Osmani: Ne pleqtë po habisim me paraqitjet tona, jemi më lart se të gjithë ekipet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 7, 2017 | 22:36

Osmani: Ne pleqtë po habisim me paraqitjet tona, jemi më lart se të gjithë ekipet

Skënderbeu ka marrë kryesimin që në javën e katërt të kampionatit dhe ky është një plus i madh për ekipin e Ilir Dajës. Në një prononcim për “Panorama Sport”, mbrojtësi Tefik Osmani, që në këto pesë muajt e fundit po luan si mesfushor shkatërrues, thur elozhe për ekipin, por mbi të gjitha kërkon gjashtë pikët në dy takimet e radhës.

Osmani

Osmani, pas katër javësh, Skënderbeu është në krye. E prisnit që të ishit të vetëm kaq shpejt?

Normalisht, pas rezultateve të mira që kemi marrë në Ligën e Europës, ekipi ka treguar forcë shumë të madhe. Kemi zhvilluar një fazë përgatitore shumë të mirë dhe e kemi treguar në të tilla ndeshje, siç ishin ato të Europës, që do të ishim gati për fillimin e kampionatit.

Keni dominuar Partizanin për 90 minuta, por keni fituar edhe në Kukës. Do të ketë rivalë ky Skënderbe?

Nuk është puna që nuk kemi rivalë, Skënderbeu ka një tjetër marsh dhe kjo tregon që jemi më lart se kundërshtari. Megjithatë është shpejt për të folur për rivalë, pasi jemi vetëm në javën e katërt.

Sa ju ka ndihmuar fakti që e keni nisur sezonin që në qershor?

Ky është një plus më shumë për ne dhe ekipin. Unë e thashë që faza përgatitore ka qenë shumë e mirë për ne. Plus kësaj, edhe ritmi që të jep Europa është mjaft i lartë dhe ne po mundohemi të shfrytëzojmë sa më shumë. Ndeshjet janë të ngjeshura, por po i përballojmë mjaft mirë dhe them se deri në dhjetor të paktën do të kemi këtë paraqitje në fushë.

Theksuat se kalendari është i ngjeshur, a mund të ndikojë për keq?

Skënderbeu është ndërtuar për të mos pasur probleme të këtij lloji. Kemi 25 lojtarë dhe pa dyshim të gjithë janë gati që të luajnë titullarë. Konkurrenca është mjaft e fortë në çdo pozicion dhe kjo i bën mirë ekipit, pasi çdo lojtar përpiqet të japë maksimumin. Pa dyshim që edhe kjo organikë e pasur na jep lehtësi për të mos e ndier shumë lodhjen.

Ndeshjet e fundit i keni parë nga tribuna, sa ju ka munguar aktivizimi?

Më shumë u kam munguar tifozëve, pasi me ekipin kam qenë 24 orë. Unë nuk rri dot pa ekipin dhe as ata nuk rrinë dot pa mua. Mendoj që këtë javë do të jem gati dhe do të bashkohem me grupin, pasi edhe dëmtimi tashmë ka kaluar plotësisht.

Domethënë i keni djegur etapat për të qenë pranë skuadrës?

Të ishte për mua, do të pranoja të qëndroja pushim, duke parë që ekipi nuk e ka të nevojshme praninë time në fushë. Siç e kemi parë, skuadra është e blinduar. Ne pleqtë, edhe pse po i habisim të gjithë me paraqitjet tona, mendoj që edhe po të mos i duhem ekipit në fushë, nuk mërzitem fare. Mjafton të ecë ekipi mirë.

Jeni më i qetë kur e shikoni ndeshjen nga tribuna?

Të them të drejtën, jam shumë më i emocionuar kur e shoh ndeshjen në tribunë, ndërsa në fushë jam më i qetë.

Skënderbeu ka bërë dy paraqitje të mira në ndeshjet e grupeve, por pa mundur të fitojë. Çfarë prisni?

Nuk është çudi që me këto paraqitje që kemi bërë deri tani në Europë, të kapim edhe vendin e dytë në grup dhe të kalojmë në fazën tjetër. I kemi vënë vetes një objektiv që të bëjmë maksimumin, pasi nuk kemi patur disnivel me kundërshtarët.

Kjo do të thotë se luani për tri pikë edhe me Partizanin e Beogradit?

Unë mendoj që kemi dy ndeshje të vështira, fillimisht me Laçin dhe më pas me Lushnjën. Me ekipet e vogla kemi vuajtur gjithmonë. Duhet të marrim 6 pikë me çdo kusht dhe më pas të mendojmë për ndeshjen në Europë. Skënderbeu nuk hyn asnjëherë në fushë për barazim apo të mblidhet në zonë për të mos pësuar. Kemi luajtur gjithmonë hapur dhe kemi bërë lojë të mirë.

Si e shikoni këtë kampionat që ka nisur me surpriza të mëdha, sidomos me pozicionin e Partizanit?

Së pari, më duhet të them se për nga përbërja që kanë, Teuta dhe Flamurtari nuk mendoj se janë surpriza, pasi kanë elementët e duhur për të bërë mirë. Ndërsa, nga ana tjetër, Kukësi dihet që është rivali ynë. Mendoj që edhe Partizani është shpejt për të dalë në konkluzion, pasi kampionati është shumë i gjatë. Por unë e përsëris që Skënderbeu është shumë më lart se këto ekipe. Edhe kur kemi qenë në të njëjtin nivel, ne sërish kemi rival vetëm veten.

LLAZI SARO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"