Pa lider dhe kokëfortësia e Tites, ja 7 mëkatet e Brazilit që sollën eliminimin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 8, 2018 | 21:39

Pa lider dhe kokëfortësia e Tites, ja 7 mëkatet e Brazilit që sollën eliminimin

Brazili ishte një nga favoritët për të fituar Botërorin, por u eliminua nga Belgjika në gjysmëfinale. Por shihej qartazi edhe gjatë kompeticionit që “Seleçao” nuk ishte në formë optimale dhe gazeta “AS” ka bërë një analizë, në të cilën ka treguar disa nga pikat ku trajneri gaboi dhe që ndikuan në eliminim.

brazili

GABIMET TAKTIKE – Tite gaboi totalisht planifikimin e ndeshjes kundër Belgjikës së Martinezit dhe ky i fundit përfitoi. Tite mendoi të përfitonte nga hapësirat që do të linte Belgjika në mesfushë me De Brujnen si mesfushor shkatërrues, por në fakt ai luajti shumë i avancuar. Skuadra e “Seleçaos” nuk arriti të kuptonte atë që duhet të bënte realisht, në mënyrë që të përmbyste ndeshjen. Sepse Belgjika përhapte panik gjithmonë, sa herë dilte përpara, falë shpejtësisë së Hazardit dhe Lukakut. Brazili nuk kishte menduar kurrë një plan B dhe diçka e tillë prishi pak ekuilibrat, pavarësisht dëshirës për t’u kualifikuar.

MUNGON LIDERI – Sistemi i rrotacionit dhe i zgjedhjes së kapitenëve të ndryshëm në ndeshje të ndryshme, në fillim u duk një ide interesante e Tites. Por në praktikë mund të përkthehet si një frikë e pashpjegueshme e trajnerit për të zgjedhur liderin e skuadrës së tij. Ose ndoshta më thjesht, sepse lideri në këtë skuadër nuk ekziston. Mungoi figura e kapitenit të vërtetë në momentet kur situatat dilnin nga kontrolli, sidomos në lidhje me Nejmarin.

NEJMAR PROBLEM – Tite i dha gjithmonë besim yllit të skuadrës Nejmar, por ai asnjëherë nuk ia shpërbleu në fushën e lojës. Nejmar nuk e gjeti kurrë formën e tij të mëparshme dhe vuajti dëmtimin që pësoi me PSG-në. Për më tepër, ai tregoi edhe probleme emocionale gjatë këtij Botërori, duke mos qenë kurrë i përqendruar në fushën e lojës. Si një fëmijë i llastuar, i pamaturuar, që në vend që të bëhej pikë e fortë, u shndërrua në pikë të dobët për Brazilin.

INSISTIM I KOTË – Tite ishte kokëfortë me vendimet e tij për formacionin. Ai i besoi shumë Gabriel Zhezusit, një sulmuesi që nuk shënoi kurrë, nuk dha asiste, nuk krijoi raste. Por në fakt, e mbajti në formacion puna dhe qëndrueshmëria taktike. Diçka e tillë nuk e ndihmon një skuadër si Brazili. Duheshin gola, por Tite këmbënguli te Zhezus dhe i dha pak besim Firminos.

MUNGESË KRITERESH – Tite e justifikoi rikthimin e Marselos në formacionin bazë ndaj Belgjikës si një vendim të marrë në bazë të kritereve, por deri atëherë Filipe Luis kishte luajtur në mënyrë të shkëlqyer dhe nuk meritonte të ulej në stol. Për më tepër, kriteret nuk ishin të njëjta në sulm. Sepse Firmino kishte shënuar një gol dhe sërish u ul në stol.

SHUMË DËMTIME – Në fillim Nejmar, pastaj Fred, Renato Augusto, Duglas Kosta, Filipe Luis, Fagner, Danilo, Paulinjo dhe Dani Alvesh. Brazili pati shumë probleme edhe me dëmtimet, të cilat nuk e lanë kurrë që ta kishte grupin të plotë në të gjitha ndeshjet dhe në fazën përgatitore.

PA ALTERNATIVA – Brazili kishte një formacion të frikshëm në fushë, por në stol mungonin alternativat, që mund të bënin diferencën. Dhe kjo lidhet me arsyen e mësipërme, sepse dëmtimet ia vështirësuan punën trajnerit për të pasur një grup të fortë në të gjitha momentet.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"