Pakult si Murinjo, kërkon të gjejë “spiunin” në skuadër

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 19, 2018 | 13:03

Pakult si Murinjo, kërkon të gjejë “spiunin” në skuadër

Peter Pakult pret kthesën ndaj Vllaznisë. Humbja në Gjirokastër “djeg” ende, ndaj edhe trajneri paralajmëron se skuadra duhet të dalë e fituar në ndeshjen e sotme jo vetëm në rezultat, por edhe në lojë. Austriaku deklaroi se ka marrë masa për gabimet e bëra në javën e fundit, megjithatë nuk i ikën “inati” me informacionet e dala një ditë më vonë në “Panorama Sport” nga mbledhja që ai dhe stafi i tij zhvilloi me presidentin Safet Gjici.

pakult-3

Gjatë konferencës së dhënë për mediat, numri një i verilindorëve u kërkoi të tijve që të jenë më agresivë, por nga ana tjetër do kujdes me kartonët dhe sidomos ato disiplinorë. Edhe pse nuk dëshiron që të ndërhyjë në zgjedhjet e Panuçit për Kombëtaren, Pakult thekson se Guri është sulmuesi më i rrezikshëm i kampionatit tonë.

Sa jua prishi llogaritë ajo humbje me Luftëtarin?

Është fakt që na erdhi në një moment të mirë ajo humbje. Ata kishin shumë ndeshje pa humbje, që pas asaj që morën me Partizanin. Bëmë një lojë të dobët në pjesën e dytë, por do tentojmë t’i ndryshojmë gjërat duke filluar nga takimi i radhës. Mund të bëjmë shumë më mirë se në pjesën e dytë me Luftëtarin. Këtë e dinë të gjithë dhe shpresojmë që ekipi të rikthehet aty ku duhet. Jam tepër i bindur se nesër (sot) do të tregojmë tjetër fytyrë.

Si e komentoni lënien e Sindrit Gurit jashtë Kombëtares, a është ai gati për një ftesë?

Nuk më takon të flas për punën e zotit Panuçi. Ai bën zgjidhjet e veta. Natyrisht që me ndeshjet që po bën Guri, ka treguar se është momentalisht sulmuesi më i rrezikshëm në kampionatin shqiptar. Shpresoj që Guri ta mbajë këtë formë dhe nëse ia del, gjërat do vijnë me radhë. Mendoj se ka një ecuri të mirë dhe shpresoj që të ruajë ritmin. Po e ndjek në çdo seancë stërvitore dhe shoh që është i përqendruar dhe do të vazhdojë të rritet më tepër.

Si po e përgatisni ndeshjen me Vllazninë, ekip që po bën mirë së fundmi?

Kam informacion për Vllazninë dhe e di që në janar kanë marrë lojtarë cilësorë dhe po arrijnë rezultate të mira. Ne jemi të përqendruar te puna jonë, e dimë se do të jetë e vështirë. Por, ne do të japim maksimumin dhe do të fitojmë. Mendoj se nesër (sot) ata do të qëndrojnë prapa dhe do kundërsulmojnë. Jemi përgatitur për këtë gjë.

Jeni i shqetësuar nga humbja e pësuar me Luftë- tarin dhe a i keni rregulluar gabimet që ndodhën atje në pjesën e dytë?

Unë jam më shumë i shqetësuar që, pas takimeve që zhvilloj me presidentin, gjërat që flasim aty, të nesërmen më dalin në gazetë. Kjo gjë nuk më pëlqen fare. Sidoqoftë, do shohim se çfarë do të bëjmë.

Nuk ju përgjigjët pyetjes…

Nuk e luajtëm mirë ndeshjen dhe nuk shkoi ashtu sikur donim. Bëmë shumë gabime dhe duhet të përmirë- sohemi duke filluar nga Vllaznia.

Vllaznia, ashtu si Luftëtari, ka një sulmues të “frikshëm” si Sukaj. I druheni?

Kemi respekt, por jo frikë. Do bëjmë çmos që të fitojmë.

Ka diçka që nuk shkon në ekip momentalisht?

Këtë gjë e dini mirë ju, keni informatorët më të mirë. Është fakt që kemi disa lojtarë me 3 kartonë të verdhë. Nuk më pëlqen që dy prej tyre i morën ndeshjen e kaluar për kontestime ndaj arbitrit. Sidoqoftë, ndaj Vllaznisë do futemi me vetëbesim në fushë dhe do të tentojmë që në çdo aspekt të dalim të fituar, por duhet të jemi shumë agresivë. Këta lojtarë duhet të jenë të kujdesshëm që të mos marrin kartonë. Por, kjo nuk do të thotë se nuk do të futen në dyluftim sepse e dimë sesi është fusha jonë, është e vogël dhe duhet luftuar shumë.

Duke qenë se skuadra gaboi në ndeshjen e fundit, a ka vend për ndryshime në formacion?

Po, do ketë ndryshime. Është normale kjo, kur nuk funksionon diçka si duhet, mundohem të marr më të mirën nga ekipi im. Është fakt dhe që në sulm nuk kam mundësi të bëj ndryshime të mëdha. Të shohim, pasi nuk kemi shumë për të ndryshuar shumë gjëra në sulm.

SKERDILAID SULOZEQI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"