“Pa stres, e fitojmë derbin ndaj Erzenit”, Kotobelli: Teuta nuk futet kurrë për barazim! Mungesa e…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 3, 2022 | 10:37

“Pa stres, e fitojmë derbin ndaj Erzenit”, Kotobelli: Teuta nuk futet kurrë për barazim! Mungesa e…

Ditën e sotme, Teuta do të luajë sfidën e radhës përballë Erzenit në një derbi nga i cili pritet shumë. Në një prononcim për “Panorama Sport”, mbrojtësi i Teutës, Blerim Kotobelli, analizoi Teutën në të gjitha aspektet, duke filluar që nga sfida ndaj Erzenit, deri tek aspekti psikologjik.

KOTOBELLI

Si është atmosfera në skuadër në prag të derbit ndaj Erzenit? Atmosfera është tepër pozitive, përtej pikëve të munguara, por më shumë nga loja që kemi bërë. Atmosfera është pozitive për vetë faktin se derbi i prodhon këto. Të gjithë janë të motivuar, jemi stërvitur fort dhe nuk e kemi ulur dozën e entuziazmit, pavarësisht fitores së munguar në këto dy javë.

Si paraqitet gjendja në skuadër 24 orë para derbit ndaj Erzenit?

Gjendja e skuadrës është shumë e mirë. Por derbi është për t’u fituar dhe nuk ka vend për justifikime. Çdo lojtar që do të luajë, do të japë maksimumin për të marrë fitoren e parë që nga mungon në këtë start.

Si është skuadra në aspektin psikologjik?

Derbi është për t’u luajtur dhe përjetuar. Kur e ke për herë të parë, sado të merresh me këtë aspekt, nuk arrin shumë. Stafi ka punuar që mos të kemi dozë të shtuar emocionale, pasi del logjika e lojës në plan të dytë. Po punohet që doza emocionale të mos jetë e lartë, për të kaluar në stres.

Besoni se kjo ndeshje do të jetë pika e kthesës?

Nga ana psikologjike mund të jetë pikë kthese, pasi ekipi që fiton në derbi, ka bonus për vazhdimësinë. Por ka dhe javë të tjera, janë 33 ndeshje të mbetura. Në objektiva afatshkurtra është pikë kthese, ndërsa në objektiva afatgjata janë edhe tri derbe të tjera për t’u luajtur pas këtij të nesërmit.

Do të ishit i kënaqur me barazim?

Neve për asnjë arsye nuk do të hyjmë për barazim, besoj se nuk jemi futur asnjëherë për barazim. E dimë që derbit prodhojnë pak spektakël, pasi motivimi dhe lufta janë në maksimum dhe kjo është në kurriz të spektaklit. Me gjithë respektin për kundërshtarin, nuk hyjmë për barazim, sepse në një ndeshje derbi futesh gjithmonë për ta fituar.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"