“Paguaj 180 mijë euro në muaj”, Idrizi sqaron vonesat e rrogave te Flamurtari: Paratë janë… (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 14, 2018 | 23:13

“Paguaj 180 mijë euro në muaj”, Idrizi sqaron vonesat e rrogave te Flamurtari: Paratë janë… (E PLOTË)

Klubi i Futbollit Flamurtari pranon se ka vonesa në dhënien e pagave. Gazeta mëson se behët fjalë për 3 muaj, por administratori Sinan Idrizi, i kontaktuar dje nga “Panorama Sport”, ka pasur ndërgjegjësimin për të sqaruar gjithçka, duke pranuar njëkohësisht këtë fakt. Idrizi theksoi se deri tani ka paguar 11 milionë euro te Flamurtari dhe natyrisht që do të paguajë edhe këto detyrime që janë vonuar.

idrizi

“Ai që ka paguar deri më sot në klubin Flamurtari 11 milionë euro, ai merr përsipër të gjitha përgjegjësitë për të paguar çdolloj detyrimi që ka. Nëse ka vonesa, mban përgjegjësitë e tij. Pra, ai që ka marrë përgjegjësinë dhe që ka paguar deri tani kaq euro, ai do të mbajë përgjegjësi edhe për këto të tjerat. Por, miqësisht u them që nëse ka pyetje të tipit të tillë që janë jashtë futbollit më pyesni mua dhe jo trajnerin. Klubi mban përgjegjësitë e tij, u shkon deri në fund dhe nuk ka nevojë të merret me këto gjëra. Të pyetet trajneri i Flamurtarit ‘e ke marrë rrogën ti apo jo’, më duket çudi e madhe. Po, ta them unë nga goja ime: Flamurtari ka një moskorrektësi në kalendarin e pagesave që është përgjegjësi e klubit. Kanë 10 vjet pa u paguar. Ai që ka paguar deri më sot 11 milionë euro te Flamurtari, ai do i bëjë edhe këto pagesa. Unë nuk kam probleme me lojtarët e mi për këtë vonesë”, u shpreh fillimisht Idrizi.

SITUATA- Administratori Sinan Idrizi deklaron se ka pasur edhe lojtarë, të cilët kanë marrë paradhënie. Ai zbuloi se paguan 180 mijë euro çdo muaj. “Jemi i vetmi klub në Shqipëri që kemi probleme me pagesat. Unë e kam përsëritur çdo vit këtë gjë. Ju kërkojmë ndjesë për këtë. E përsëris që unë që kam paguar 11 milionë, unë paguaj edhe të tjerat. Unë kur kam probleme apo kam vonesa e them nuk e kam fshehur ndonjëherë, ashtu sikundër po të them se pjesa më e madhe ka marrë paradhënie. Pjesa më e madhe i kanë marrë. Unë këto kushte kam, kaq di të bëj. Edhe nëse i vonoj, ç’të bëj, kaq di personalisht të bëj. Nëse ka dikush që e bën më mirë që i paguan në kohë, është korrekt të paguajë 180 mijë euro muaj për muaj, le të vijë. Në mëngjes iki unë”, tha Idrizi,

PYETJET- Sinan Idrizi ka edhe disa pyetje që lidhen me ligjet që duhet t’u japin zgjidhje edhe vonesave në paga dhe funksionimin normal financiar të klubeve. “Përpara se të pyesni për rrogat, unë kam disa pyetje. Ligji për sportet ku është? Ku i keni ligjet për investimet në sport? Unë paratë i transferoj nga jashtë. Ku e keni ligjin për këto? Në vend të na ndihmoni që të shtrëngohet puna për ligjet sportive që kjo punë të kthehet në biznes, ju merreni me u vonuan rrogat te Flamurtari dy muaj, tre. Çfarë është kjo histori. Ndihmoni biznesin në drejtim të ligjit, pasi unë fondet i sjell nga jashtë, nuk kam aktivitet në Shqipëri”, vijoi Idrizi. Në fund administratori e mbyll me një fjali, që sipas tij është realiteti i vërtetë: “Ne jemi i vetmi klub në Shqipëri që po japim rrogat, kjo është gjëja më e mirë”.

ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"