“Pa një president, Lushnja nuk ngjitet dot”, ish-trajneri Dedja sheh zgjidhje vetëm tek afrimi i…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 2, 2021 | 20:01

“Pa një president, Lushnja nuk ngjitet dot”, ish-trajneri Dedja sheh zgjidhje vetëm tek afrimi i…

Lushnja po vuan shumë mungesën e një sponsori. Kështu thotë ish-trajneri Hysen Dedja në një opinion për “Panorama Sport”. Ndonëse vlerëson mbështetjen e madhe që jep bashkia, ai mendon se klubi ka nevojë për dikë që ta udhëheqë. “Lushnja ka një mbështetje të konsiderueshme nga bashkia e qytetit, por që për mendimin tim është e pamjaftueshme.

Hysen-Dedja-e-pranon-Lushnja-do-merkato-por...

Duhet të ndryshojë mënyra e organizimit. Skuadra ka nevojë për një sponsor që të ngjitet në elitë. Duhet një grup sponsorizues, donatorësh, nga të dalë një president, një individ privat që të udhëheqë klubin. Kështu Lushnja mund të jetë konkurruese dhe pretendente kryesore për të kapur Kategorinë Superiore”, u shpreh fillimisht 60-vjeçari.

KRAHASIMI

Tekniku ka provuar ta drejtojë këtë ekip në të dyja kushtet, pra me sponsor dhe bashki, ndaj del në këtë konkluzion. “Vetëm me mbështetjen e bashkisë verdhejeshilët do të kenë shumë vështirësi. Të gjitha gjasat janë që të vazhdojë gjatë në Kategorinë e Parë. Di ta bëj dallimin sepse e kam drejtuar Lushnjën edhe me sponsor, edhe me bashki. Për mendimin tim, Lushnja është këtu sepse i mungon sponsori”, u shpreh mes të tjerash ishtrajneri.

INFRASTRUKTURA

Tekniku i njohur shkodran e ka drejtuar ekipin në tri periudha të ndryshme. Ai shprehu keqardhjen për gjendjen aktuale të futbollit lushnjar dhe theksin e vendos tek infrastruktura. “Lushnja ka tre vjet që ka rënë nga Superiorja dhe nuk është ngjitur dot. Gjatë kësaj periudhe nga grupi ku ka qenë prezent Lushnja, elitën e kanë shijuar ekipe me sponsor privat, si Bylisi, Apolonia apo Egnatia së fundmi. Edhe sa i takon infrastrukturës, Lushnja vuan.

Ekipi nuk ka ku të stërvitet. Më vjen shumë keq për këtë gjendje, sepse Lushnja ka një tifozëri të mrekullueshme, një publik të jashtëzakonshëm që e ndjek skuadrën e vet në çdo moment dhe meriton shumë më tepër se kaq. Tani që stadiumet u hapën, Lushnja ka favor spektatorin e saj të zjarrtë”, përfundoi Hysen Dedja.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"