Pa Manxun e Zlatanin, kualifikimi europian çështje 20-vjeçarësh. Ja si pritet formacioni i Milanit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 24, 2021 | 21:48

Pa Manxun e Zlatanin, kualifikimi europian çështje 20-vjeçarësh. Ja si pritet formacioni i Milanit

Le t’u hedhim një sy shifrave: 1997, 1998, 1999, 2000. Kartat e identitetit të talenteve të Milanit, një prej sekreteve të skuadrës së Piolit. Djem të talentuar, të fortë dhe me të ardhme. Në një prej studimeve të fundit, Observatori i Futbollit “CIES” evidentoi se Milani është skuadra më e re e pesë kampionateve kryesore të Europës, më mirë sesa Monako dhe Mançester Junajtid.

milan

Ndoshta jo si FK Meta, klubit letonez plot 20-vjeçare, por kuqezinjtë “mbrohen” me një moshë mesatare 24.5 vjeç. Dhe kundër Crvena Zvezdës nesër në Ligën e Europës, ndoshta do të jetë edhe më e ulët se kaq. Meritë e Tomorit, Tonalit, Kalulusë, Selemekersit, Donarumës, titullarë të mundshëm. Ata mbi 30 vjeç janë vetëm 5: Ibra (39), Tatarushanu (35), Manxukiç (34), Kjaer (31) dhe Donaruma i madh (30). Ndoshta do të luajë danezi, ndërsa pjesa tjetër është sfilata e zakonshme e djelmoshave të talentuar.

FORMACIONI

Xhixho duhet ta nisë nga minuta e parë: 21 vjeç, i datëlindjes 1999 ka luajtur kaq shumë sa ndonjëherë harrohet mosha e tij (200 ndeshje në Serinë A). Manxukiç nuk do të jetë (dëmtim muskulor), Ibra pritet të kursehet, kështu që në sulm do të ketë hapësirë për talentin Leao, 21 vjeç. Në mbrojtje pastaj pritet që të ketë vend për 20-vjeçarin Kalulu dhe zbulimin Tomori, i ardhur nga Çelsi si përforcim për dyshen titullare Kjaer-Romanjoli, por që u bë menjëherë protagonist. Një qendërmbrojtës aspak banal, 23 vjeç edhe ai si Teo. Në mesfushë, veç 24- vjeçarit Kesi (tashmë veteran pavarësisht moshës) një shans i mundshëm për Tonalin (2000), gati për të udhëhequr repartin në mungesë të Benaserit. Kështu, kundër Yllit të Kuq të Beogradit, mosha mesatare mund të zbresë edhe nën 24 vjeç. Ndërsa në Serinë A, Milani është skuadra më e re që ka zbritur në fushë këtë vit: 24.1 vjeç ndaj 25.1 vjeç të asaj të Specias. Në sulm pritet Selemekers (’99), Çalhanoglu (’94) dhe Rebiç (’93). Kruniç dhe Meite mund të ngrenë disi mesataren, por pak rëndësi ka.

FOR

PO NË EUROPË?

Rekordi i PSV-së mbetet i paarritshëm: në 2013-ën, kundër ukrainasve të Çernomorets Odesës, Filip Koku aktivizoi një formacion që sapo kishte mbushur 21 vjeç, që është edhe sot e kësaj dite rekord në Ligën e Europës. Përveç talentit Depaj, ishin edhe Zoet dhe Hiljemark. Por, këtë vit “fiton” Sparta e Pragës me 22 vjeç. Milani është në vend të 7-të me formacionin që hodhi në fushë pikërisht kundër çekëve 23.7 vjeç. Kundër Crvena Zvezdës mund ta barazojnë këtë numër, i cili luhatet mes 23.7 dhe 24 vjeçëve, por që gjithnjë nuk i shpëton dot nofkës “baby Milan”.

Përgatiti: ANDROKLI DRALO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"