Palushani kalon te Veleçiku, replikë drejtuesve shkodranë: Vllaznia, zero profesionalizëm!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 11, 2019 | 22:02

Palushani kalon te Veleçiku, replikë drejtuesve shkodranë: Vllaznia, zero profesionalizëm!

Kamelio Palushani, lojtari që u largua nga Vllaznia para pak ditësh, vijon polemikat me drejtuesit e klubit Vllaznia.

Palushani

Ai akuzoi drejtuesit për vendimet që merren në klub. Ndërsa ishte administrator Lici që nuk kurseu kundërpërgjigjet ndaj tij. Mirëpo, Palushani përmes gazetës “Panorama Sport” është shprehur sërish me replikë ndaj drejtuesve të klubit kuqeblu.

“Unë thjesht dua që t’u drejtoj zyrtarëve të klubit një pyetje: mos vallë në ekipet e moshave jam shpallur kot golashënuesi më i mirë dhe kam fituar kot së bashku me shokët e mi 6 trofe në 2 vite..?! Po ua përsëris pra, jam shpallur dy herë kampion i vendit me grup-moshën e 19- vjeçarëve. Unë jam aktivizuar vjet dhe e dinë të gjithë sesi jam paraqitur. Për këtë mund të flasin edhe tifozët. Suad Lici e di mirë se si kanë hyrë në lojë lojtarët e tjerë. Këtë e dinë mirë edhe të tjerët. S’kam pse zgjatem më shumë se për ta i bie të flas shumë. Profesionalizmi i klubit me mua ka qenë në nivelin zero. Kam ardhur me lekët e familjes sime deri këtu dhe jo me lekët e klubit. Kam pasur një nga rrogat më të vogla në ekip. E mua personalisht nuk më kanë plotësuar asnjë kusht. Te Vllaznia kanë ndërruar tre trajnerë, por jo drejtuesit. Prandaj ecim kështu”, është shprehur ishfutbollisti i Vllaznisë.

TRANSFERIMI TE VELEÇIKU – Kur kanë mbetur vetëm 3 ditë nga fillimi i sezonit të ri futbollistik, në kampin koplikas vazhdon rokada e futbollistëve. Një shkodran tjetër i është bashkuar skuadrës veriore dhe bëhet fjalë për sulmuesin Palushani, i cili që nga dje është në dispozicion të trajnerit Duli. Ndërkaq, kreu i pankinës koplikase, u shpreh për “Panorama Sport” se skuadra vazhdon të ketë vështirësi. “Kemi probleme akoma, pasi nuk po gjejmë një sulmues të mirëfilltë goli. Palushani na bën punë, pasi qëndrimi i sulmuesit kryesor Ujka, te Veleçiku është ende në pikëpyetje”, tha Duli.

Admir Uruçi & Bashkim Ramekaj

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"