Pakult ankohet para sfidës me Valetën: Jam i zhgënjyer nga disa lojtarë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 9, 2018 | 17:28

Pakult ankohet para sfidës me Valetën: Jam i zhgënjyer nga disa lojtarë

Peter Pakult është i zhgënjyer për faktin se një pjesë e lojtarëve iu bashkuan me vonesë ekipit në minifazën përgatitore në Slloveni. Trajneri i Kukësit, i ftuar në “RTSH” të shtunën në mbrëmje, është ankuar kur është pyetur për situatën në skuadër. Fillimisht, austriaku foli për kundërshtarin në Champions, Valetën, që e vlerësoi shumë. “Valetën e ndjek prej kohësh. Është një ekip me eksperiencë dhe shumë i fortë.

piter pakult

Nëse mendojmë se ky ekip është gjithmonë skuadër pjesëmarrëse në Champions, mund të themi se është një ndeshje e vështirë. Kemi punuar disa javë në Slloveni dhe besoj se jemi gati për ndeshjen e parë. Nuk ka takime të lehta dhe kundërshtarë të tillë. Botërori është shembulli i qartë. Megjithatë, mendoj se do t’ia dalim me sukses, pasi jemi përgatitur mirë. Te ne është pak problem që disa lojtarë nuk morën pjesë që në fillim të fazës përgatitore dhe erdhën pak me vonesë. Disa lojtarë të tjerë kishin një pushim pak më të gjatë dhe jam i zhgënjyer nga kjo pjesë. Kemi bërë shumë afrime, por do të shohim lojtarë të rinj në moshë. Disa nga futbollistët e afruar në merkato kanë qenë prej një periudhe të gjatë pa stërvitje dhe kjo më ka zhgënjyer pak. Tani jemi të fokusuar 100 % te ndeshja dhe besoj se do të bëjmë një paraqitje të mirë”, deklaroi trajneri i Kukësit.

BOTËRORI

Pakult zbuloi se bën tifo për Anglinë në këtë Botëror, duke qenë se Austria e tij nuk mundi të kualifikohej. “Është një Botëror që nuk duhet lënë asnjë ndeshje pa parë. Më vjen keq që Austria nuk është pjesë e këtij Botërori. Jam i befasuar që Rusia shkoi deri këtu, duke qenë se vitet e fund nuk ka pasur një ecuri të mirë. Ekipet e vogla kanë bërë shumë progres dhe pjesa fizike e loja po bëjnë diferencën. Ndoqa ndeshjen e Anglisë edhe pse përballë kishte një Suedi që vetëm mbrohej dhe jo e bukur për t’u parë.

Më bëhet shumë qejfi që Kroacia arriti të kalonte në gjysmëfinale, pasi me presidentin e federatës së Kroacisë jam shumë mik. Kur sheh një Modriç të tillë që luan deri në fund me të njëjtin temp, është diçka fantastike. Fatkeqësisht, Kroacia do të luajë me Anglinë dhe unë jam pak tifoz i Anglisë dhe mbi të gjitha, Anglia ka një ekip të ri dhe bën një lojë shumë të shpejtë. Anglia ishte një surprizë, pasi edhe trajneri ka qenë pjesë e U-21 dhe është zgjedhur vetëm në momentet e fundit. Ai ka pasur një kohë të shkurtër dhe ka bërë një punë të mirë, prandaj edhe Federata Angleze vendosi t’i besonte. Ai zgjodhi lojtarë të rinj nga ekipe të mëdha dhe prandaj sot ka arritur deri këtu. Kejn? Ai ka shënuar 6 gola dhe duke qenë lojtar i ri, ka shumë përgjegjësi. Deri më tani, shumë lojtarë kanë luajtur për të”, përfundoi trajneri austriak i Kukësit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"