Paralajmëroi largimin dy javë më parë, klubi i Kategorisë së Parë vendos për administratorin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 12, 2021 | 12:12

Paralajmëroi largimin dy javë më parë, klubi i Kategorisë së Parë vendos për administratorin

Konfirmohet Bajram Ballabani te Burreli. Administratori paralajmëroi largimin gati dy javë më parë (pasi dështoi misioni i ngjitjes), megjithatë ai ka marrë besimin e kryebashkiakut. Pas bisedës që ka zhvilluar me Agron Malajn, ai do të qëndrojë edhe për sezonin 2021-2022.

BURRELI DINAMO

Gazeta e ka kontaktuar zyrtarin e klubit, i cili thotë: “Unë ndjeva përgjegjësinë time për atë çka nuk arritëm dot sezonin e shkuar. E kam thënë edhe më parë se duhet të kishim ndërhyrë gjatë merkatos së dimrit në stafin teknik, por edhe në përforcim të skuadrës. Kjo më bëri që unë të mendoja pozicionin tim në krye të klubit. Por, pas disa takimeve me kryetarin e bashkisë, Agron Malaj, me dëshirën e këtij të fundit, por edhe mbështetjen e tifozërisë së zjarrtë, vendosa që të vazhdoj të drejtoj klubin.

Dua të falënderoj kryebashkiakun i cili ka qenë vazhdimisht një mbështetje e madhe për klubin Burreli dhe ka bërë gjithçka për të plotësuar nevojat e skuadrës. Megjithëse është ende herët për t’u finalizuar, kemi nisur punën për gjetjen e një trajneri të ri, ndërkohë që ndryshime do të ketë në stafin teknik, por edhe te grupi i lojtarëve. Gjej rastin të falënderoj të gjithë ata futbollistë që luajtën sezonin që lamë pas ndershmërisht dhe dhanë maksimumin e tyre për fanellën e Burrelit. Për të gjithë këta, dera do të jetë e hapur dhe do t’i mirëpresim me kënaqësi”, përfundoi Ballabani.

DRITAN KURTI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"