Panuçi do sulm, por “bomberat” shqiptarët në krizë goli. Mungojnë 21 gola nga kuqezinjtë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 13, 2017 | 22:37

Panuçi do sulm, por “bomberat” shqiptarët në krizë goli. Mungojnë 21 gola nga kuqezinjtë

Ardhja e Panuçit në krye të Kombë- tares shqiptare u shoqërua me skepticizëm për të shkuarën e tij si trajner, por edhe me optimizmin që sjell fryma e një trajneri të ri në skuadër. Jo vetëm kaq, por italiani deklaroi se në filozofinë e tij kuqezinjtë do të jenë më të fokusuar drejt lojës sulmuese. E në këto kushte, “topi” u kalon bomberëve kuqezinj.

Kur mbeten vetëm pak sfida për të mbyllur fazën e parë, shqiptarët nuk janë në lartësinë e një viti më parë. Për këtë ka një sërë faktorësh, si ndryshimi i ekipeve, dëmtimet, por edhe fakti që nisja e edicionit të shkuar ka korresponduar me mbarimin e Europianit…

panuci_kombetares

STATISTIKAT

Pas Europianit, pra nga korriku dhe gushti kur startojnë kampionatet respektive, sulmuesit e Kombëtares kanë kaluar një periudhë të artë. Sadiku me Zyrihun në Ligën e Dytë, apo Llullaku me Gaz Metan Medias në Rumani, kanë bërë një start edicioni të jashtëzakonshëm me ekipet e tyre. Start pozitiv ka pasur edhe Balaj në Rusi, Cikalleshi në Turqi, por edhe Hyka në Zvicër dhe Grezda në Kroaci.

Në bazë të statistikave dhe golave të realizuar, gjashtë sulmuesit kuqezinj kanë shënuar në total 43 gola. Mes kampionateve dhe kupës në shtete respektive, ku janë aktivizuar vjet, shqiptarët kanë ruajtur shumë nga shkëlqimi në Europian. Sadiku, në 12 ndeshje në kampionatin helvet, ka shënuar 5 gola, ndërkohë që në tri sfida në grupet e Europa Ligës shënoi një gol.

shqiperia kombetarja

Për fat të keq, sulmuesin e ndali një dëmtim për të vijuar formën e shkëlqyer në ato muaj. Një tjetër paraqitje pozitive shqiptare në Zvicër në startin e një sezoni më parë ka qenë ajo e Jahmir Hykës. Nuk u mor në Europian, por sulmuesi tregoi vlerat e tij me 6 gola të shënuar në 6 ndeshje, pavarësisht se në fushën e lojës kishte më së shumti rolin e mesfushorit të avancuar dhe jo sulmuesit të mirëfilltë.

Fantastik ishte Azdren Llullaku në Rumani me Gaz Metan Medias, ku shënoi 16 gola në 20 ndeshje deri në fund të fazës së parë. Balaj ishte një pikë referimi për Akhmatin me tetë golat e tij, ndërkohë që Cikalleshi shënoi 3 gola, edhe pse Basaksehir i dha fare pak hapësirë në lojë. Eros Grezda realizoi 3 gola me fanellën e Lokomotivës së Zagrebit në kampionat dhe kupë, në rolin e një mesfushori anësor.

Sadiku

SIVJET

Në bazë të statistikave dhe paraqitjeve të deritanishme të kuqezinjve me skuadrat e tyre që nga starti i sezonit, vihet re një mungesë e madhe golash. Ai që duket se e prish më së shumti mesataren e kuqezinjve është Azdren Llullaku. I transferuar në Kazakistan, fillimisht tek Astana dhe, më pas, i huazuar te Tobol, shqiptari ka shënuar vetëm 1 gol.

golat sulmuesit shqiptar

Dëmtimi e ka bërë që edhe Bekim Balaj të jetë larg formës së tij dhe pritshmërive për bomberin shkodran. Sivjet është ende në kërkim të formës së tij ideale dhe që të jetë në fushë me 100% të gatishmërisë, për të kërkuar edhe golin e parë. Gjithashtu, Cikalleshi me Osmanlispor nuk ka luajtur prej shumë javësh për shkak të dëmtimit dhe ka shënuar vetëm dy gola. Jahmir Hyka në Amerikë duket se nuk ka arritur që të tregojë në maksimum vlerat e tij. Vetëm 3 gola në 32 ndeshje në vitin e tij të parë përtej oqeanit.

Eros Grezda

ECURIA

Armando Sadiku dhe Eros Grezda janë “shpëtimi” i kuqezinjve nga të dhënat dhe ecuria e treguar deri më tani në skuadrat e tyre respektive. Mesfushori i Osijek ka shënuar një gol në kualifikueset e Europa Ligës, 2 në kupë dhe 4 në kampionat me fanellën e Osijek. Në Poloni, Armando Sadiku shënoi një gol në kualifikuat e Ligës së Kampionëve, 4 në Kupën e Polonisë dhe dy në kampionat. Për trajnerin Panuçi, një ecuri e tillë nuk është aspak pozitive, mirëpo forma e kuqezinjve në miqësoren e fundit ndaj Turqisë dha sinjale pozitive dhe lojtarët e aktivizuar treguan se secili “transformohet” me fanellën kuqezi, pavarë- sisht ecurisë me ekipin…

OLSI TUJANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"