Paradoksi/ Tri talente shënojnë në Champions, por nuk janë… kuqezinj

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 6, 2022 | 22:40

Paradoksi/ Tri talente shënojnë në Champions, por nuk janë… kuqezinj

Krahas ndeshjeve të ekipit të parë, në Champions luajnë edhe skuadrat e moshave. Në ndeshjet që janë zhvilluar ditën e martë dhe dje, tre talentë shqiptarë kanë shkëlqyer, teksa janë bërë protagonistë me gol për skuadrat e tyre respektive. Ironia është që, edhe pse ata janë shqiptarë, asnjëri prej tyre nuk përfaqëson Kombëtaren kuqezi.

HASA ZEFI VATA

LUIS HASA- Mesfushori me tipare sulmuese, i cili ka lindur në Itali, është pjesë e Juventusit U-19 dhe në ndeshjen e së martës në “Youth League” ishte protagonist duke shënuar një supergol. Në minutën e 72-të, Hasa goditi një penallti, e cila u prit nga portieri kundërshtar, më pas ai vrapoi për të kapur topin dhe me disa lëvizje të bukura, kaloi kundërshtarët dhe shënoi nga një pozicion i vështirë.

luis-hasa-1

Me këtë gol, ai kaloi sërish në avantazh skuadrën e tij, me rezultatin final që përfundoi 3-1 për bardhezinjtë. Ndërkohë, Hasa nuk ka qenë pjesë e grumbullimeve në ekipet zinxhirë kuqezi, por përfaqëson Italinë, ku ka luajtur 5 ndeshje me U-19 “axurre” dhe ka shënuar një gol.

ROKO VATA- Djali i ishkapitenit të Kombëtares, Rudi Vata, Roko, u bë protagonist në sfidën mes Lajpcig U-19 dhe Sëlltikut U-19, e vlefshme për fazën e grupeve të “UEFA Youth League”. 16-vjeçari shqiptar ka zgjedhur të luajë për Irlandën, pasi siç u shpreh publikisht edhe babai i tij Rudi, nga moshat e Shqipërisë nuk ka pasur asnjë ftesë për djalin e tij.

roko vata selltik

Roko shënoi një gol shumë të bukur me një gjuajtje fluturimthi, që në minutën e parë të sfidës. Me këtë gol ai kaloi skocezët në avantazh, teksa nëntë minuta më vonë erdhi dhe goli i dytë nga Letsosa, me Sëlltikun që fitoi përballë gjermanëve në transfertë me rezultatin 1-2.

KEVIN ZEFI- Sulmuesi 17- vjeçar është një tjetër shqiptar që shënoi të martën në përballjen Inter-Barcelona. Edhe pse ndeshja u fitua nga katalanasit, Zefi shënoi golin e vetëm për italianët. Ai gjithashtu përfaqëson Irlandën, teksa me ekipet zinxhirë ka shkëlqyer, teksa ka shënuar 7 gola në 13 ndeshje.

Kevin-Zefi-01-e1595760039464-1280x720

Pjesë e Interit, nuk dihet nëse Zefi ka marrë ndonjë ftesë për t’u seleksionuar në moshat kuqezi, ndërkohë duke parë paraqitjet e talenteve shqiptare dhe ekipet ku luajnë, të vjen keq që nuk përfaqësojnë ngjyrat kuqezi.

KRISTI SEJATLLARI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"