Paris 1956-2022, Reali luan finalen ndaj Liverpulit në vendin ku nisi mbretërimin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 28, 2022 | 15:32

Paris 1956-2022, Reali luan finalen ndaj Liverpulit në vendin ku nisi mbretërimin

Në prill të vitit 1955, Santiago Bernabeu së bashku me nismëtarë të tjerë u mblodhën në Paris për t’i dhënë udhë Kupës së Kampioneve, sot Liga e Kampioneve, kompeticioni më i rëndësishëm në nivel klubesh në Europë. Pak muaj më vonë nga data e themelimit do të niste dhe edicioni i parë, që do të përfundonte me finalen e madhe në Paris mes Realit të Madridit dhe Reimsit të Francës.

REAL MADRID 1

Ishte 13 qershori 1956, kur Reali triumfonte 4-3, që do të përkonte dhe me lindjen e një perandorie në futbollin europian. Një histori që niste në qytetin e Mbretit Diell (Mbreti Luigji XIV), në qytetin e Revolucionit të vitit 1789, qytetit të Napoleonit. Pikërisht në këtë qytet lindte dhe një tjetër perandori, ajo e futbollit europian, ndryshe Reali i Madridit. Sot, pak a shumë rreth 15 kilometra larg “Parc des Princes”, aty ku Reali fitoi titullin e parë, në “Saint Denis” do të kërkojë trofeun e 14-të.

LEGJENDAT PËRBALLË

Finalja e parë në Ligën e Kampioneve shihte përballë Realin e Madridit dhe francezët e Reimsit. Ajo përballje ishte diçka më shumë se Real-Reims, ishte dhe një përballje individuale. Nga njëra anë ishte legjenda e Reimsit dhe Francës, Raimond Kopa. Nga ana tjetër ishte legjenda e Realit të Madridit, Alfredo di Stefano, të njohur ndryshe si “Zjarri i çmendur francez” dhe “Shigjeta bionde e Madridit”.

BILETAT FALSE

Këto ditë që u kanë paraprirë tri finaleve të kupave të Europës, përfshirë atë në kryeqytetin tonë në Ligën e Konferencës mes Romës e Fejnordit, biletat kanë qenë në qendër të vëmendjes. Por me sa duket rrënjët e problemeve janë shumë larg në histori. Shembulli vjen nga finalja e parë e Kupës së Kampioneve në vitin 1956. Kërkesat për bileta në atë finale mes Realit e Reimsit ishin të çmendura. Shumë persona ranë në grackën e falsifikatorëve, duke blejë thjesht copa letre më të cilat nuk mund të futeshe dot në “Parc des Princes”, arena e finales.

ÇËSHTJA “ATIENZA”

Finalja nuk kaloi pa polemika. Shtypi francez kërkonte që Atienza të mos luante, me mbrojtësin e Realit që katër ditë më parë në gjysmëfinalen kundër Atletikos ishte përjashtuar nga fusha. Për të evituar konfuzionin, federata spanjolle vendosi të mos e dënojë mbrojtësin. Kështu, ai zbriti në fushë rregullisht, pavarësisht protestave të francezëve.

NDESHJE E MADHE DHE NDRYSHIMI I TOPIT

Finalja e parë në historinë e Kupës së Kampioneve ishte me të vërtetë një festival futbolli, ishte një reklamë për futbollin, një ndeshje spektakolare. Që për Realin e Madridit ishte dhe guri i themelit të një perandorie të gjallë që kujtohet edhe sot, 66 vjet më vonë. Nisja ishte një ortek i kampionëve të Francës. Në minutën e 10-të rezultati ishte 2-0. Më pas, kur u ndezën dritat e stadiumit, topi i errët u ndryshua me një të bardhë. Me Munjozin në krye në mesfushë, Madridi reagoi, kontrolloi kundërsulmet e rivalëve dhe barazoi falë golave të Di Stefanos dhe Realit. Beteja ishte e jashtëzakonshme, pa pushim.

Hidalgo kaloi sërish në epërsi francezët në fillimin e pjesës së dytë, por Madridi nuk u shemb. Markitos barazoi shifrat në 3-3 pas një ndeshjeje të çmendur dhe kur kronometri tregonte edhe 10 minuta nga fundi, Real shënonte golin e dytë të mbrëmjes dhe të katërtin për Realin. Pak minuta më vonë Migel Munjoz do të bëhej kapiteni i parë në historinë e Realit dhe të Kupës së Kampioneve që ngrinte lart kupën me veshë të mëdhenj. Ishte vetëm fillimi i një rrugëtimi që kthehet sërish në Paris me Realin në kërkim të së 14-ës.

LEDJO SEFERKOLLI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"