Orë dramatike në aksin Paris-Madrid/ PSG-ja ia la “seen” Realit, klubi spanjoll bëri çmenduri me 7 kontrata për Mbapenë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 1, 2021 | 10:28

Orë dramatike në aksin Paris-Madrid/ PSG-ja ia la “seen” Realit, klubi spanjoll bëri çmenduri me 7 kontrata për Mbapenë

Tentativat e Realit të Madridit për të transferuar Kilië Mbapenë mbetën në vesh të shurdhët dhe PSG-ja nuk mori mundimin që të kthente përgjigje.

Mbape

Qëllimi i francezëve ishte i qartë që në fillim se nuk do ta shisnin yllin e tyre dhe ia dolën që ta mbanin. Në gjuhën moderne të rrjeteve sociale mund të themi se PSG-ja i la “seen” (thjesht i pa) ofertat dhe nuk ktheu përgjigje. Perez arriti deri në 200 milionë, por francezët i ofruan 45 milionë në vit Mbapesë për të rinovuar për 2 vite.

09:03/ OPTIMIZËM- Dita e fundit e merkatos nis me optimizëm në Francë për qëndrimin e Kilië Mbapesë. “L’Equipe” raportoi se kampioni i botës nuk do të largohet dhe do të formohet treshja e çmendur Mesi-Nejmar-Mbape.

10:30/ S’KA MBARUAR- Gazetari spanjoll Hoze Feliks Diaz, i dërguar në qendrën stërvitore të Francës thotë se asgjë nuk ka përfunduar në këtë çështje. Situata mund të ndryshojë nga momenti në moment.

12:24/ QETËSI PËRPARA…- Gjithçka është e qetë, të paktën në aksin Paris-Madrid. Merkatoja vazhdon e zhurmshme dhe me vrull. Por stuhia mund të fillojë me një “email” apo një telefonatë.

13:39/ STËRVITJE- Në qendrën stërvitore të Realit “Valdebebas” gjithçka vazhdon me qetësi. Lojtarët që nuk janë të grumbulluar me kombëtaret e tyre u stërvitën rregullisht.

14:16/ LEONARDO- Drejtori sportiv i PSG-së, Leonardo, kishte shumë punë ditën e djeshme për të zgjidhur situatat e disa futbollistëve si Sarabia, Lajvin, Kurzava apo Rafinja.

15:42/ KAMAVINGA- Ndërkohë që mungon Mbape, Reali hodhi hapa të sigurt drejt Kamavingës. Klubi spanjoll blindoi mesfushën.

17:25/ PSG S’KËRKON- PSG-ja është e përqendruar për lojtarë të tjerë dhe jo për sulmues. Deri pasdite nuk kishte asnjë tentativa për të gjetur pasuesin e Mbapesë.

18:10/ PEREZ NË ZYRË- Presidenti i Realit të Madridit, Florentino Perez sapo ka mbërritur në zyrat e “Valdebebasit”. E pret një natë gjatë numrin një të klubit spanjoll.

18:26/ AL KHELAIFI NË KATAR- Për të trazuar të gjithë botën, Naser Al Khelaifi ndodhet në Katar, selia kryesore e PSG-së. Presidenti ka disa çështje për të zgjidhur në ditën e fundit të merkatos.

19:09/ MBAPE PA NUMËR- Reali i Madridit ka bërë zyrtare listën e futbollistëve të federuar. Dani Sebajos do të mbajë fanellën me numër 19, çka do të thotë se sulmuesi nuk do të vijë… për momentin.

20:00/ 7 KONTRATA- Reali i Madridit ka përgatitur shtatë kontrata në qendrën stërvitore. Një për Realin, një për PSG-në, agjentët, ndërmjetësit, babanë, nënën dhe këdo që do të përfshihet. Problemi është se PSG-ja nuk përgjigjet.

19:25/ OFERTË 220 mln- Sipas “Sky Sports”, Reali i Madridit ishte gati që të bënte ofertë 220 milionë euro, por PSG-ja ka heshtur për gjithçka. Nuk ka kohë për të mbyllur transferimin. Francezi do të vijë si futbollist i lirë në verë.

19:52/ KONTRATA- Kontrata e Kilië Mbapesë është në sistemin TMS (sistemin e transferimeve të FIFA-s). Ky sistem përdoret për lojtarët që kalojnë nga një shtet në tjetrin apo në një federatë në tjetrën. Mbape nuk ka ndryshuar kurrë shtet deri tani. Pse kontrata e tij ndodhet në FIFA?

20:00/ RRITET OFERTA- Tani është zyrtare. Reali i Madridit ka bërë ofertë 200 milionë euro për Kilië Mbapenë.

20:11/ PSG REFUZON- Këtë herë nuk ka kohë për të humbur. PSG-ja ka refuzuar ofertën e bërë nga Reali i Madridit prej 200 milionë eurosh për Mbapenë.

21:15/ RINOVIM- PSG-ja i ofron rinovimin Kilië Mbapesë për 2 sezone me rrogë 45 milionë euro. Ai gjithashtu do të përfitojë një bonus historik nëse e firmos. Mbape e refuzon.

22:00/ “PËLQIM”- Kilië Mbape ka pëlqyer një foto të Kamavingës, ku ai thotë se bëri ëndrrën realitet për të luajtur me Realin e Madridit.

22:21/ HESHTJE- Asnjë lajm nga Katari. Emiri i Katarit dhe Al Khelaifi nuk përgjigjen për ofertën e fundit të Realit.

23:30/ REALI U DORËZUA- Kur kishin mbetur edhe 30 minuta nga fundi i merkatos, Reali i Madridit konfirmoi se gjithçka kishte përfunduar në shtëpinë e tyre dhe nuk do të kishte më afrime.

23:52/ MESAZHI I MBAPE- Kilië Mbape ka thyer heshtjen në fundin e merkatos. Ai ka shpërndarë një mesazh ku thuhet “Programoji ëndrrat për më vonë. Jeta është e bukur”.

00:00/ NUK LARGOHET- Tani është zyrtare. Kilië Mbape nuk largohet nga PSG-ja. Merkatoja përfundoi dhe Reali nuk mori asnjë përgjigje nga Parisi apo nga Katari për ofertën që kishte bërë për të transferuar yllin francez.

Përgatiti: GENTJAN ALINANI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"