gëzim Krasniqi dhe Labinot Ibrahimi ishin më të dobëtit në fushë, kjo nisur edhe nga gafat që bënë në të dy golat e pësuar nga Partizani. Në hije ishin edhe Mazrekaj e Mitraj.

Përplasje mes tifozëve, incidente pas ndeshjes
Ishin sërish ata që dhuruan spektakël në shkallët e stadiumit, tifozët e Lushnjës. Në këtë takim numëroheshim më shumë se shtatë mijë të tillë, që për asnjë moment nuk reshtën së mbështeturi ekipin e tyre. Dhe slogani i kësaj sfide ishin parullat pikante dhe thirrjet e ndërsjella mes tifozëve, ku nuk munguan edhe ofendimet e shumta. Sa i përket tifozëve të Partizanit ishin të paktë, rreth njëqind të tillë, ata më besnikët, të cilët në fund mbetën të zhgënjyer nga humbja. Pas përfundimit të ndeshjes, mes tifozërive pati edhe shkëmbime sharjesh, të cilat për pak sa nuk përfunduan në konfrontime fizike. Madje, pati tek-tuk edhe ndonjë send të fortë të hedhur në drejtim të tifozëve kundërshtarë, por ndërhyrja e Policisë së Shtetit bëri që të gjitha këto incidente të vogla të mos degjeneronin në dhunë. Policia, për t’u siguruar që nuk do kishte përplasje edhe në rrugët e qytetit, më së pari është siguruar që të gjithë tifozët e Lushnjës u larguan në drejtime të ndryshme dhe më pas lejuan që mbështetësit e Partizanit të merrnin rrugën drejt kryeqytetit. Kujtojmë se gjithë kjo problematikë u vërejt edhe nga vëzhguesi dhe delegati i ndeshjes, ndaj me gjasa mund të merret në shqyrtim nga Komisioni i Disiplinës.

Lushnja-Partizani 2-0, Artan Bano ne plan te pareBano: Ishim racionalë, më vjen keq që s’shënoi Canka
Artan Bano, numri një i pankinës së Lushnjës, pas përfundimit të takimit u shpreh mjaft i kënaqur për fitoren e të tijve përballë Partizanit. Ai pohoi se skuadra ka bërë një ndeshje mjaft të bukur, duke qenë racionale në fushën e lojës. “Kemi bërë një ndeshje shumë të mirë. Ndryshe nga ndeshjet e kaluara, ne kemi qenë shumë më racionalë në fushën e lojës, teksa lojtarët nga dëshira dhanë maksimumin, por nga minuta e 60-të apo e 65-të treguan shenja lodhje. Gjithsesi, arritëm të merrnim 3 pikët. Gjatë gjithë 90 minutave ne kemi qenë të kujdesshëm, duke mos u lënë asnjë hapësirë kundërshtarit, i cili duhet thënë se nuk na vuri asnjëherë në vështirësi. Kjo, pasi ne vendosëm ‘mur’. Golat erdhën si pasojë e aksioneve dhe jo rasteve sporadike, madje mund të them që ne mund të kishim shënuar edhe një gol të tretë, por edhe një të katërt, pasi kemi humbur shumë raste. Ajo për të cilën më vjen shumë keq, është që nuk shënoi Canka, në mënyrë që të zhbllokohej edhe ai. Tani ne jemi më të qetë, edhe unë besoj se skuadra i ka të gjitha mundësitë për të vazhduar këtë rrugë edhe në takimet e ardhshme”, – u shpreh trajneri Bano. I pyetur se cila ishte “arma” më e fortë e Lushnjës në këtë duel, ai u përgjigj: “Unë them se të gjithë lojtarët pa përjashtim, madje nëse ne do të kishim edhe një president që kanë që të gjitha ekipet e tjera, kjo skuadër sot do të kishte edhe më shumë pikë. Gara do të jetë e fortë këtë sezon futbollistik, pasi dalin katër ekipe nga Superiorja, por mendoj se ne do të bëjmë më të mirën dhe do t’ia dalim mbanë”, – ka përfunduar trajneri i Lushnjës, Artan Bano.

Trashi ka dedikim të veçantë, Korreshi: E parandieja golin
Lorenc Trashi padyshim është një bast i fituar nga trajneri Artan Bano, i cili e mori nga Gramshi duke e aktivizuar si titullar te Lushnja. Por Trashi e ka justifikuar më së miri besimin e dhënë prej teknikut, pasi ka arritur të shënojë një gol me vlerën e 3 pikëve në takimin e javës së parë ndaj Kukësit, si edhe dje ndaj Partizanit, ku ka hapur siparin e golave. “Jam i kënaqur për këtë gol që i lehtësoi edhe më shumë gjërat për ne në fushën e lojës. Jemi duke zhvilluar një kampionat mjaft të mirë dhe, me thënë të drejtën, nga java në javë jemi duke u rritur në lojën tonë. Takimin ndaj Partizanit e kishim vlerësuar shumë, pasi e dinim që përballë do të kishim një kundërshtar të fortë. Por ne fituam, sepse jemi më të mirët. Këtë gol dua t’ia dedikoj një skuadre futbolli kalçetoje me emrin ‘Çkemi’. Falënderoj edhe të gjithë tifozët e Lushnjës, të cilët na mbështetën”. Kurse mesfushori i Lushnjës, Erlind Korreshi, ai që vulosi fitoren, pas përfundimit të ndeshjes u shpreh se e kishte parandier që një ditë më parë se do t’u shënonte të kuqve. “E kisha parandier se do të shënoja në këtë takim dhe jam shumë i kënaqur që e arrita një gjë të tillë. Këtë gol ua kisha premtuar dajave të mi dhe e mbajta premtimin, kështu që ua dedikoj atyre, por edhe tifozëve të shumtë që na mbështetën. E mendonim si më të vështirë këtë përballje, por them se na u bë shumë e lehtë, madje më vjen keq që nuk realizuam më shumë gola, pasi i kishim të gjitha mundësitë”, – ka përfunduar Korreshi.
ARMAND NEZHA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"