Osmani: Partizani na kishte frikë, ndaj e vononte lojën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 15, 2016 | 13:03

Osmani: Partizani na kishte frikë, ndaj e vononte lojën

Mbrojtësi i Skënder beut, Tefik Osmani, për “Panorama Sport” pohoi se Partizani i kishte frikë korçarët dhe për këtë arsye të gjithë ishin të angazhuar për të vonuar lojën.osmaniOsmani ka kërkuar falje për gjestin që bëri pas golit, si dhe pohoi se tani gjithçka duhet fokusuar te Flamurtari nëse duan të luftojnë për titullin e gjashtë.

Tefik, pse kaq shumë tension mes dy skuadrave për të marrë një pikë, ku në fund edhe ju u ndëshkuat me karton të kuq?

Pas golit që shënoi Partizani, të gjithë po vononin lojën, madje edhe tifozët. Kështu kërkuam që të paktën fëmijët, të cilët prisnin topat, të na i jepnin më shpejt, por kjo ishte e pamundur. Ne po luanim futboll, ndërsa ata nëse kanë frikë le të vazhdojnë kështu. Në momentin që mora kartonin e kuq, unë thjesht mora topin dhe e largova.

A jeni i penduar për gjestin që bëtë pas golit të barazimit?

Normalisht që po. Kur e mendoj tani nuk është një gjest i mirë, pasi e lashë ekipin për një kohë të shkurtër me 10 veta dhe dua t’i falënderoj për atë që dhanë në fushë.

Skënderbeu vuan shumë për të gjetur golin, pse ndodh kjo?

Po vuajmë shumë, por kemi treguar se jemi ne, pastaj vijnë të tjerët. Kemi presion, por në ndeshje të tilla duhet të tregonim veten. Titulli është i hapur natyrisht. Nuk menduam se sot (dje) vendoset gjithçka. Tani na pret një tjetër ndeshje shumë e vështirë ndaj Flamurtarit në shtëpi dhe duhet të mendojmë për të, duke harruar Partizanin.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"