“Partizan, të mundim”, trajneri Memelli: Kam 4 sulmues që mund të luajnë titullarë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 18, 2021 | 8:47

“Partizan, të mundim”, trajneri Memelli: Kam 4 sulmues që mund të luajnë titullarë

Pas humbjes në javën e parë kundër Tiranës, Skënderbeu do të kërkojë revanshin përballë Partizanit. Në ndeshjen që do të luhet ditën e shtunë, Memelli edhe pse pranon vështirësinë që ka ky takim, kërkon të marrë më të mirën e mundshme dhe për këtë motivon ekipin për të dhënë gjithçka në fushë. Nga ana tjetër, kryepankina korçare ka folur edhe për sistemin e lojës dhe cilësitë që ka në skuadër.

Memelli Lici

Pas humbjes me Tiranën tashmë keni ndeshjen me Partizanin. Sa e vështirë është kjo sfidë?

Është jashtëzakonisht e vështirë duke parë edhe cilësitë që ka Partizani në grup në raport me të tjera ekipe të Superligës. Edhe pse ka humbur ndeshjen e parë me kampionen në fuqi, Teutën, kjo nuk e bën Partizanin një skuadër më të dobët, por përkundrazi historia ka treguar se këto skuadra në një moment apo në një tjetër japin dyfishin e mundësive të veta për ta arritur objektivat e tyre. Kështu që, e parë në këtë këndvështrim, presim një ndeshje të fortë.

Si vjen Skënderbeu përballë këtij Partizani?

Duke pasur parasysh ato që thashë më sipër, mund të them se jemi përgatitur goxha mirë këtë javë dhe skuadrën e kam parë me impenjim maksimal, pavarësisht se vinim nga një humbje kundër Tiranës.

Duke u ndalur këtu, faktorët ishin ata që ndikuan te ky rezultat?

Pa dyshim, faktorët ndikuan pasi ishin kushtet e barabarta dhe ne treguam shumëçka. Por dalja me kartonin e kuq të Zguros kompromentoi rrjedhën e takimit. Por është e kotë t’i rikthehemi edhe një herë atij takimi. Kemi një ndeshje shumë të rëndësishme për të luajtur, prandaj duhet të fokusohemi më shumë te kjo ndeshje. Jemi të bindur që do të bëjmë më të mirën si një skuadër e barabartë.

Duke parë Skënderbeun në vitin e kaluar dhe në ndeshjen e parë duket si i njëjti rreshtim. Kjo do të thotë se Skënderbeu do të luftojë sërish për mbijetesë?

Për sa i përket skemës, nuk ndryshojmë dot pasi çdo skemë përshtatet në bazë të organikës dhe cilësive që ke në ekip. Moduli është i ndërtuar në sajë të cilësive, ndaj edhe për këtë nuk mund të lëvizim. Por, edhe për faktin që ekipi është ambientuar dhe bën mirë me fushën e lojës. Për sa i përket mbijetesës, unë mendoj që ne do të fillojmë atje ku e lamë vjet, pa menduar se çfarë do të bëhet në fundin e sezonit.

Mensah dhe Bismark a mund të luajnë bashkë?

Këtu ka një problem, nuk i keni parë bashkë se Mensah erdhi vonë në ekip. Ka vetëm 22 ditë në skuadër së bashku me Randin dhe po punojnë me dy seanca në ditë. Janë katër lojtarë që kërkojnë të luajnë si titullarë në sulm dhe unë mendoj se të katërt mund të luajnë bashkë. Por do të jetë seanca e fundit ajo që do të tregojë se cilët e nisin nga minuta e parë.

Problemi mbetet zëvendësimi i Zguros?

Është diçka që duhet ta mendojmë. Kemi disa alternativa. Vrapi mund të luajë atje, Sadriu dhe Berisha po ashtu. Do shohim për të bërë më të mirën.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"