Panuçi “alergji” nga U-21, trajneri “djeg” talentet që presin shansin prej kohësh

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 22, 2018 | 22:59

Panuçi “alergji” nga U-21, trajneri “djeg” talentet që presin shansin prej kohësh

Rinovimi i brezave në Kombëtare ishte puna dhe projekti i parë i Xhani De Biazit kur u vu në krye të Kombëtares shqiptare. Kjo, edhe për vetë ndikimin nga situata e atëhershme në përfaqësuese, pasi u larguan një plejadë e tërë lojtarësh që kishin mbajtur peshën e Shqipërisë deri në ato momente. Mirëpo, diçka e tillë duket se po ndodh edhe me trajnerin e ri. Por, me një diferencë të madhe. Kristian Panuçi duket sikur ka “alergji” nga talentet e kombëtareve të moshave.

Kedi Bare Kombetarja U-21

U-21 – Sa herë që trajneri i Kombëtares Shpresa del në konferenca për shtyp, vlerësimi për futbollistët që trajnon është maksimal. Duke evidentuar të paktën pesë prej tyre, ai shprehet me bindje se këta lojtarë janë të gatshëm për Kombëtaren A. Mjaft të përmenden pak emra si, Endri Çekiçi, Kejdi Bare, Fiorin Durmishaj apo Qazim Laçi dhe, në këtë moment, deklaratat e Bushit marrin vërtetësi të plotë. Mirëpo, për teknikun e ri të përfaqësueses, ekipi Shpresa duket si “mish i huaj”, për të cilin ai nuk ka dhënë shanse qoftë edhe në ndeshjet miqësore.

Të rinjtë – Trajneri është në kërkim të elementëve të rinj, por realisht pak herë ka kthyer sytë nga skuadra që furnizon Kombëtaren A. Trajneri solli në ekip emra si, Ivan Balliu, Kamer Qaka, Astrit Hajdareviç apo së fundmi përflitet për ftesë të dërguar për 18- vjeçarin Zhegrova. Për gjithkënd nuk ka asgjë negative që skuadra përfaqësuese të ketë në kontingjent sa më shumë elementë cilësorë, në mënyrë që rivaliteti dhe mundësitë për secilin rol të jenë të shumëfishuara.

Endri Cekici kombetarja

Mirëpo, në momentin që skuadra Kombëtare U-21 ka elementë cilësorë që janë të konfirmuar në skuadrat e tyre dhe që nuk marrin asnjë sinjal dhe asnjë mundësi, atëherë ngërçi bëhet i madh. Së fundmi, vetëm dy nga lojtarët e Kombëtares U-21 kanë marrë ftesë nga kombëtarja A. I pari, Emanuele Ndoj, i cili u ftua në Kombëtaren e madhe në një periudhë që ishte i dëmtuar. I dyti, Ylber Ramadani, i cili udhëtoi drejt Antalias për miqësoren me Turqinë, një ditë pasi ishte aktivizuar me Kombëtaren U-21. Pra, me fare pak shanse për aktivizim në një ndeshje testuese.

OLSI TUJANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"