“Orë tmerri, fjetëm në makina”, Alban Hoxha e Trashi rrëfejnë frikën e tërmetit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 5, 2019 | 14:09

“Orë tmerri, fjetëm në makina”, Alban Hoxha e Trashi rrëfejnë frikën e tërmetit

Alban Hoxha dhe Lorenc Trashi e kanë përjetuar tërmetin e 26 nëntorit me shumë ankth dhe frikë për jetët e tyre. Kapiteni dhe mbrojtësi i Partizanit, të cilët janë gjithashtu pjesë e Kombëtares shqiptare, kanë rrëfyer dje për herë të parë orët e tmerrit pas tërmetit që tronditi vendin.

hoxha trashi femijet

“E përjetova ashtu si gjithë populli shqiptar atë që ndodhi duke u gdhirë më 26 nëntor. Ishin momente shumë të vështira, ku mendohet vetëm për jetë njerëzish. Edhe unë kam lëvizur menjëherë nga shtëpia, pasi nuk mund të qëndroja në atë situatë. Djali u tremb shumë dhe qëndruam jashtë për orë të tëra”, thotë fillimisht portieri Hoxha.

Ai tregon edhe situatën kur duhet të ktheheshin në fushë për të vazhduar stërvitjen. “Në ditët e para të stërvitjes nuk po përqendroheshim dot, sepse mendjen e ke te familja. Fakti që tërmetet vazhduan, ankthi shtohej edhe më shumë. Megjithatë, duke parë TV, duke kuptuar situatën posttërmetit dhe ato që thonë ekspertët se nuk do të ketë më probleme, automatikisht jemi më të qetë dhe më të përqendruar te stërvitja. Kjo është pjesë e jetës sonë, pra do të vazhdojmë punën”, shton kapiteni i “demave”, i cili bashkë me Trashin udhëtuan pak ditë më parë në Fushë-Krujë për të dhënë ndihma për familjet në nevojë.

Alban Hoxha

“U munduam si klub të ishim pranë familjeve të prekura. Ishim edhe në Fushë-Krujë bashkë me Trashin, si përfaqësues të ekipit Kombëtar. Kur i prek vetë nga afër këto gjëra, atëherë e kupton sa e vështirë është. U munduam të flisnim me njerëz të ndryshëm dhe fëmijë të vegjël.

Pamë që iu qeshte fytyra për një top, që ua dhamë si dhuratë. Unë jam vetë babai i një djali 5 vjeç dhe e kuptoj shumë mirë se çfarë do të thotë kjo situatë. Kur je prind, menjëherë mendja të shkon te fëmija. Shpresoj që kjo dhimbje të kalojë sa më shpejt dhe të rikthehemi në jetën normale. Jeta vazhdon”, tregon portieri, që në fund vlerëson klubin për nismat sensibilizuese.

“Partizani si klub dhe ne si lojtarë jemi solidarizuar gjithnjë, jo vetëm këtë herë që ndodhi fatkeqësia e tërmetit. Shumë herë nuk i kemi bërë publike ndihmat që japim për fëmijët në nevojë. Jemi munduar gjithnjë të ndihmojmë familje në nevojë. Këtë herë kanë qenë shumë në nevojë familjet e prekura dhe shpresojmë që t’i ndihmojmë përmes fondeve që do të mbledhim me lojtarët e Kombëtares. Uroj të gëzojmë disa familje, aq sa ne kemi mundësi të bëjmë në këtë situatë”, përfundoi Hoxha.

LORENC TRASHI

Për mbrojtësin e majtë të Partizanit, Lorenc Trashi, ajo që ndodhi ka qenë diçka e tmerrshme, e papërjetuar më parë në jetën e tij. “Të jem i sinqertë, personalisht e kam përjetuar shumë keq atë që ndodhi. Në tri-katër ditët e para nuk kam fjetur fare. Jemi shtyrë më tepër nëpër makina si gjithë të tjerët.

Lorenc Trashi

Pastaj menduam që të ishim bashkë me shokët e skuadrës dhe të qëndronim në hotelin ku grumbullohemi zakonisht në Tiranë. Kemi qëndruar të gjithë në kat të parë dhe duke qenë bashkë, e kalonim pak më mirë këtë situatë”, është shprehur gramshioti. Sipas tij, vizita që bëri me Hoxhën në Fushë-Krujë e lehtësoi shumë pas gjithë asaj tragjedie. “Jemi munduar të ndihmojmë sadopak ata njerëz që janë prekur nga tërmeti dhe nuk kanë ku të flenë pas asaj ngjarjeje që ndodhi. E kemi dhënë atë ndihmën tonë si lojtarë dhe klub i Partizanit.

Kishim edhe një detyrim tjetër, bashkë me Albanin, duke përfaqësuar Kombëtaren në atë vizitë që bëmë në FushëKrujë. Shkuam aty, pasi shumica e lojtarëve të Kombëtares luajnë jashtë, por ata kanë dhënë kontributin e tyre përmes llogarive bankare. I prekëm nga afër situatat dhe mund të them se ishte një ngjarje shumë e rëndë për çdo familje dhe me këtë rast shpreh ngushëllimet e mia për të gjitha familjet, që kanë humbur njerëzit e tyre të dashur. Kur shkuam në Fushë-Krujë dhe takuam disa fëmijë, kuptuam realitetin.

I kam ende para syve bisedat dhe lumturinë e atyre fëmijëve kur iu dhuruam fanella të Kombëtares dhe topa futbolli. Ua lehtësuam sadopak dhimbjen dhe më vjen mirë”, ka thënë Trashi. Në fund ai është i bindur se kjo situatë do të kthehet në forcë për të gjithë. “Shtyrja e kampionatit ka qenë një vendim i drejtë, pasi nuk mund të flitej për futboll në ato kushte. Tashmë çdo gjë është normalizuar dhe shpresoj që skuadra të mos ketë asnjë lloj paniku apo traume psikologjike. Këtë dhimbje do ta kthejmë në forcë”.

ABDULLA DUSHKU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"