Paradoksi i Elbasanit, verdheblutë kanë problem… moshën e re

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 19, 2019 | 20:31

Paradoksi i Elbasanit, verdheblutë kanë problem… moshën e re

Një pjesë e mirë e skuadrave shqiptare mund të vuajnë nga “plakja” e futbollistëve, të cilët i kanë kaluar të 30-at dhe pak e nga pak po shkojnë drejt fundit të karrierës së tyre.

Elbasani

Gjithsesi, eksperienca që mbajnë mbi supe bën që të harrohet mosha dhe të jenë efikasë për klubet ku marrin pjesë. Ndryshe nga këto klube, Elbasani është rasti tipik që ka problem të kundërtën. Te verdheblutë është kthyer në një problem mosha shumë e re e futbollistëve, ku edhe pse duket paradoksale, ky është realiteti i këtyre ditëve në Elbasan.

MOSHA – Stërvitja ka dy javë që ka nisur në kampin verdheblu dhe gjatë këtyre ditëve nuk kanë munguar futbollistët që janë afruar. Mirëpo, janë futbollistë që nuk i kanë mbushur ende 20 vjeç, pra sa kanë kaluar kufirin e moshës për të mos luajtur më tek ekipi i të rinjve. Bëhet fjalë si për futbollistë elbasanas që kanë dalë nga akademia e klubit, por edhe për ata që kanë ardhur nga klube të tjera.

Nga ekipi i sezonit të kaluar, më veterani, nëse mund ta quajmë kështu, është 26 vjeç, mbrojtësi Xhulio Jaupi. Sezonin e kaluar ishte kapiteni Endri Duka futbollisti i vetëm që i kalonte të 30-at, 31 vjeç, por për shkak të një dëmtimi këtë sezon nuk i është bashkuar ende skuadrës. Mikel Ferhati është 24 vjeç dhe Mateo Allkja 21 vjeç, ndërsa pjesa tjetër e futbollistëve që po stërviten nuk i kanë kaluar 20 vjetët. Nëse kampionati do të niste sot, verdheblutë do të kishin vetëm tre lojtarë mbi 20 vjeç në skuadër.

Dhe në një kampionat ku dihet se sa e rëndësishme është eksperienca për shkak të futbollit të fortë që luhet dhe fushave të vështira, me këtë kontingjent gjithçka komplikohet. Megjithatë, në klub shprehen se kjo është një situatë provizore dhe derisa të mbyllet merkatoja, do të ketë një balancim edhe të moshës, në mënyrë që skuadra të mos marrë pjesë vetëm me të rinj, sepse pa lojtarë me eksperiencë, është shumë e vështirë të realizohen objektivat.

Vladimir Mema

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"