“Pak e vështirë të luash në Kategorinë e Parë”, Shtubina: Jap maksimumin tek Egnatia dhe s’bëj premtime

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 6, 2020 | 12:30

“Pak e vështirë të luash në Kategorinë e Parë”, Shtubina: Jap maksimumin tek Egnatia dhe s’bëj premtime

Sulmuesi Ndriçim Shtubina është një nga afrimet e para të merkatos tek Egnatia. Ish-lojtari i Vllaznisë, Skënderbeut dhe Laçit ka një përvojë të gjatë dhe pritet të jetë shumë i rëndësishëm për skuadrën rrogozhinase sezonin e ri. Shkodrani e ka treguar veten edhe me golat që ka shënuar në katër miqësoret e deritanishme. Në një prononcim për “Panorama Sport”, Shtubina thekson se Egnatia ishte zgjedhja e duhur për të.
118784117_3170476599731838_3017714575133997938_n
“Jam ambientuar shumë shpejt me skuadrën. Që ditën e parë u ndjeva mirë, gjeta mbështetje nga të gjithë. Mund të them se fillimi i mbarë është gjysma e punës për mua, stafin dhe gjithë lojtarët e tjerë. Golat? Ata vijnë së pari nga stërvitja e mirë që po kryejmë nën drejtimin e trajnerit Magani. Jam munduar të përfitoj sa më shumë gjatë seancave për të kapur formën, pastaj edhe shokët kanë qenë bashkëpunues. Presidenca, stafi teknik dhe tifozët presin shumë dhe shpresoj që të gjithë ne ta realizojmë objektivin. Është diçka e bukur të nisësh një rrugëtim të ri në karrierë. Nuk premtoj shumë, pasi në futboll s’ka asnjëherë premtime, por di të them se do të bëj maksimumin tim në çdo moment. Të them të drejtën, është pak e vështirë të luash në Kategorinë e Parë. Ka ndryshime midis dy kategorive, në të Parën luhet futboll fizik, pavarësisht kundërshtarëve. Jam mësuar me këtë fakt dhe besoj se do t’ia dalim të garojmë me sukses. Projekti është i veçantë dhe kam besim se do ta realizojmë patjetër synimin e klubit. Jam mësuar të luaj jashtë Shkodrës, nuk është hera e parë. Kam pasur edhe familjen me vete kudo ku kam shkuar. Tifozëria rrogozhinase duhet të na mbështesë gjithmonë. Duhet gjithmonë ta kemi si motivim kryesor dhe çdo arritje duhet ta festojmë bashkë. Tifozët janë ‘oksigjen’ për skuadrat dhe jam i bindur se do t’i gëzojmë javë pas jave”, ka thënë mes të tjerash Shtubina.

ALDO BUZI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"