Orelesi: U eliminuam me kokën lart, gati të qëndroj në Fier

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 31, 2023 | 13:15

Orelesi: U eliminuam me kokën lart, gati të qëndroj në Fier

Ky ishte i dyti vit radhazi që Apolonia dështon për t’u ngjitur në “Abissnet Superiore”. Edhe pse u “dogjën” nga një barazim në ndeshjen “play off”, konkluzioni është i qartë: edhe këtë sezon do të luajnë në inferiore.

bici orelesi

Nuredin Orelesi shpreh keqardhje që mbeten jashtë prej një rregulli, e megjithatë saktëson që u eliminuan me kokën lart. Gjatë një interviste të dhënë për “Panorama Sport”, mesfushori “skanon” ecurinë e kampionatit që sapo u mbyll, por foli edhe për të ardhmen e tij. Dhe duket se e ka ndarë mendjen që të qëndrojë edhe një vit në Fier.

Barazim i hidhur ndaj Flamurtarit. I zhgënjyer që u eliminuat në këtë mënyrë?
Sigurisht që ndihem keq, këtë nuk mund ta mohoj dot. Ne u përgatitëm shumë mirë për këtë ndeshje të rëndësishme dhe besuam deri në fund që mund të dilnim fitimtarë. Nuk ishte aspak e lehtë, sado që morëm vetëm një barazim, i cili për fat të keq nuk na hyn në punë për asgjë. U eliminuam, por duhet të jemi shumë krenarë dhe të mbajmë kokën lart për lojën e bukur që bëmë.

Çfarë nuk funksionoi në Vlorë?
Ndikoi paksa ai goli i pësuar në minutat e fundit të pjesës së parë, se ne më parë nuk u rrezikuam për asnjë moment nga Flamurtari. Sado në disavantazh, ne rigjetëm forcën brenda vetes duke e barazuar shpejt rezultatin, madje vijuam sulmet tona duke pasur raste të tjera të njëpasnjëshme për shënim, por nuk e gjetëm dot golin e dytë.

Si do ta vlerësonit sezonin që sapo u mbyll, duke kujtuar se objektivi madhor nuk u arrit?
Më me rëndësi është transformimi i Apolonisë, veçanërisht në pjesën e dytë të sezonit. E vlerësoj jashtëzakonisht progresin e fierakëve, që dhanë e bënë gjithçka mundën për të arritur objektivin madhor. Nuk na mbetet gjë tjetër veçse të riorganizohemi, të përmirësohemi dhe të luftojmë denjësisht për rikthimin në elitë.

Çfarë duhet të përmirësojë skuadra në të ardhmen?
Ne kemi lojtarë cilësorë dhe plot të rinj të talentuar, që kanë vijuar e vijojnë të aktivizohen sistematikisht me ekipin e parë. Personalisht mendoj se kemi nevojë më tepër të marrim lojtarë me eksperiencë, në mënyrë që skuadra të jetë sa më e kompletuar në çdo repart.

A do të vijoni të mbani veshur fanellën bardhejeshile?
Sigurisht dhe kjo është dëshira ime e madhe. Ndihem shumë mirë këtu, sikur jam në shtëpinë time. Ambienti është komod, qyteti fantastik, klubi shumë serioz, gjithashtu lojtarët fierakë më.

HIMLI SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"