Paradoksi me Francën, Roshi rrezikon stolin pas dy asisteve. Ja si pritet të rreshtohet Kombëtarja

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 16, 2019 | 9:26

Paradoksi me Francën, Roshi rrezikon stolin pas dy asisteve. Ja si pritet të rreshtohet Kombëtarja

Nga dy asiste për gol ndaj Andorrës te rreziku për të qenë në stol kundër Francës. Skema 3-5-2 e penalizon Odise Roshin dhe, sipas të gjitha gjasave, ai nesër nuk do të jetë në fushë nga minuta e parë. 

kombetarja shqiperia

Trajneri Edi Reja është i vendosur për të vazhduar me të njëjtin variant taktik, për më tepër që ndaj kampionëve të botës, në krahët e mesfushës, do të vendosë dy lojtarë që, mbi të gjitha, mbrojnë mirë. Paradoksi është se Roshi rrezikon më shumë tani që vjen edhe pas një paraqitjeje të mirë, ku fillimisht dha asistin në golin me kokë të Balajt e më pas shërbeu në pjesën e dytë Manajn kur barazoi shifrat 2-2 ndaj Andorrës.

Mirëpo, ishte pikërisht ajo ndeshje me Francën e dy muajve më parë që e penalizoi fierakun, i cili u vendos në një rol jonatyral (në krahun e majtë) dhe nuk i shmangu dot gabimet. Reja është i dyzuar tashmë, pra për t’i besuar Hysajt krahun e djathtë apo ta nisë me Roshin.

odise roshi

Nga ana tjetër, duke qenë se përballë është Franca, italiani nuk e mendon aktivizimin e mesfushorit në krahun e majtë, pasi një herë e pësoi në Paris. Tashmë në atë pozicion me shumë mundësi do të luajë nesër Lenjani, i cili në fakt nuk është preferuar nga Reja, edhe pse përpara sfidës me Andorrën kishte një problem fizik.

TITULLARËT – Të paktën pesë ndryshime priten në formacion, duke e krahasuar me skuadrën që luajti nga minuta e parë të enjten në “Elbasan Arena”. Në portë si titullar do të rikthehet Thomas Strakosha, ndërsa në mbrojtje i vetmi ndryshim do të jetë Dermaku për Veselin. Pra, treshja e prapavijës me Ismajlin, Dermakun dhe Gjimshitin.

Formacioni i mundshem

Mesfusha do të ketë më tepër ndryshime. Nga e djathta do të vendoset Hysaj, ndërsa në krahun tjetër Lenjani. Gjithashtu rikthehen titullarë në qendër Bare e Gjasula. Lojtari që plotëson pesëshen është Memushaj. Ndërsa sulmi do të mbetet i pandryshuar me dyshen Manaj-Balaj.

LEONIDHA MUSAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"