Pak tifozë dhe festë malteze, ja pikantet e sfidës Kukësi-Valeta

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 12, 2018 | 22:33

Pak tifozë dhe festë malteze, ja pikantet e sfidës Kukësi-Valeta

Ndeshja mes Kukësit dhe Valetës ka pasur pak interes, edhe pse bëhej fjalë për një takim të vlefshëm për turin e parë të Ligës së Kampioneve. Numri i tifozëve nuk shkoi as 1 mijë dhe kjo ishte diçka e paralajmëruar, pasi një ditë para sfidës, as 200 bileta nuk ishin shitur.

kukesi

Gjithsesi, tifozët e Kukësit erdhën në mënyrë të organizuar në stadium, pak minuta përpara se të niste ndeshja, duke sjellë një atmosferë të ndezur në qytetin e Shkodrës, edhe pse të paktë në numër. Ultrasit e Kukësit, grupimi “Mërgata”, mbështetën fuqishëm skuadrën, madje në një moment ndezën edhe flakadanë, duke krijuar atmosferë.

SHKODRANËT – Pritej që të kishte më shumë shkodranë në mbështetje të Kukësit, por, mesa duket, ndeshja gjysmëfinale e Kampionatit Botëror mes Kroacisë dhe Anglisë ka pasur një ndikim të madh. Një numër i konsiderueshëm shkodranësh pëlqejnë futbollin kroat.

MALTEZËT – Rreth 30 tifozë kanë udhëtuar nga Malta për të ndjekur në stadiumin e Shkodrës ekipin e tyre të zemrës, Valeta. Me flamuj, fanella dhe simbole të Valetës dhe Maltës, ata kanë mbështetur ekipin e tyre. Disa prej tifozëve kishin marrë me vete edhe instrumente muzikore tradicionale, duke tërhequr vëmendjen në stadiumin e Shkodrës.

kukesi

PËRPLASJA – Gjatë lojës, një moment pikant u shënua në minutën e 36-të, kur dy lojtarët e Kukësit, Melo dhe Çyrbja, debatojnë mes tyre pas një kundërsulmi të Valeta në të djathtë të mbrojtjes kuksiane. Të dy lojtarët bëjnë gjeste ndaj njëritjetrit, duke u munduar të sqarohen. Ndërkohë, në minutën e 78- të, pas një inkursioni në të djathtë, lojtari i Valetës, Gill, godet një top në anësore dhe i heq nga dora flamurin asistentin islandez. Ky moment shkaktoi ilaritet në stadium.

THIRRJET – Teksa po luhej minuta e 60-të, grupimi i tifozëve “Mërgata” brohoritën në kor emrin e Ballist Morinës, shqiptari i cili u lirua pak ditë më parë nga burgu. Tifozët e Kukësit shfrytëzuan momentin për të brohoritur në kor emrin e njeriut që u bë i famshëm në Serbi-Shqipëri, duke marrë përsipër autorësinë e ngritjes së dronit.

DREJTUESIT – Drejtuesit e Valetës kanë ardhur të shoqëruar nga bashkëshortet në Shkodër. Përveçse kanë shijuar ndeshjen, ardhjen e tyre që më 9 korrik në Shkodër e kanë shfrytëzuar edhe për të shijuar resurset natyrore, dhe jo vetëm, që ka qyteti verior.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"