Oriku-Partizani B/ Memushi: Erdhi koha e kthesës. Allmeta: Nuk shkojmë për plazh

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 14, 2020 | 11:54

Oriku-Partizani B/ Memushi: Erdhi koha e kthesës. Allmeta: Nuk shkojmë për plazh

Oriku – Eqerem Memushi do të kërkojë kthesën sot. Pas humbjes me Vorën, trajneri pret vetëm fitore përballë Partizanit B. Luajnë në shtëpi, ndaj numri një i pankinës së Orikut e quan këtë 90- minutësh një detyrë shtëpie. Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, vlonjati i stolit të Orikut shprehet i bindur për kthesën. “Ndeshja e radhës është detyrë shtëpie për Orikun. Duke parë klasifikimin, duhet të ruajmë avantazhin nga skuadrat e vendit të fundit. Ky është trepikëshi më i domosdoshëm për ne. Na duhet kjo fitore, e cila do të tregojë ecurinë tonë në vijim. Futbollistët janë të angazhuar maksimalisht në përgatitjen e kësaj ndeshjeje.
eqerem-memushaj
Unë jam i bindur që do ta fitojmë këtë takim. Kam shumë besim te lojtarët. E kam thënë edhe më parë, se ne kemi cilësi në ekip dhe ekipet e tjera nuk kanë ndonjë diferencë të madhe me Orikun. Për nga elementët që kemi, duhet të jemi më lart në klasifikim. Kam besim se do të bëjmë mirë në këtë grup, pavarësisht vështirësive që mund të kenë ndeshjet. Janë ekipe të cilat nuk i njohim dhe që nuk jemi ndeshur më parë. Jam i bindur se do ta kalojmë me sukses edhe këtë ndeshje në shtëpi”, përfundon Memushi.

Sot, Oriku nuk do të ketë në formacion Kuçin, pasi është i pezulluar pas të kuqit. Ndërsa pas një mungese disajavore për shkak të dëmtimit, do të jetë në dispozicion Klejdi Branica.
Partizani B
PARTIZANI B – Partizani B ka udhëtuar drejt Vlorës, atje ku sot do të luajë me Orikun. Dritan Mehmeti do t’i bëjë llogaritë pa Florjan Peqinin e ndëshkuar me të kuq dhe disa lojtarë të tjerë të dëmtuar. E megjithatë, kjo nuk i pengon “demat” që të tentojnë vazhdimësinë. Mesfushori Entol Allmeta beson se skuadra nuk do të dalë duarbosh nga kjo transfertë. Teksa flet për “Panorama Sport”, ai shprehet: “Partizani nuk shkon as për plazh e as për piknik në Orikum, por për pikë. Ne jemi përgatitur për një tjetër fitore të transfertës. Ashtu siç fituam në Shijak, mendojmë të fitojmë edhe në Orikum. Do të japim 100% nga vetja për të pasur sukses. Jam optimist për një rezultat pozitiv. E rëndësishme është të mos dalim pa pikë që andej”

ERMAL SIKA 

ABDULLA DUSHKU 

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"