Orue dhe Nafiu, Skënderbeut nuk i dalin mirë llogaritë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 12, 2016 | 10:59

Orue dhe Nafiu, Skënderbeut nuk i dalin mirë llogaritë

orueSkënderbeut nuk po i dalin dot llogaritë me blerjet e reja. Nga mbipesha dhe te pasaporta, dy prej lojtarëve të ardhur me shumë bujë janë kthyer në një problem për korçarët. Kur janë luajtur 3 ndeshje zyrtare që prej rifillimit të aktivitetit (kupë e kampionat), Angel Orue dhe Valmir Nafiu jo vetëm që nuk kanë debutuar, por do t’u duhet që të presin ende.

Paraguaiani

Paraguaiani Angel Orue duket se do të ketë fatin e bullgarit Ventislav Hristov. U afrua me shumë bujë te bardhekuqtë, por nuk ishte kurrë zgjedhje e parë për trajnerin Josa, pasi sulmi asokohe ishte “zaptuar” nga Salihi e Olainka. Por duket se historia do të përsëritet. Mbipesha prej 10 kilogramësh nuk do të jetë shqetësimi i vetëm për të, pasi marrja e një fanelle titullari kalon nga Hamdi Salihi.

Sulmuesi nuk është grumbulluar asnjëherë në një ndeshje zyrtare e jo më të luajë. Duke parë profilin e futbollistit, edhe nëse do të gjente formën e tij optimale (çka është e pamundur për një kohë të shkurtër), paraguaiani rrezikon të mos luajë.

Sulmuesi, për fatin e tij të keq, ka të njëjtin rol me bomberin Salihi, pra një lojtar zone. Kjo e bën të pamundur përfshirjen e tij në 11-she, teksa dihet që i vetmi që në njëfarë forme e ka vendin e sigurt është pikërisht shkodrani dhe këtë e kanë theksuar edhe vetë drejtuesit. Por një tjetër element që vështirëson aktivizimin e tij lidhet me çështje teknike.

Nëse Salihi dhe Orue do të luanin së bashku në vijën e parë, atëherë sulmi i Skënderbeut do të humbte shumë në shpejtësi dhe kjo do të rrezikonte ndjeshëm repartin difensiv. Mbetet kështu që paraguaiani të presë Salihin, pasi është i destinuar që të jetë në stol ose edhe jashtë 18- shes.

Duke ditur që Orue është afruar në formë huazimi te Skënderbeu deri në mbyllje të këtij sezoni, pritet që paraguaiani të rikthehet sërish andej nga erdhi, pa lënë shenjë te Skënderbeu. Dhe nëse kjo ndodh, atëherë sulmuesi paraguaian do të ishte pa dyshim një afrim i nxituar dhe i pastudiuar i drejtuesve bardhekuq.

Tetovari Mesfushori shqiptar nga Maqedonia, i afruar te Skënderbeu si pasuesi ideal i Bernard Berishës, ende nuk ka mundur që të debutojë në kampionat dhe të tregojë vlerat e tij. Ndryshe nga Orue, Valmir Nafiu është një lojtar tepër cilësor, i cili do t’u hyjë shumë në punë bardhekuqve, por edhe për të ekziston një problem disi delikat.

Mesfushori, i ardhur nga APOEL-i, luan si i huaj, pavarësisht se është shqiptar i Tetovës. Lojtari disponon pasaportë maqedonase dhe jo atë shqiptare, ndaj rrjedhimisht ai llogaritet si futbollist i huaj dhe jo shqiptar. Duke parë faktin se te Skënderbeu ka plot 8 futbollistë të huaj, nga katër që lejohen zyrtarisht në fushë, e bën disi të vështirë përdorimin e të gjithë lojtarëve në këtë pjesë të mbetur të sezonit.

Numri i limituar i të huajve te Skënderbeu, i cili është sa dyfishi i lejuar në FSHF, po kthehet në një problematikë më vete dhe zgjidhja mbetet vetëm nga trajneri Mirel Josa dhe stafi i tij.

Afrimi i shumë elementëve nga tregu i huaj ka qenë pika ku Skënderbeu mund të ketë gabuar disi, ndaj u përpoq që në janar të rikuperonte diçka duke huazuar Ademirin te Laçi. Por kaq nuk mjafton sigurisht, pasi numri mbetet i lartë, çka detyron bardhekuqtë që në çdo takim të lënë jashtë grumbullimit dy të huaj për të balancuar disi lëvizjet e mundshme në zëvendësimet gjatë pjesës së dytë të takimit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"