“Oreksi vjen duke ngrënë”. Magani nuk i trembet Superiores: Qëndrojmë mes më të mirëve!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 26, 2021 | 19:42

“Oreksi vjen duke ngrënë”. Magani nuk i trembet Superiores: Qëndrojmë mes më të mirëve!

Gugash Magani kërkon nga drejtuesit që të ketë afrime në merkato. Sipas tij, Egnatias nuk i mungon asgjë, por duhet të forcohet në të tri repartet. Magani pranoi se Superiorja është gjë tjetër, por qëllimi i rrogozhinasve është qëndrimi mes më të mirëve.

Magani

Si e pa ndeshjen Magani përballë një Tirane të Superiores?

Në këto ndeshje nuk ka rëndësi rezultati. Pika më e rëndësishme është që të mos kemi dëmtime, sepse sapo ka nisur stërvitja. Lojtarët janë shumë të ngarkuar. Në përgjithësi mendoj se u paraqitëm jo mirë. Le të themi mjaftueshëm. Ama kjo vjen për shkak të mungesës së kondicionit. Kemi shumë punë për të bërë. Jemi një skuadër e formatuar rishtazi dhe po punojmë fort. Po punojmë për të afruar lojtarë në merkato, sepse Superiorja është diçka tjetër. Kam drejtuar për shumë kohë në Superiore dhe e di shumë mirë se çfarë duhet. Do të flas me presidentin, njeriu që na plotëson të gjitha dëshirat, për të forcuar organikën me lojtarë që na duhen.

Cili është objektivi real i Egnatias në këtë sezon?

Objektivi ynë është që të jemi mes 10 më të mirëve, pra në Superiore. Më pas oreksi vjen duke ngrënë. Nuk jemi inferiorë dhe nuk e ndiejmë veten të tillë. Rëndësi ka që kemi mentalitet fituesi, duke filluar nga unë i pari. Me të gjithë do të luajmë të barabartë në fushën e lojës.

Në cilat reparte keni nevojë për përforcime?

Na duhen medoemos lojtarë në sulm, mesfushë, por mund të na duhen lojtarë edhe në mbrojtje. Në të gjitha repartet duhet të riparojmë ekipin. Jemi një skuadër që po ndërtohet.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"