Panuçi flet për “grande calcio”, presidenti për gafa amatoreske

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 16, 2017 | 20:34

Panuçi flet për “grande calcio”, presidenti për gafa amatoreske

GËZIM SINEMATI

sinemati

Kanë frikë t’i vënë notën sepse “mësuesit” nuk vlerë- sohen, por presidenti ynë është i vetmi në llojin e vet, madje nuk humbet asnjë rast, qoftë ndeshje zyrtare, qoftë ndeshje miqësore duke befasuar më shumë se personazhet në fushë. Pas ndeshjes miqësore me Turqinë, kur trajneri Panuçi brofi në ekran duke përsëritur, “Ky është futbolli i vërtetë! Po, po futbolli i vërtetë!” apo fraza tjetër e paharruar “Grande calcio! Grande calcio!”, u shfaq presidenti Duka, si dhe herë të tjera, luajti bukur të pakënaqurin, madje më shumë se aq, si në një lojë që e deshifrojnë vetëm ata që ia dinë stilin alibik. Fjalët e tij kanë hyrë tashmë në muzeun e tejmbushur me qortime “babaxhane”…

“Jam i kënaqur me rezultatin e ekipit dhe me përgatitjen që i bënë ndeshjes dhe atë çfarë dhanë në fushë. Në një ndeshje miqësore është i rëndësishëm eksperimenti teknik dhe nëse merr një fitore, është një kënaqësi më shumë. Duhet të nxjerrim mësime nga gjërat që bëmë keq për t’i korrigjuar në të ardhmen. Edhe kjo ndeshje nuk ka pasur pak gabime, por shpresojmë të mos i përsërisim më. Nuk duhet të bëjmë gabime amatoreske”.

Duka dhe Panuci

Njëri thotë “grande calcio”, tjetri të huton fare, madje të prish festën kur ta përvesh mu në surrat kur thotë se ka pasur gabime amatoreske! Ku ishin këto gabime zoti president? Pse i mban për vete sekretet? Do të plasësh ndonjë ditë se janë bërë shumë, kurse popullin ia dorëzon euforisë dhe gëzohet me ato 3 golat, aq sa dukej sikur Italia kishte humbur Botërorin, ndërsa ne sapo ishim futur në Botëror.

Paska pasur të drejtë shef Armando, kur disa kohë më parë, i merakosur me naivitetin tonë pas një ndeshjeje, nga ato që lexohen keq, ka dalë në përfundimin: “Na janë bërë shumë ekspertë që analizojnë ndeshjet…”. Kur nuk e dëgjon të madhin, gabojnë të gjithë pa shpëtuar dhe vetë Panuçi që nxitohet me këtë bombën “Grande calcio” dhe thirrjen shpirtërore “ishte futboll i vërtetë”. Shkeli në vend të keq, madje sikur kapërceu vijën e verdhë, kur ia lëshoi në fund: “Kur e kishit mundur ndonjëherë Turqinë?” “Shyqyr Zotit që nuk dëgjuam një frazë që italianët e futbollit e kanë gati për ne: turqit iu pushtuan për 500 vite në fushën tuaj, kurse ju i pushtuat për 90 minuta… në fushën e tyre”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"