Paqartësi për titullarët te klubi pretendent i Kategorisë së Parë, edhe Ruqi mbetet pezull

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 1, 2021 | 20:48

Paqartësi për titullarët te klubi pretendent i Kategorisë së Parë, edhe Ruqi mbetet pezull

Besëlidhja ka përcaktuar axhendën e nisjes së fazës përgatitore e megjithatë dilemat për organikën janë të mëdha. Skuadra do të zbresë më datë 2 gusht në fushë, por ende nuk dihet se cilët do të jenë lojtarët që do të vihen nën urdhrat e Alban Brukës.

Beselidhja-goli

Lezhjanët i kanë mëshuar me të madhe ngjitjes në elitë, por zyrtarisht me merkaton kanë mbetur në vendnumëro. Flitet vetëm për largimet, ndërsa për hyrje nuk ka kurrfarë zhvillimi konkret. Deri më tani kanë shpallur “divorc” katër futbollistë, konkretisht shkodranët Kledi Dibra e Samet Hepaj, lezhjani Florian Përgjoni dhe kavajasi Edmond Hoxha. Nga futbollistët shkodranë që janë aktivizuar si titullarë deri vjet, vetëm mbrojtësi Samet Ruqi ende është zyrtarisht pjesë e Besëlidhjes. Gjithsesi, as për të nuk ka garanci. Ende nuk dihet saktësisht nëse do të qëndrojë apo do të largohet nga Lezha. Edhe vetë mbrojtësi nuk e ka vendosur, ndaj javës tjetër do të mësohet më shumë edhe për të.

Ndonëse është deklaruar nga krerët e klubit se ekipi do të ndërtohet me bazë “bio”, nuk përjashtohet mundësia që përveç të vetofruarëve, të ketë edhe përforcime nga qytete e tjera. Për të siguruar objektivin madhor, rrugës mund të ndryshojë edhe filozofia që trumbetohet prej më shumë se një muaji. Ndërkohë ambientet e stadiumit janë të gatshme për ta pritur ekipin për fazën përgatitore për sezonin 2021- 2022, që do të startojë më 11 shtator.

PRENG GJIKOLA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"