“Origi fantastik, por njerëzit nuk shohin futboll”, Klop: Nuk e kuptoj pse nuk erdhi një ofertë në merkato

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 17, 2021 | 10:47

“Origi fantastik, por njerëzit nuk shohin futboll”, Klop: Nuk e kuptoj pse nuk erdhi një ofertë në merkato

Jyrgen Klop pranon se ai është i surprizuar që në merkaton e verës nuk mbërriti asnjë ofertë për sulmuesin e tij Divok Origi. Sulmuesi belg, i cili ishte titullar kundër Milanit në Champions të mërkurën u kujtoi të gjithëve cilësitë e tij me asistin për golin e Salahut në fitoren 3-2 në “Anfield”.

Orixhi Klop

Ai u zëvendësua pas një ore lojë pas një kontraktimi muskulor, përpara se Henderson të shënonte golin e përmbysjes nga jashtë zone. “Njerëzit harrojnë se sa i mirë ai është. Por është e vështirë të hysh në këtë skuadër. Në merkaton e verës, ne të gjithë mendonim se do të vinte një ofertë e duhur për të, por me sa duket njerëzit nuk shohin mjaftueshëm futboll”, tha tekniku gjerman pas fitores të mërkurën.

26- vjeçari është lënë jashtë skuadrës në tri ndeshjet e fundit të Liverpulit në Premier Ligë dhe pritej që të largohej në merkaton e fundit duke qenë se është një zgjedhje e pestë në sulm, pas Sadio Manesë, Mohamed Salahut, Roberto Firminos dhe Diogo Zhotës.

Megjithatë, sulmuesi, i cili ka shënuar 35 gola (15 asiste) në 158 ndeshjet e tij me fanellën e “Reds”-ve mund të ketë shanset e tij kur Klopi të bëjë rrotacion këtë sezon. Ai nuk ishte e vetmja surprizë në skuadrën e gjermanit në sfidën e parë të Champions-it në Grupin B. Klop kurseu edhe Van Dajkun dhe Manenë, ndërsa Gomezi ishte titullar për herë të parë pas gati një viti.

“Origi është një sulmues i shkëlqyer. Ai do të vlerësohet si një legjendë pasi të largohet. Mund të kishte shkuar që në verë, por futbolli është një vend i çmendur dhe njerëzit harrojnë se sa i mirë ai është. Por ai nuk ishte në planet e skuadrës, jo sepse ka bërë diçka të gabuar, por për shkak se ne duhet të vendosim për pozicionet”, përfundoi tekniku.

PANORAMSPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"