“Pa ndihmën e shtetit, dalim nga Europiani.” Presidenti i volejbollit rrëfen situatën e vështirë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 21, 2018 | 22:42

“Pa ndihmën e shtetit, dalim nga Europiani.” Presidenti i volejbollit rrëfen situatën e vështirë

Volejbolli në Shqipëri po kalon një periudhë me aktivitete shumë të ngjeshura ndërkombëtare, ku gjatë këtij muaji kanë zbritur në parket të gjitha ekipet kombëtare, duke filluar nga të rriturit dhe deri te skuadrat e moshave. Ndërkohë që në shtator, në Tiranë dhe Durrës do të zhvillohen edhe finalet e Kampionatit Europian U-19 për femra.

Presidenti i Federatës Shqiptare të Volejbollit, Erlind Pëllumbi, bën një përmbledhje të situatës që po kalon ky sport në vendin tonë dhe i bën apel shtetit që të ndërhyjë sa më parë, pasi veprimtaritë e shumta ndërkombëtare janë të papërballueshme për buxhetin minimal që ka kjo federatë dhe do të ishte e turpshme nëse Shqipëria do të tërhiqej nga këto aktivitete që tashmë kanë startuar.

erlind pellumbi

Tashmë që janë zhvilluar dy takimet e para kualifikuese, a jeni i kënaqur me paraqitjen e skuadrave si për meshkuj dhe femra?

Përgjithësisht do të thosha që jam i kënaqur, sepse ne jemi në një fazë rindërtimi duke rinovuar skuadrat, pasi ishim në fundin e një cikli si te meshkujt ashtu dhe te femrat. Sigurisht që puna matet me rezultate, por me atë që kanë treguar ekipet në fushë ku nuk ka munguar spektakli, patjetër që mbetemi të kënaqur, pavarësisht rezultateve.

Le të kthehemi te fitorja shumë emocionuese e skuadrës së meshkujve përballë Austrisë. Çfarë mund të na thoni për këtë ndeshje?

Rinovimi i bërë në këtë skuadër gjatë edicionit të shkuar në Europa Ligë, tashmë po fillon të japë frytet duke na dhuruar ndeshje vërtet spektakolare, me takim të një niveli të lartë europian dhe ne për këtë gjë jemi shumë të kënaqur, pasi po u dhurojmë sportdashësve lojëra spektakolare.

Skuadra e femrave duket se po i vuan disi ndryshimet e shumta që janë bërë në ekip.

Po të nisim ta analizojmë situatën pse vijmë nga një edicion i shkëlqyer në Europa Ligë, duket sikur ekipi nuk ka të njëjtin ritëm si më parë, por nëse ne i analizojmë setet e zhvilluara, këto vajza kanë dhënë sinjale të forta që janë një skuadër me shumë perspektivë dhe që kanë një të ardhme të madhe përpara.

Gushti dhe shtatori janë dy muajt kur skuadrat përfaqësuese të volejbollit kanë aktivitete shumë të ngjeshura dhe për më tepër në shtator zhvillohet edhe Kampionati Europian U-19 për femra. A ka pasur ndonjë reagim nga ana e shtetit, duke qenë se ky sport është në vështirësi të mëdha financiare?

Nga shteti ende nuk kemi pasur ndonjë përkrahje, ndërkohë që një mbështetje modeste na ka ardhur nga Bashkia e Tiranës. Them modeste për faktin që të organizosh finalet e Kampionatit Europian, është një përgjegjësi e madhe dhe ne po përpiqemi të krijojmë pjesën më elementare për të përmbushur kushtet e zhvillimit të një aktiviteti të tillë sportiv. Kemi pasur një ndihmesë edhe nga Komiteti Olimpik, kuptohet minimale, pasi edhe buxheti i tyre është shumë i reduktuar. U kemi bërë apel për ndihmë duke filluar që nga Kryeministri dhe Ministria e Arsimit Rinisë dhe Sporteve, por deri në këto momente ende nuk marrë asnjë lloj mbështetje. U bëj thirrje të gjithë aktorëve që duhet të mbështesin jo vetëm këtë eveniment apo këto ekipe kombëtare që djersa e tyre të mos shkojë dëm, pasi është në të mirën e të gjithë kombit që përfaqësueset të jenë sa më dinjitoze dhe kompetitive. Ne presim më tepër vëmendje jo vetëm për volejbollin, por për të gjithë sportin në tërësi. Ne jemi në një situatë shumë kritike dhe do të ishte e turpshme për volejbollin shqiptar që të tërhiqet nga aktiviteti në këtë fazë të eliminatoreve.

Cilat janë objektivat e Federatës së Volejbollit? A do të kemi një tjetër sukses si ai që arritën femrat në edicionin e shkuar të Europa Ligës?

Ne kemi hedhur themelet për një të ardhme të suksesshme, pasi përveç punës që po bëjnë ekipet e para, ne po punojmë edhe me ekipet e moshave, ku për të dytin vit radhazi të gjitha përfaqësueset e moshave i kemi aktivizuar në aktivitete ndërkombëtare dhe, pavarësisht kushteve të vështira financiare, u kemi krijuar mundësinë të zhvillojnë faza përgatitore, në mënyrë që të përballen sa më denjësisht me kundërshtarë shumë herë më të fortë se në financiarisht. Megjithatë, ne jemi shumë të kënaqur me atë që këto skuadra kanë dhënë në fushën e lojës.

Përgatiti: ARTIN LLESHAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"