Paraolimpizëm / Shqiptarja Arjola Dedaj shpallet kampione e botës nën flamurin italian
Qielli në Londër pa të shkëlqejë një yll “axurr”. Arjola Dedaj fitoi medaljen e artë në kërcimin së gjati (T11, e verbër) në kampionatin botëror paraolimpik duke kërcyer 4.65 metra e duke lënë pas në podium japonezen Takada me rezultatin 4.49 metra dhe kinezen Zhong 4.44 metra.
E lindur në Shqipëri, tashmë një qytetare italiane Dedaj mbërriti në Itali me babanë dhe vëllanë me gomone. Nuk ishte e verbër asokohe kur kaloi detin, por problemet me të shikimin ishin prezente. Me kalimin e viteve, ajo e humbi plotësisht shikimin për shkak të një sëmundje. Tashmë 36-vjeçarja jeton në Milano me Emanuele Di Marino, edhe ky atlet dhe fitues i medaljes së bronztë në garën e 400 metrave (T44).
Së bashku, ata kanë formuar “Dyshen e Ëndrrave”, projekt shumë social mes “Facebook”-ut, “Twitter”-it dhe “Instagram”-it që i çoi fillimisht në Lojërat Olimpike të Rios në 2016-ën dhe me fokus Olimpiadën e Tokios në 2020-ën. Pikërisht për partnerin e saj në jetë, shqiptarja Dedaj nuk harron t’i shprehë mirënjohjen dhe ta falënderojë për sukseset e arritura në karrierë.
“Emanuele ka qenë trajneri dhe udhërrëfyesi im dhe nëse jam këtu tani, gjithçka është prej tij”. Dedaj dhe Di Marino, në fakt, stërviten nga anglezi Heili Gin, por në pistë udhërrëfyesi i shqiptares është pikërisht njeriu i saj i zemrës. Natyralizmi si italiane ndodhi për atleten Dedaj pasi mbërriti në Itali për një jetë më të mirë.
Me të drejtë, medalja e artë botërore në Londër e ka bërë edhe yllin e Italisë paraolimpike. Dedaj mori pjesë vitin e kaluar në Lojërat e Brazilit, ndërsa në finalen e kërcimit së gjatë, kategoria T11, zuri vendin e gjashtë, njëherësh vendosi një rekord të ri italian 4.51 metra, ndërsa e përmirësoi këtë rezultat këtë vit në 4.67 metra.
Gjithashtu, edhe në garën e 100 m është rekordmene kombëtare me kohën e përgjithshme 13″43. Ajo kaloi ditën për t’u ribashkuar me mamanë e saj në Itali. Ndonëse nuk mundi të shikonte më, ajo nuk u ndal kurrë së ëndërruar. Në fakt, Dedaj është një multisportiste, ndërsa ka arritur të shpallet kampione e Italisë në disiplinën e dancit sportiv, sikurse edhe ka ushtruar edhe sportin e bejsbollit.
Por atletikën e mori seriozisht në fund të vitit 2012, duke projektuar menjëherë rezultate mbresëlënëse në garat e sprintit dhe kërcimit së gjati. Është mbajtëse e rekordeve kombëtare në shtetin italian në sallat e mbyllura në 60 dhe 200 m dhe së gjati, ku në këtë të fundit ka monopolizuar kategorinë T/F11 në tri sezonet e fundit.
Gjithashtu, është fituese e tri medaljeve në Europianin e Suonsit në 2014-ën (100, 200m dhe kërcim së gjati) dhe dy medaljeve në Kampionatin Europian në qershor të vitit 2016 të zhvilluar në Groseto.
OLGERT SERANI
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"