“Pa turp e respekt”, Longo nuk përmbahet kundër “spiunëve” të Dinamos

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 14, 2022 | 8:49

“Pa turp e respekt”, Longo nuk përmbahet kundër “spiunëve” të Dinamos

Diego Longo nuk i duron dot “spiunimet” e stërvitjeve të tij, për më tepër kur ato ndodhin nga kundërshtari që do të kenë përballë këtë javë. Mirëpo, kushtet në të cilat përgatitet Kukësi, pikërisht në një kompleks që u jep mundësinë kujtdo që të ndjekë edhe me detaje seancën, e bën të pamundur zhvillimin e stërvitjeve në intimitet siç do të donte çdo trajner.

DIEGO LONGO

Pikërisht ditën e djeshme, teksa skuadra e Kukësit po kryente normalisht si çdo ditë përgatitjet, Longo pikas stafin e Dinamos që po konsumonte një kafe në lokalin aty pranë, duke i dhënë praktikisht një pamje të qartë edhe seancës që po kryente Kukësi. Në fakt, Dinamo do të stërvitej më pas në të njëjtën fushë.

REAGIMI
Italiani, me të parë situatën në të cilën ndodhej, ka reaguar menjëherë në rrjetet sociale duke publikuar edhe një foto të stafit dinamovit, të cilët qëndronin në kafen e kompleksit. Pjesë e tavolinës mësohet se kanë qenë edhe zyrtarë të Partizanit.

Longo ka hedhur menjëherë dyshimet e tij për këtë situatë, duke përdorur ironinë dhe duke mos e quajtur aspak rastësore. Në vijim të reagimit të tij, ai thekson se do t’u kthejë vizitën, për t’i “respektuar” ashtu siç duhet.

“Është një kënaqësi e madhe për mua që i gjithë stafi teknik dhe drejtues i Dinamos ndjek stërvitjen tonë. Natyrisht që për pak ditë do të jemi kundërshtarë, është thjesht një rastësi! Shpresoj të vazhdoj të jem frymëzim. Në këtë pikë, të mos bësh të njëjtën gjë do të ishte një akt vrazhdësie, ndaj do ta kthej vizitën dhe do të ndjek me kujdes stërvitjen e tyre”, shkruante Longo, i cili dukshëm tregon edhe pakënaqësinë e tij që pikërisht kundërshtarët e radhës po e spiunojnë pa të keq.

Teksa një mik i ka kujtuar një rast të ngjashëm në Itali, Longo ia kthen:

“Këtu ata dalin hapur në dritën e diellit… pa turp dhe respekt”, vijoi më tej italiani i Kukësit. Në njëfarë mënyre kanë nisur edhe polemikat e para për këtë ndeshje, e cila siç dihet është shtyrë për të mërkurën, për shkak të rasteve të shumta me COVID te verilindorët, por edhe inaugurimit të stadiumit të ri “Kukës Arena”.

longo

KËRKESA
Shpesh Longo ka kërkuar privatësi sa i përket stërvitjeve, por aktualisht klubi i Kukësit nuk i ka këto mundësi për të pasur një kompleks të vetin dhe për të qenë larg syve kureshtarë.

Megjithatë, ndjekja nga afër e përgatitjeve nga stafi i Dinamos pak ditë para përballjes mes tyre, ka detyruar Longon të kërkojë në klub mundësinë të rishohë edhe një herë kushtet për të kryer stërvitje.

Mbetet për t’u parë zgjidhja që do të jepet në këtë rast, sepse nuk është hera e parë që ndodh me Kukësin, por “spiunimi” nga rivalët direktë ka bërë që italiani të mos e përtypë dot këtë fakt, duke e konsideruar edhe si paturpësi dhe mungesë respekti.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"