Paraqitja e jashtëzakonshme/ Luiza Gega, në nominim si atletja e muajit në Europë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 6, 2022 | 9:35

Paraqitja e jashtëzakonshme/ Luiza Gega, në nominim si atletja e muajit në Europë

Paraqitja e jashtëzakonshme që realizoi pak javë më parë në Kampionatin Europian që u mbajt në Mynih, ka bërë që Luiza Gega të përfshihet në votimin e sportistes më të mirë të muajit nga Federata Europiane e Atletikës.

luiza gega 3

Kështu, kampionia kuqezi së bashku me 3 atletet të tjera kampione të Mynihut janë nominuar për çmimin e atletes më të mirë të muajit gusht.

Kështu, përveç Gegës, në këtë nominim janë edhe holandezja Femke Bol, e cila fitoi tri medalje ari në Europian, përkatësisht në 400 metra, në 400 metra me pengesa dhe në stafetën 4×400 metra.

Në nominim është edhe Gina Lückenkemper, sprintierja gjermane që shkëlqeu në eventin e shtëpisë duke marrë dy të arta, respektivisht në 100 metra dhe në stafetën 4×100 metra.

Gjithashtu, në këtë katërshe është edhe grekja Antigoni Ntrismpioti, medaliste e artë në 35 km dhe 20 km ecje atletike në Europian.

LUIZA GEGA 1

Ndërkohë duke u kthyer te Luiza Gega, siç dihet, kampionia kuqezi fitoi medalje ari me rekord të Kampionatit Europian në garën e 3000 metrave me pengesa.

Një rezultat historik ky për Shqipërinë, që ishte kurorëzimi më i mirë i një sezoni të pabesueshëm për Luizën.

33-vjeçarja, siç dihet, gjatë këtij viti ka thyer shumë rekorde, duke tejkaluar veten garë pas gare.

Rezultatet e saj janë gjithnjë “top” për nivelet europiane dhe botërore, duke mos e vendosur për asnjë moment në diskutim kapjen e normave kualifikuese.

Ndërsa tashmë, Luiza, me meritë të plotë, e shikon veten mes katër atleteve më të mira të kontinentit të vjetër për muajin gusht.

Votimi në faqen europiane të atletikës do të vijojë deri mesditën e së enjtes.

Nëse Luiza Gega e fiton këtë çmim, do të ishte herë e dytë për të që zgjidhet si atletja më e mirë europiane e muajit, pasi siç dihet, këtë vlerësim e ka marrë edhe në janar të 2020-ës.


ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"