Parashikimi i “gjeneralit” Hicfeld: Klop do vijë te Bajerni

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 5, 2017 | 17:06

Parashikimi i “gjeneralit” Hicfeld: Klop do vijë te Bajerni

Ish-trajneri i Bajernit, Otmar Hicfeld, beson se një ditë rekordmenët gjermanë do të drejtohen nga trajneri i Liverpulit, Jyrgen Klop, edhe pse aktualisht nuk e konsideron gjermanin si një prej pesë më të mirëve në këtë profesion.

hicfeld rumenige

Por “gjenerali” beson se herët a vonë ish-teknikun e Borusias së Dortmundit do ta shohim në stolin e bavarezëve: “Klop e njeh Bundesligën. Ai është shpallur kampion dhe ka fituar kupën në Gjermani. Prandaj, unë mendoj dhe pres që ai një ditë do të ulet në stolin e Bajernit”, tha Hicfeld për “tonline.de”.

Hicfeld dhe Klop

Megjithatë, 68- vjeçari beson se përpara se kjo të ndodhë, Klop, i cili ka një kontratë deri në vitin 2022 me Liverpulin, do t’i shpallë anglezët kampionë në Premier Ligë. “Herët apo vonë ai do të fitojë Premier Ligën, për këtë jam shumë i sigurt. Ai po ndërton diçka te Liverpuli, është motivator, i konfirmuar, i pranuar dhe një reklamë fantastike për trajnerët gjermanë. Dhe nuk është e lehtë t’ia dalësh në Angli, por ai ia arriti”.

Klop

50-vjeçari kaloi 14 vite në stolin e Maincit dhe Dortmundit, përpara se të merrte timonin e Liverpulit në vitin 2015. Ai fitoi dy tituj kampion radhazi me Dortmundin, por edhe dy Superkupa dhe një Kupë.

“TOP 5” – Por Hicfeld, i cili fitoi Champions-in me Borusian e Dortmundit në vitin 1997 dhe me Bajernin në 2001, nuk e shikon Klopin mes 5 trajnerëve më të mirë në botë për momentin.

Hicfeld

Ish-trajneri i Kombëtares zvicerane vlerëson trajnerin e Realit, Zinedin Zidanin, në krye të listës së tij (për shkak të suksesit në dy Champions radhazi në kaq pak kohë që e drejton Realin). Më pas, ai rendit trajnerin aktual të Bajernit, Karlo Ançeloti dhe ish-teknikun e bavarezëve Pep Guardiola.

zidan

Dy vendet e fundit të “top 5”, sipas Hicfeldit, i plotësojnë trajneri i Çelsit (Antonio Konte) dhe ai i Juventusit (Masimiliano Alegri). “Klop nuk është ende pjesë e kësaj liste, vetëm sepse nuk ka fituar ende trofe të rëndësishëm ndërkombëtar”, e argumenton zgjedhjen e tij një prej trajnerëve më të mirë në historinë e futbollit gjerman.

Përgatiti: Androkli Dralo

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"