“Panajot Pano donte të luante me Dinamon, jo me Partizanin”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 5, 2016 | 11:25

“Panajot Pano donte të luante me Dinamon, jo me Partizanin”

Fatmir Frashëri ka qenë një nga futbollistët që mund të kishte bërë karrierë të shkëlqyer nën ngjyrat e Partizanit, duke qenë se i janë ofruar shumë përfitime të kohës nëse do të qëndronte si pjesë e të kuqve edhe pasi ka kryer shërbimin ushtarak.pano

Në një intervistë për gazetarin Endi Tufa, transmetuar në emisionin “Procesin Sportiv”, ai tregon se fillesat e tij në sportin më popullor e kanë bërë që të luajë për ngjyrat bardheblu dhe të rikthehet në një legjendë të gjallë të kësaj skuadre.

“Unë kam nisur të luaj te shkolla ’11 Janari’. Një kushëriri im më tha atëherë: ‘Ti do të rrish këtu si mbrojtës i djathtë’. Mua nuk më erdhi mirë, por, edhe pse ngela rastësisht në atë moment, kam luajtur gjatë gjithë kohës si i tillë.

Xhavit Demneri ishte një nga trajnerët më të mirë që ka pasur Shqipëria, erdhi na pa në shkollë dhe në fund të stërvitjes tha: ‘Ky djali këtu (për mua) dhe Aurel Verria do të vini të stërviteni me ne’.

Nuk na zinte gjumi deri sa të vinte ajo dita e martë për të shkuar atje. Shkuam atje në stërvitje ku na priste profesor Xhaviti dhe rrinin si të ndrojtur, por përveç kësaj kujtoj ende dorën e tij në shpatull duke më dhënë këshillat e seancës së parë stërvitore nën drejtimin e tij”, rrëfen Frashëri.

Ai më tej tregon edhe diferencën që kishte në përbërjen e Partizanit dhe Dinamos në krahasim me Tiranën. “Partizani dhe Dinamo shfrytëzonin të gjithë lojtarët që donin të merrnin. Në momentin kur unë shkova në ushtri, mund të më mbanin në ekip dhe unë kam bërë dy vite shërbim.

Panajoti (Panajot Pano) shkoi në marinë, sepse ajo ishte më e gjatë si periudhë, për katër vite, me qëllimin që të largohej sa më shumë, pasi ai nuk donte të luante për Partizanin, por për Dinamon”, shton legjenda bardheblu.

Ai rikujton edhe një herë faktin që mund të kishte pranuar benefitet e kohës nëse do të luante me të kuqtë. Por, ai kishte premtuar për trajnerin e tij Myslym Alla që pas detyrimit ushtarak do të rikthehej sërish te Tirana. “Lymi ka qenë, si i thonë… mjeshtër. Edhe gjatë kohës kur kryenim shërbimin ushtarak, na takonte dhe na thoshte gjithmonë: ‘Mos harroni’.

Ndërsa mua edhe Besim Fagu ma ka thënë disa herë në muajt e fundit të shërbimit: ‘Shih biografinë, sepse te Partizani mund të sigurosh jetën. Prandaj, mendoje mirë nëse do të qëndrosh, apo jo’. Në të vërtetë, unë leverdinë e kisha që të qëndroja, sepse edhe biografinë e kisha (qesh). Megjithatë, pata dhënë fjalën dhe nuk mund ta ktheja”, deklaron Frashëri.

Ai më tej tregon edhe diferencën në trajtim që u bëhej futbollistëve gjatë shërbimit ushtarak, ku përdoreshin mënyra nga më të ndryshmet për të penguar bardheblutë. “Ishim ushtarë të marrë në zbor dhe unë, Beni (Arben Minga) e një lojtar tjetër do të shkonim në mensë për të ngrënë drekën e më pas të niseshim për të bërë stërvitje me ekipin.

Por, komandanti nuk na la dhe na tha: ‘Kam urdhër që t’ju kontrolloj e të shoh nëse rrini apo jo deri në fund të këtij detyrimi’. Edhe pse ne i thoshim që kemi stërvitje, nuk na lejonte. Për më tepër shtoi: ‘Më kanë marrë në telefon dhe nuk do t’ju toleroj as edhe për një minutë të vetme'”, tregon Frashëri. Derbi Ish-futbollisti dhe trajneri i Tiranës tregon edhe për përballjet derbi.

Ai shpjegon edhe domethënien e një ndeshjeje të tillë për cilindo bardheblu, në fushë apo në shkallët e stadiumit. “Partizani merrte futbollistë nga çdo vend i Shqipërisë, duke përzgjedhur të gjithë talentet dhe ato që u pëlqenin trajnerëve të kohës. Ata bënin ligjin dhe në ndeshjen derbi, Partizani duhet ta mundte Tiranën, sepse e dinin që ajo ishte ‘anti’ në të gjitha drejtimet.

Takimet derbi, dashur pa dashur, kanë pasur edhe problemet politike të përfshira. Kjo, sepse kur ngrihej tribuna përkarshi (D1, D2, D3 sot në “Qemal Stafa”) dhe bërtisnin ‘Forca Tirona’, nuk ishte kaq e thjeshtë dhe vetëm për këtë frazë që dëgjohej. Ishte më shumë se kaq, sepse ishte edhe urrejtja e brendshme e tifozëve për sistemin”, rrëfen Frashëri.

Jo vetëm paraqitjet me Tiranën, por edhe 12 ndeshje me përfaqësuesen e kanë bërë Fatmir Frashërin mbrojtësin e djathtë më të mirë. Ai tregon edhe për eksperiencën me përfaqësuesen. “Ramiz Alia na thoshte: ‘Fitoni që t’u tregoni të gjithëve se kush është komunizmi. Tregoni vlerat e saj’. Ndeshjet miqë- sore ishin shumë të rralla dhe nuk kujtoj mirë nëse është bërë ndonjë me ekip kinez apo algjerian”, vijon fjalën e tij një nga legjendat e gjalla bardheblu dhe të futbollit shqiptar në tërë- si.

Në vitin 1972, ai lë futbollin e luajtur për të nisur punën si mësues i edukimit fizik. Më vonë, nis edhe karriera e tij si trajner ku në 1975-ën, në drejtimin e Tiranës, fiton Kupën. Më pas, karriera e tij vijon me shpëtimin e Kuçovës nga rënia në një kategori më poshtë, me Besën, me Dinamon që shpallet edhe kampion.

Gjithashtu, ai do të rikthehej sërish si bardheblu në drejtim të ekipeve të moshave të Tiranës për dhjetë vite deri tek ekipi i parë me të cilin shpallet kampion në vitin 2002. “Kisha jashtëzakonisht qejf që të isha trajner dhe të bëja kurse. Pishmani që kam është që unë të isha ngritur sa më shumë në nivel, që të përmirësoheshin edhe fëmijët apo lojtarët në nivel. Ata nuk kishin faj, unë po!”, përfundon intervista e Fatmir Frashërit për gazetarin Endi Tufa, transmetuar në “Procesi Sportiv”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"