Paratë për votën, sekretari i FSHP-së: Marashi të largohet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 7, 2022 | 19:31

Paratë për votën, sekretari i FSHP-së: Marashi të largohet

Florian Hoxha, sekretar i përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, ka reaguar pas deklaratës së bërë një ditë më parë nga Tatjana Marashi (shefe e klubit Skënderbeu dhe njëkohësisht anëtare në KE-në e Komitetit Olimpik).

hoxha

 

Me anë të një prononcimi për gazetën, Hoxha i quan shpifje çdo fjalë të thënë nga Marashi:

“Duke marrë shkas nga një shkrim në gazetën ‘Panorama Sport’ të zonjës Tatjana Marashi, shefe e klubit Skënderbeu, në rolin e sekretarit të përgjithshëm të FSHP-së, dua të bëj me dije të gjithë opinionin sportiv dhe publik, që të gjitha fjalët e thëna nga Marashi janë shpifje të ulëta, pasi kam qenë prezent në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv që ka organizuar federata, si anëtar i bordit”, thotë fillimisht Hoxha.

Më tej, sekretari i FSHP-së jep versionin e tij për atë që ka ndodhur gjatë një mbledhjeje të këshillit drejtues të shtangës: “Zonja në fjalë, me një sjellje vulgare dhe arrogante, ofendoi të gjithë bordin e federatës, përfshirë këtu edhe presidentin Elez Gjoza. Një sjellje e tillë nuk i shkon për shtat një shefeje klubi, e cila është aty për të edukuar breza sportistësh.

Pasi u akuzua nga anëtari i bordit, Kreshnik Leka, shef i Teutës, duke qenë se ishin përballur me një fakt tronditës, ku zonja Marashi kishte kërkuar para në këmbim të votës si në zgjedhje të presidentit aktual Gjoza dhe anëtarit të bordit Leka. Në këtë moment që iu evidentua ky fakt në mbledhjen e bordit, zonja Marashi ofendoi të gjithë komitetin drejtues dhe dha direkt dorëheqjen”.

Më tej, Hoxha dha versionin e tij edhe për pretendimin e Marashit për 30 milionë lekët (të vjetër) të tërhequra nga banka nga sekretari i mëparshëm i FSHPsë, Artion Caushllari, para të akorduara për sportistin Briken Calja nga KOKSH-i. “Për sa i përket shpifjes tjetër për fondin prej 30 milionë lekësh të dhënë nga KOKSH-i, në faktin e tanishëm si sekretar i përgjithshëm, ju bëj me dije se gjithë shuma prej 30 milionë lekësh i është vënë në dispozicion Briken Caljes, kundrejt faturave korrekte të dorëzuara nga sportisti në KOKSH.

Të gjitha pagesat e sportistit janë kaluar nëpërmjet Bankës Kredins dhe këto janë lehtësisht të vërtetueshme dhe transparente nga kjo bankë”. Më tej Hoxha vijon linjën e Gjozës, teksa shprehet se do të kërkohet largimi i Tatjana Marashit nga KOKSH-i:

“Duke parë qëndrimin e kësaj zonje, e cila nëpërmjet votës kërkon në këmbim para, do t’i adresoj një kërkesë Komitetit Olimpik, drejtuar drejtpërdrejt presidentit Fidel Ylli, që zonja Marashi të largohet dhe të japë dorëheqje të menjëhershme nga bordi i KOKSH-it. Pasi këto qëndrime nuk janë për një sport të pastër dhe ‘fair play’.

Mendoj që KOKSH-i do t’i vendosë pikat mbi ‘i’ për këtë çështje, në mënyrë që të bëjmë një reformë, të pastrohemi nga këta njerëz që vendosin gjoba dhe kërkojnë favore. T’i mbajmë larg sportit këta persona”, përfundoi sekretari Hoxha.

LEXO EDHE: EKSKLUZIVE/ E akuzoi se kërkonte para për votën, reagon Tatjana Marash: Gjozën e çoj në gjyq për shpifje

EKSKLUZIVE/ Skandal te shtanga, Gjoza akuzon për korrupsion: Më kërkoi lekë për votën, KOKSH të përjashtojë Marashin

ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"