Paralajmërimi i Nexhipit: Prisni të tjera surpriza nga Korabi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 29, 2017 | 18:36

Paralajmërimi i Nexhipit: Prisni të tjera surpriza nga Korabi

Ermal Nexhipi sot mori një dhuratë të bukur nga Korabi në përvjetorin e tij të 36-të. Trajneri i ekipit dibran u shpreh i lumtur me barazimin 1-1 ndaj Vllaznisë në Shkodër. Në një prononcim për “Gol pas Goli”, ish-portieri paralajmëroi edhe kundërshtarët e ardhshëm se skuadra e tij do të bëjë të tjera surpriza, edhe pse tashmë e ka siguruar rënien nga Kategoria Superiore.

Ermal-Nexhipi-1

Deklaratat e Nexhipit:

Dhuratë për ditëlindje

“Ua theksova lojtarëve para ndeshjes që dhurata më e bukur për mua sot do të ishte një rezultat pozitiv. Besoj se ma dhanë dhe i falënderoj shumë”.

Një pikë për moralin

“Besoj se e merituam pikën sot, është një pikë morali. Po ashtu u kthyem te goli dhe te rezultati pozitiv. Le t’u shërbejë këtyre çunave për të treguar veten e tyre dhe për të respektuar kampionatin në javët e mbetura. Jam shumë i kënaqur”.

Shpërblime nga dikush?

“Sinqerisht e them që sot doja vetëm një rezultat pozitiv si dhuratë dhe për këtë jam i gëzuar. Mos mendoni se kemi marrë shpërblime nga dikush. Asnjë gjë. E them me sinqeritetin më të madh”.

Surpriza të tjera?

“Po, besoj se do kemi plot. Do rikthehen edhe katër titullarë të cilët sot nuk i kishim në dispozicion dhe them se do të ketë të tjera surpriza. Mos t’ju duket çudi. Nëse jemi të plotë, do t’i hapim probleme çdo ekipi, siç kemi bërë edhe më parë. Koha do ta vërtetojë”.

Ndihmë nga portieri kundërshtar

“Besoj që edhe ai më bëri një dhuratë sot. Portierët janë profili im dhe vjen keq që nuk ishte në pozicionin dhe vendin e duhur, por në anën tjetër m’u bë qejfi për Prençin. E prisja që të futej në ritmin e tij, sepse është portier vërtet i talentuar, pavarësisht se është djalë i ri. Besoj se do ecë përpara. Kurse për Selimajn, them se e ka profilin tim dhe ndiej keqardhje”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"