Paradoksi me skuadrën e Superiores/ Zero blerje në merkato, por kanë “luksin” të degdisin lojtarë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 24, 2021 | 9:06

Paradoksi me skuadrën e Superiores/ Zero blerje në merkato, por kanë “luksin” të degdisin lojtarë

Nuk mbeten edhe shumë ditë deri në mbyllje të merkatos dimërore, por te Apolonia ende nuk është bërë asnjë përforcim. E vërteta është se janë provuar dhe tentuar jo pak lojtarë, por pa arritur asnjë akord. Edhe dy grekët që janë në provë, pak gjasa kanë që të bindin stafin teknik dhe Kamaratën.

Apolonia666

Por Apolonia përforcimet më të mira i ka brenda vetes. Përtej të së padeklaruarës, ka një situatë të pakuptimtë dhe të dyshimtë me 3-4 futbollistë që kanë qenë titullarë, ndërsa tani nuk po preferohen as si zëvendësues. Bëhet fjalë për Ksement Mehmetin, Sali Kumanin, Krisild Zogën dhe Dejan Andonin, të cilët po luajnë në formacionin bazë me U21, por janë lënë jashtë ekipit të parë.

Ksement Mehmeti është aktivizuar 604′ në 11 ndeshje, për herë të fundit ka luajtur më 30 dhjetor 2020, vetëm 9′ kundër Kastriotit. Në tri ndeshjet e mëpasshme, Mehmeti nuk ka figuruar as në listën e rezervave. Pati zëra se mesfushori kërkoi të tërhiqte letrat për t’u transferuar në Kosovë, por kjo nuk është e vërtetë. Mehmeti ka pasur një pakënaqësi, duke kërkuar më shumë aktivizim, klubi ka qenë i gatshëm t’i jepte letrat nëse donte të largohej, por Mehmeti ka zgjedhur që të vazhdojë me Apoloninë, pavarësisht situatës momentale të pafavorshme për të.

Sali Kumani është aktivizuar 681′ në 10 ndeshje. Edhe ky për herë të fundit ka luajtur gjithashtu në dhjetor, vetëm 9′ e fundit ndaj krutanëve. Në tri ndeshjet e tjera më pas, ka qenë në stol, pa marrë asnjë minutë në fushë, por duke luajtur rregullisht si titullar te 21- vjeçarët.

Krisild Zoga, 204′ në 8 ndeshje, hera e fundit që ka luajtur ka qenë në barazimin 1- 1 me Partizanin, vetëm 10′ në fushë. Përpara disa muajsh, klubi ndërmori ndaj Zogës një masë disiplinore, duke e dërguar të stërvitej me U-19, bashkë me sulmuesin ganez Bernard Artur, tashmë të larguar. Më vonë, beratasi i Apolonisë iu bashkua skuadrës së parë në stërvitje, por i mungojnë aktivizimet.

Dejan Andoni është një nga futbollistët më me përvojë tek Apolonia. 25-vjeçari ka lënë pas një dëmtim që e mbajti larg fushës disa muaj dhe tashmë është në gjendje optimale, e konfirmuar kjo edhe me U-21 kundër Vllaznisë kësaj të enjteje, ku luajti 90′ të plota. Vetëm 6′ në ndeshjen Tirana-Apolonia është aktivizuar për ekipin e parë, teksa ka qenë 5 herë i gatshëm në pankinë. Andoni është një futbollist që mund të përshtatet në disa pozicione në mesfushë dhe në pjesën defensive, siç ka bërë edhe në sezonet e kaluara, por fierakët duket se e “kanë harruar” këtë gjë.

BUJAR RAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"