Osmani: Jemi më të mirët në histori, duhen 20 vjet për të na arritur

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 20, 2018 | 15:22

Osmani: Jemi më të mirët në histori, duhen 20 vjet për të na arritur

Skënderbeu fiton në Vlorë dhe është fi nalist i Kupës së Shqipërisë. Një arritje kjo e korçarëve, që tregojnë se janë një ekip pa rivalë këtë sezon dhe mund të fitojnë gjithçka, por mbi të gjitha mbyllin aludimet për një pakt mes kampionatit dhe Kupës. Një gjë të tillë e bëri me dije Daja menjëherë pas ndeshjes, por edhe Osmani në një intervistë për “Panorama Sport”. Ai thekson se veç arritjes së finales, është i kënaqur që edhe një herë ka nxjerrë blof shpifjet e bëra pa asnjë shkak ndaj djersës së futbollistëve.

Osmani

Osmani, një fitore bindëse në Vlorë ju çon në finale. I kënaqur për këtë arritje?

Sigurisht që po, i kënaqur për lojën dhe shpirtin e treguar nga ekipi dhe për arritjen në finale. Por mbi të gjitha, jam i kënaqur që Skënderbeu u dha edhe një herë përgjigje të gjithë atyre që nuk pritën, por menjëherë hodhën baltë mbi këtë ekip pas ndeshjes së parë në Korçë. U them të gjithëve se futbolli prandaj është i bukur, pasi ka të papritura dhe nuk dihet asnjëherë rezultati i një takimi.

Na kanë akuzuar shumë dhe nuk kanë pritur, por menjëherë, pas çdo takimi që ne humbim apo nuk e fitojmë, hedhin vazhdimisht baltë duke mos pasur aspak respekt për djersën tonë në fushë. Skënderbeu është mësuar që të japë gjithnjë përgjigjen nga fusha dhe ne e dhamë. Tani edhe unë bashkohem me trajnerin Daja. Ai që është burrë, del dhe kërkon falje publike, ashtu siç i bën ato akuza.

Të flasim për fushën. A ishte loja që bëtë në Vlorë, pikërisht ajo që kishit menduar?

Mund të them se bëmë zgjedhjen e duhur. Në pjesën e parë, të dyja ekipet kishin kujdes maksimal që të mos pësonin, prandaj u bë lojë e kujdesshme. Në të dytën, ne kërkonim me çdo kusht golin dhe e gjetëm. Ajo na bëri që më pas të kishim sigurinë e lojës dhe arritëm që të shënonim sërish. Ishte një fitore që më shumë se kurdo, ishte e nevojshme, pasi na çon në finale të kupës.

osmani 2017

Tashmë në finale përballë Laçit, mund të themi se është viti i duhur që Skënderbeu të fitojë këtë trofe?

Ne nuk e kemi fituar asnjëherë Kupën e Shqipërisë, por me elementët që kemi në përbërje, mund të them se do të bëjmë çmos që ta fitojmë. Të them të drejtën, jemi në rrugën e duhur pasi në kampionat kemi krijuar shkëputje, edhe pse nuk e kemi mbyllur matematikisht. Do të synojmë që të fitojmë gjithçka këtë vit.

Do të ishte mbyllja më e mirë e këtij sezoni?

Besoj se po, kjo edhe për shkak të rrugëtimit të mirë që kemi bërë deri tani. Kemi nisur shpejt sezonin, por jemi krenarë për çfarë kemi arritur. Kemi kaluar si askush tjetër katër ture në Europë, duke bërë një hap historik. Ato dy trofe janë në listën e objektivave dhe duam t’i marrim.

Në kampionat përballë Partizanit dhe më pas, Kukësit. Do të ishte hakmarrje e ëmbël të fitonit titullin me Kukësin?

Jo, ne nuk e mendojmë atë, ne nuk duam hakmarrje. Kërkojmë vetëm që të mbyllim sa më parë kampionatin, me qëllim që të jemi më të qetë. Sigurisht, kjo do të ishte edhe një plus për ne titullarët për të pasur më shumë ditë pushimi,pasi kemi bërë një kampionat të gjatë dhe të lodhshëm. Nga ana tjetër, mund të them se edhe të rinjve u takon që të kenë disa minuta në këmbë në fund të këtij sezoni.

Osmani

A mund të themi se ky është ekipi më i mirë i historisë?

Kjo nuk ka më asnjë dyshim, sepse duket nga të gjitha këto që kemi arritur. E përsëris, askush tjetër nuk e ka bërë këtë. Jemi ekipi i vetëm që kemi kaluar katër ture eliminatore për të qenë në Europë. Jemi ekipi i vetëm që kemi dy pjesëmarrje në Europë. Do të duhen më shumë se 20 vite, që dikush të përsërisë këtë që ne kemi bërë.

Për të gjitha këto sa thashë më lart, pa dyshim që jemi më të mirët. Na kanë krahasuar me Dinamon, duke na thënë se mund të bëhemi Dinamoja e dytë e kampionatit. Ne nuk jemi Dinamoja dhe nuk bëhemi si Dinamoja. Jemi Skënderbeu dhe asnjë ekip shqiptar nuk bëhet dot si Skënderbeu për të arritur të tilla nivele.

LLAZI SARO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"