Pagat e bllokuara të Flamurtarit, Sinan Idrizi takon kryebashkiakun e Vlorës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 27, 2020 | 14:08

Pagat e bllokuara të Flamurtarit, Sinan Idrizi takon kryebashkiakun e Vlorës

Sinan Idrizi takohet me Dritan Lelin. “Panorama Sport” mëson se administratori dhe kryebashkiaku kanë diskutuar për më shumë se 30 minuta rreth problemit të pagave, por edhe llogarive të bllokuara. Administratori i ka mëshuar ndjeshëm të dytës, pasi pret që të zhbllokohen sa më shpejt kontot bankare. Atë që e ka reklamuar disa herë në gazetë, ia ka thënë drejtpërdrejt edhe numrit një të Bashkisë Vlorë. Idrizi ia ka bërë të qartë Lelit se kontot vazhdojnë të mbahen peng për shkak të një borxhi prej 4 milionë lekësh të vjetër (një detyrim që është nga koha kur klubi administrohej nga bashkia). Administratori i ka thënë kryebashkiakut se në kushtet kur ky detyrim nuk pranohet të paguhet nga ish-presidenti Shpëtim Gjika, është i gatshëm ta mbulojë vetë.
Sinan-Idrizi-Dritan-Leli-750x430

Por që kjo të ndodhë, do edhe siguri nga bashkia. Pra, nëse e paguan ai, institucioni i pushtetit vendor duhet që t’ia njohë. “Kemi një problem shumë të madh. Na janë bllokuar llogaritë bankare për një detyrim prej 4 milionë lekësh. Nuk është detyrimi im. Por as Shpëtim Gjika nuk i del për zot firmës së vet. Si do t’ia bëjmë? Unë dua të paguaj lojtarët, por nuk e bëj dot pasi kontot janë të bllokuara. Tani po i paguaj nën dorë, gjeta një zgjidhje emergjente, për t’u dhënë ndonjë lek se edhe ata kanë familje dhe i duhen në këtë situatë. Ato 4 milionë lekë i paguaj edhe unë, por dua garanci që të më njihet nga bashkia”, i ka thënë Idrizi, kryebashkiakut.
leli keshilli bashkiak

KRYEBASHKIAKU
Dritan Leli është shfaqur tejet i gatshëm për ta ndihmuar klubin. Gazeta mëson se kryebashkiaku i ka thënë administratorit se do të ulet me juristët e bashkisë për t’i dhënë zgjidhje kësaj çështjeje, ndërsa i ka shprehur administratorit mbështetje për privatizimin e klubit. “Do të ulem me juristët për ta diskutuar si çështje. Nëse ka hapësira nga baza ligjore, patjetër që do t’i japim një zgjidhje. Nga unë personalisht dhe bashkia, ke mbështetjen maksimale, pasi mbështes maksimalisht privatizimin e klubit”, mësohet të ketë thënë Leli.
Sinan-Idrizi
KONFIRMIMI
Sinan Idrizi ka konfirmuar për “Panorama Sport” takimin me kryebashkiakun. “Zhvillova një takim me kryetarin e bashkisë, Dritan Leli. Folëm për situatën. I thashë si qëndron problemi. Më tha se është i gatshëm të na ndihmojë. Tani të presim. Unë kam një thirrje të drejtpërdrejtë për ish-presidentin e Flamurtarit, Shpëtim Gjika. Të vinte të paguante detyrimin e tij. Hajde likuidoje se për 10 sekonda të zeroj të gjitha problemet e Flamurtarit. Por nuk po vjen. Siç ju thashë tani kam nisur t’u shpërndaj lojtarëve pagën e luftës”, përfundon administratori i kuqezinjve.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"