Partizani akuzon: Kukësi u favorizua nga Meta, 15 raste për karton të zi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 30, 2017 | 10:42

Partizani akuzon: Kukësi u favorizua nga Meta, 15 raste për karton të zi

Klubi i Partizanit akuzon sërish gjyqtarin Kridens Meta se po favorizon rivalin e të kuqve për titullin kampion, Kukësin. Meta ishte kryesor në takimin e djeshëm në stadiumin “Zeqir Ymeri”, ndërsa pati disa raste të diskutueshme, të cilat mund të vendosnin 90-minutëshin. Në një reagim për “Panorama Sport”, drejtori sportiv i klubit të kuq, Edmond Haxhia, flet ashpër për situatën rreth gjykimit, duke marrë shkas nga ndeshja Kukësi-Laçi.

meta

“Mund të them se ka pasur 15 raste të futbollistëve të Kukësit që ishin për kartonë të zi, jo më për të kuq, por gjyqtari Meta nuk i ndëshkoi. Në veçanti ishte rasti i Musollit, që goditi kundërshtarin me bërryl, por arbitri e mbrojti në mënyrë që ai të jetë gati për ndeshjen e radhës ndaj Partizanit. Dhe të mendosh që Duka do arbitra shqiptarë për Partizani-Kukësi…”, është shprehur i irrituar zyrtari i lartë i klubit të kuq.

Ndërkohë, “demave” nuk u del inati me gjyqtarin Meta, për shkak se ky i fundit nuk akordoi dy 11-metërsha në ndeshjen Vllaznia-Partizani 1-1. Rastet u diskutuan nga moviolistët Albano Janku, Bujar Pregja dhe Sokol Jareci, që janë njëkohësisht zyrtarë të lartë të sektorit të gjykimit, teksa u cilësuan si penallti që duheshin dhënë në favor të Partizanit.

Pak ditë më parë, në një bisedë për gazetën, trajneri i të kuqve, Sulejman Starova, e cilësoi si kamikaz arbitrin e kolegjiumit të Tiranës. Teksa i përgjigjet një deklarate të Agustin Kolës, i cili thoshte se Starovës kërkojnë t’ia dhurojnë titullin, “Bobi” shprehej:

“Kur kam thënë se jemi të vetëm në këtë garë, e kam pasur fjalën që jemi skuadra më e persekutuar. Iu referova rastit në Shkodër, ku na dënoi ‘kamikazi’ Kridens Meta. Në raport me kundërshtarët direkt jemi ekipi më i penalizuar. Turpi i mbetet FSHF-së”. Mbetet për t’u parë tashmë se kush do të arbitrojë kryendeshjen Partizani-Kukësi që do të luhet të premten, në “Selman Stërmasi”.

ILIR CARA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"